Republika e sekserëve
A është shndërruar Republika e Kosovës në shtet të sekserëve, ku në çdo sektor punët kryhen vetëm përmes sekserëve e ndërmjetësve të inkriminuar, të cilët në mënyrë kriminale marrin milionat nga qytetarët dhe bizneset e palidhura me mafio-oligarkinë kriminale të pushtetarëve, ndërkaq që Prokuroria mbyll sytë, dhe bën sehir? Politologu Gurakuq Kuqi pohon se Kosova nuk është shndërruar, por është vend i sekserëve që nga viti ’99 e këndej, apo më shumë njerëz që u ngjajnë zhigolove.
MAFIO-OLIGARKIA FUNKSIONON KRIMINALISHT PËRMES NDËRMJETËSUESVE
Kuqi: Në Kosovë sekserët janë bërë një biznes më vete
“Sekserët, si agjentë të ndërmjetësimit të krimeve ekonomike, sot operojnë në çdo segment të shtetit dhe gëzojnë mbrojtje nga njerëz të fuqishëm të shtetit. Asnjë tender publik, bursë, subvencion, vend pune, emërim në pozitë të lartë publike apo regjistrimin në fakultete nuk mund të përfitohet nëse nuk negociohet me sekserët”, është shprehur për “Kosova Sot” analisti Ymret Reshiti
A është shndërruar Republika e Kosovës në shtet të sekserëve, ku në çdo sektor punët kryhen vetëm përmes sekserëve e ndërmjetësve të inkriminuar, të cilët në mënyrë kriminale marrin milionat nga qytetarët dhe bizneset e palidhura me mafio-oligarkinë kriminale të pushtetarëve, ndërkaq që Prokuroria mbyll sytë, dhe bën sehir? Politologu Gurakuq Kuqi pohon se Kosova nuk është shndërruar, por është vend i sekserëve që nga viti ’99 e këndej, apo më shumë njerëz që u ngjajnë zhigolove.
“Kapja e çdo sfere publike dhe biznesore paslufte nga të ashtuquajturit politikanë të pas viteve ’90 dhe ’99 ka krijuar një klimë kriminale në funksion të mizorive që bëjnë një grup njerëzish karshi popullit, ku këta të fundit i përdorin vetëm si skllav modernë për pasurimin e tyre, skenarë realë për filma të Hollivudit. Në Kosovë sekserët janë bërë një biznes në vete, të cilët janë një udhë nëse dëshiron të punësohesh në institucionet qeveritare dhe lokale, në agjenci, të marrësh ndonjë tender, leje ndërtimi, të hapësh ndonjë biznes, gjykata, e çdo gjë tjetër”, është shprehur Kuqi për “Kosova Sot”. Ai pohon se kemi raste kur shumë avokatë me emër, asnjëherë nuk kanë fituar nëpërmjet gjykatës ndonjë rast, por çdoherë janë fitues, sepse janë sekserë ku kryejnë punët jashtë gjykatës. Sipas tij, të tilla kemi edhe mbyllje të befasishme të rasteve nga gjykata apo edhe tërheqje të akuzave. “Lidhjet me sekserë mbretërojnë fuqishëm edhe në koalicionet komunale, por pa i lënë anash ato qeveritare. Asnjë koalicion në komuna nuk është bërë pa tendenca dhe interesa kriminale biznesore për tenderë dhe qëllime në kundërshtim të asaj që janë zgjedhur. Rasti më i mirë do ishte të shikohej koalicioni ndërmjet VV-së dhe AKR-së në Prishtinë, pastaj ndërmjet LDK-së dhe PDK-së në Pejë e gjitha komunat e tjera. Këto mizori do të vazhdojnë edhe gjatë, nëse populli nuk ndalon së investuari në këto kasta të korruptuara politike”, theksoi Gurakuqi Kuqi për “Kosova Sot”.
Reshiti: Edhe bizneset nuk kanë sukses, nëse nuk bashkëpunojnë me ndonjë sekser
Sipas analistit Ymret Reshiti, është fakt që Republika e Kosovës është shndërruar në një shtet ashiqare që administrohet nga ” sekserët”, ngase sekserët janë krijuar si grupe interesi që ndërmjetësojnë kryesisht krimet ekonomike në relacionin pushtet- biznese, sepse ata janë krijuar si emisarë specialë të mafisë që kontrollon vendin. “Sekserët si agjentë të ndërmjetësimit të krimeve ekonomike, sot operojnë në çdo segment të shtetit dhe gëzojnë mbrojtje nga njerëz të fuqishëm të shtetit. Asnjë tender publik, bursë, subvencion, vend pune, emërim në pozitë të lartë publike apo regjistrimin në fakultete nuk mund të përfitohet nëse nuk negociohet me sekserët. Që nga viti 2008 Kosova qeveriset nga sekserët. Sekserët i ka krijuar mafia politike, që është e instaluar në majat e pushtetit , dhe i përdor sekserët për të rritë kapitalin e tyre të krijuar me shpërdorim të pushtetit”, shprehet Reshiti për “Kosova Sot”.
Sipas tij, gjyqësori dhe prokuroria kanë dështuar në kapjen e sekserëve dhe luftimin e këtij grupi kriminal të rrezikshëm. “Një pjesë e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë emëruar në ato pozita pikërisht nga sekserët, prandaj si mund të presësh që këta t’i luftojnë njerëzit që kanë ndërmjetë- suar punësimet e tyre-sekserët. Ka po ashtu edhe avokatë, që krahas profesionit të tyre kryejnë edhe detyra të sekserëve sidomos në mbylljen e lëndëve gjyqësore të krimeve ekonomike dhe veprave tjera penale. Një mori koalicionesh të papritura të partive politike lidhen papritur, vetëm e vetëm për të ndarë pushtetin, duke vendosur njerëzit e tyre nëpër borde, agjenci, ndërmarrje publike dhe pozita të larta publike për të zhvatur buxhetin e Kosovës në dobi të pasurimit të tyre”, theksoi Ymret Reshiti për “Kosova Sot”. Ai shpreh bindjen e plotë se sot është vështirë që të funksionosh si biznes, nëse nuk bashkëpunon me ndonjë sekser, ndryshe nuk do të fitosh asnjë tender publik. E njëjtë është, sipas tij, edhe për qytetarët e rëndomtë, të cilët për të gjetur punë në sektorin publike, ndonjë bursë, subvencion shteti, regjistrim në universitete publike, e deri te zgjidhja e ndonjë procesi gjyqësor, nuk mund t’i realizojnë ato po që se nuk sigurohet ndihmë nga ndonjë sekseri, i cili tregon edhe shumën e mjeteve financiare që duhet të ofrohet si këmbim. Mbi këtë bazë ai thotë se nuk gabojmë fare nëse Kosovën e quajnë “Republika e sekserëve”./kosova sot/


