Liria e falur…
Poezi nga Xhemë Karadaku
Rrugës një djalosh
Flet e qan me lot:
-Në një liri të falur
S’dua të jetoj dot!
Nuk e kuptova mirë
Fjalë pak me bisht,
Lehtë ia prek faqet
E i them butësisht:
-Më trego të lutem
Pse gjithë këta lot?
Kush ta prishi ditën
E vraftë i lumi Zot!
-Briti njëri n’Shesh
(Foli djaloshi n’vaj)
Lirinë unë ta solla!
Dhe m’shau pastaj.
U shtanga në vend
U dridha me tremë
E më ranë në mend
Do trima të rremë!.
Ja, pse, Skënderbeu
Rron sa të jetë jeta:
-Lirinë s’e solla unë,
N’mes jush e gjeta!
MBURRACAKËT
U lavdërua lepuri
Diku në një zabel:
-Krejt bota m’njeh
Për bishtin cubel.
Por, mbi të gjitha
Për veshët llapush
Jam një YLL pylli
S’ma kalon kush!.
Shkaba nga rrapi
Lavdit i vuri pikë:
-Ti je një Yll pylli,
Vetëm për frikë!
E nisi lavdin skilja
Gjuhën si shpatë:
– Dihet fama ime,
Për bishtin e gjatë!
E sa për mençuri
S’më avitet kush,
Unë jam YLL pylli,
E jo ti o lepurush!
Korbi nga një lis,
I tha zonjës skile:
– Ti je një Yll pylli,
Për dredhi e hile!
BISHTI I FJALËS
E pyet gjyshin
Njëfarë Bardha:
– Bishtin prapa
Pse e ka dardha?
I habitur gjyshi
Shikon dritaret:
-Dardha n’degë
Për bishti varet!
S’ndalet mbesa
Vazhdon sërish:
-Pse, thonë, ka
Fjalë me bisht?!
– Vërtet, fjala,
Tha gjyshi Latë
Mund ta ketë
Bishtin e gjatë!
Me bisht, ajo,
Kur ik prej goje
Nuk është fjalë
Po Pelë Troje!.
Prandaj gjyshit
Para se t’flasim
Bishtin fjalës
Mirë t’ia masim!
Xhemë Karadaku


