FIDANISHTJA

Shpërdorimet milionëshe të subvencioneve në bujqësi nuk e alarmojnë prokurorinë

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar kryeministri aktual i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte akuzuar Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë për ndarjen në baza politike të subvencioneve, ndërsa kishte porositur kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë, Elhami Hajdari, që mos të mendojë se kjo agjenci është mbretëri në vete.

Rreth nëntë muaj më pas Qeveria, që drejtohet nga Haradinaj, nuk tregon se çfarë masash janë ndërmarrë dhe sa ka ndryshuar gjendja pas deklarimeve të kryeministrit. Zyra e kryeministrit nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara për ta ndërprerë dhënien e subvencioneve në mënyrë antiligjore dhe në baza partiake. Analistë të ekonomisë dhe deputetë nga opozita thonë se keqpërdorimet vazhdojnë pa i dhënë llogari askujt e përveç tjerash as Prokuroria Speciale nuk ka bërë asgjë për të dërguar në burg njerëzit që abuzuan e vazhdojnë të abuzojnë me ligjin.

Salihu: E pakuptimtë heshtja e Prokurorisë pas akuzave të kryeministrit Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Salih Salihu, është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se është për çdo kritikë puna e kreut të Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, që po bën ndarjen e subvencioneve në baza politike, por në të njëjtën kohë është për t’u kritikuar edhe mënyra e dhënies së granteve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Ai ka thënë se nga kjo mënyrë e shpërndarjes së tyre fermerët dhe sektori i bujqësisë nuk mund të përfitojë, por as vendi ynë me keqpërdorimin e fondit të granteve dhe subvencioneve.”Sepse mbështetja e militantëve partiakë të partive të spektrit të luftës dhe atyre që nuk janë fermerë të vërtetë po i dëmton fermerët seriozë, të cilët po kontribuojnë në shtimin e prodhimeve vendore dhe shtimin e numrit të punëtorëve”, është shprehur ai. Sipas Salihut, me ndryshimin e përfituesve të këtyre granteve me dallavere ndërrojnë edhe destinimin e projekteve bujqësore. “Andaj, pyetja që duhet shtruar është se çfarë ka bërë kryeministri Haradinaj për afro 9 muaj pas kësaj deklarate për ta ndërprerë dhënien e subvencioneve në mënyrë antiligjore dhe në baza partiake. Sepse hajnia nuk luftohet me fjalë, por me veprime konkrete”, është shprehur ai.

Kadriaj: Keqpërdorimi me grantet bujqësore nuk ka të ndalur as në këtë qeveri Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Kosova Sot” thotë se keqpërdorimi me grantet bujqësore nuk ka të ndalur as në këtë qeveri dhe ky kryeministër vetëm fjalë dhe zhurmë është i gatshëm të bëjë dhe i gatshëm për konflikte verbale dhe fizike, sepse asnjë punë nuk e ka përfunduar. Ai thotë se deri më tani ky kryeministër nuk ka dëshmuar në parandalim të korrupsionit. Kadriaj thotë se duhet të kuptojë që ky kryeministër me veprimet e tij ka krijuar një pasiguri duke ofenduar dhe kërcënuar çdo zë kritik. “Kjo qeveri është bërë e papërballueshme për ekonominë dhe qytetarin e Kosovës dhe çdo ditë e kësaj qeverie është dekadencë për ekonominë në vend dhe pa siguri për qytetarin dhe zërin kritik”, është shprehur ai. Ndërsa analisti i ekonomisë, Artan Haziri, për gazetën “Kosova Sot” thotë se Qeveria ‘Haradinaj’ ka premtuar se grantet për bujqësi nuk do të keqpërdoren dhe do të shkojnë atje ku duhet, por kjo nuk ndodhi.”Grantet për bujqësi filluan mbrapsht, kur Ministria e Bujqësisë iu dha minoritetit serb. Kjo është e tmerrshme, se ne nuk jemi shtet industrial. Grantet asnjëherë nuk iu dhanë atyre që e meritojnë, por të gjitha janë ndarë me prapavijë politike dhe mashtruese”. Sipas Hazirit, grantet nuk i marrin bujqit që e meritojnë, por ata që merren me mashtrime dhe vetëm në kohën e kontrollit ata bëhen sikur po punojnë. “Kjo edhe më shumë i ka dëmtuar shtetin dhe bujqësinë e Kosovës. Prokuroria nuk po merret me këto raste dhe asgjë nuk ka dalë në dritë se ku po shkojnë këta miliona të granteve”, është shprehur ai.

