MASHT-i shpërndan libra falas, prindërve u kërkohen para!
Gëzim Gashi, nga Prishtina, që tre vjet detyrohet t’ia blejë djalit të tij librin e gjuhës shqipe, i cili sivjet vijon klasën e katërt, ndonëse Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) vazhdimisht shpenzon miliona euro të buxhetit të Kosovës për të shpërndarë libra falas për nxënësit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Gashi ankohet se prindërve po u kërkohet që të blejnë libra për fëmijët e tyre nëpër librari të ndryshme, pasi që, sipas mësuesve, librat që po i shpërndan Ministria kanë shumë gabime.
“Djali im është në klasën e katërt në shkollën fillore ‘Ismajl Qemali’ në Prishtinë. Pavarësisht se librat janë dhuruar nga Ministria e Arsimit ne jemi detyruar që librin e gjuhës shqipe të klasës së katërt ta blejmë vetë, me marrëveshjen prind-mësues, kjo për shkak që libri i leximit të cilin e dhuron shtëpia botuese ‘Libri shkollor’ është përplot gabime dhe i papërshtatshëm për nxënësit”, ka thënë ai për “Zërin”.