ARKATANA

Istogu: Qeveria e Kosovës duhet ta shndërrojë bujqësinë në prioritet Njohësi i ekonomisë, Zekim Istogu, për gazetën “Kosova Sot” thotë se koha ka treguar se politikat e bujqësisë duhet që haptazi ta favorizojnë prodhimin vendor dhe mos të jenë të ndërlikuara, burokratike dhe represive. “Në Kosovë nevojitet të krijohet një model i ri i ndarjes së granteve dhe subvencioneve, por edhe zhvillimit të prodhimtarisë bujqësore, transfere të reja teknologjike, aparatura dhe makineri të duhura e racionale, entropi përkatëse etj. Sepse në nivel vendi duhet harmonizuar politikat në bujqësi me politikat monetare që bëjnë vendet me trend normal të zhvillimit ekonomik. Kjo ngase kreditimi bujqësor është element i dorës së parë i zhvillimit të bujqësisë, ngase me ketë investohet në efektivitet, rritje të produktivitetit dhe shfrytëzim të mirë të resurseve ekzistuese”, është shprehur ai. Shton se Qeveria e Kosovës bujqësinë duhet ta përqendrojë në këto prioritete, konsolidimi, ruajtja, shfrytëzimi dhe menaxhimi i drejtë i tokës bujqësore; diversifikimi i fermave duke zbutur kështu shumë probleme sociale; ripyllëzimi i sipërfaqeve të shkatërruara dhe kthimi i tyre në gjendje normale; intensifikimi i prodhimit intensiv në bujqësi (më herët traditë e kultivuesve) dhe ngritja e produktivitetit të punës në bujqësi.”Këto janë konditat reale që mund ta karakterizojnë bujqësinë e sotme, prandaj duhet bërë një ridizajnim ku mbështetet ekonomia jonë në përgjithësi dhe bujqësia e tashme në veçanti”. Sipas Istogut, keqpërdorimi i granteve dhe subvencioneve është për keqardhje, ngase politikat bujqësore dhe zhvillimit rural duhet të jenë në trend me kohën, të parimeve thellësisht evropiane, të cilat do t’i qasen bujqësisë në këta objektiva: nevojat për ta ngritur ekonominë, të bartim transfere të reja teknologjike dhe ta nxisim zhvillimin ekonomik.

Grapci: Askush deri më tani nuk është akuzuar apo arrestuar për keqpërdorim të ndarjes së subvencioneve Ndërsa eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot” thotë se është shumë e vërtetë që Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, në krye me Elhami Hajdarin, i kanë ndarë subvencionet në baza politike dhe ato familjare. “Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me të drejtë e ka akuzuar këtë agjenci, por ajo se çka nuk ka bërë kryeministri është se pas kësaj deklarate nuk ka marrë asnjë hap konkret për luftimin e këtij skandali shumëvjeçar, si dhe hetimin e personave përgjegjës”. Sipas Grapcit, askush deri më tani nuk është akuzuar apo arrestuar për keqpërdorim të ndarjes së subvencioneve. “Ndaj po mendoj që Prokuroria e Kosovës duhet që të fillojnë me zbatimin e ligjit, se si duket kjo prokurori po ekziston si emër, por prokurorët si duket nuk janë askund, prandaj i bëjë apel Prokurorisë së Kosovës që të kërkohen këta persona që i kanë vjedhur ato subvencione për bujqit kosovarë, kurse bujqit i kanë lënë në mëshirën e Zotit”, është shprehur ai. Sipas Grapcit, zhvillimi i bujqësisë e çon vendin në drejtime të duhura ekonomike, që të rrisim standardet e sasisë dhe cilësisë së prodhimeve, nëse është pikësynim që vendin ta integrojmë në BE. “Por e keqja është se bujqësia në Kosovë po karakterizohet me rënie të prodhimit dhe nëse kjo situatë vazhdon, do të ketë rritje të importit të prodhimeve bujqësore. Për shkak të pamjaftueshmërisë së zhvillimit të industrisë agro-ushqimore dhe mungesës së rregullimeve kontraktuese, rreziqet dhe pasiguritë janë të konsiderueshme. Kjo po na koincidon me pamundësitë që të aktivizojmë 35- 40 veprimtari të industrisë ushqimore, ku do të hapeshin vende të reja pune, sidomos në zonat rurale, me ç’ rast invazionet e popullatës në zonat urbane do të ndaleshin dhe do të eliminoheshin shumë probleme sociale. Kjo tash do të ishte e realizuar, sikur bujqësia vërtet do të ishte prioritet i Qeverisë”, është shprehur ai. Ndërsa analisti tjetër i ekonomisë, Hazbi Kadriu, për gazetën “Kosova Sot” thotë se një numër i subvencioneve jepen në mënyrën e drejtë dhe pjesa e shumtë dyshohet se shpërndahet në suaza të ndryshme partiake dhe klanore, prandaj edhe nuk kemi ndonjë politikë të mirëfilltë se si duhet të menaxhohen subvencionet për ata që merren me bujqësi.”Politikat e mirëfillta duhet të jenë shumë më stimuluese dhe më afatgjata për ata që merren seriozisht në këtë drejtim dhe mbështetja tek ta duhet në masë të madhe të bëhet në mënyrë sa më të madhe, sepse ndikim shumë më me rëndësi për zhvillim pa diskutim është përforcimi edhe i një dege të ekonomisë, siç është edhe bujqësia”, është shprehur ai. Prokuroria nuk ka kthyer përgjigje se çfarë ka bërë ajo për të dënuar personat që abuzuan me ligjin lidhur me subvencionet.

(Kosova Sot)