Eko Higjiena

Haradinaj&CO mashtruan votuesit me “rrogën 1000 euro” e “Qindra – mijëra” vende të reja pune

/ 9 minuta lexim
FIDANISHTJA

Investitorët po ikin, fuqia punëtore po largohet, papunësia po thellohet

Premtimet e bëra nga ana e kryeministrit aktual, Ramush Haradinaj, për 200 mijë e 300 mijë vende të reja pune, ose paga mbi 1000 euro, që i premtonte gjatë fushatës elektorale, kanë mbetur në letër. Sipas analistëve, nuk po dihet se a e ka pasur fjalën z. Haradinaj për rritjen e pagave për këshilltarët e tij, apo të rritet paga mesatare, që është më e ulëta në rajon. Siç dihet, në Serbi paga mesatare shkon deri në 470 euro, e paga e zyrtarëve të lartë sillet diku rreth 1000 euro, e jo më shumë. Kurse në Kosovë ka një dallim shumë më të theksuar.

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Sali Salihu (i pavarur), tha për “Kosova Sot” se të gjitha koalicionet qeverisëse të pasluftës, përfshirë edhe Qeverinë dhe premtimet për më shumë se 300 mijë vende të reja pune, kanë dështuar. “Prandaj, e themi lirshëm se të gjitha koalicionet e deritashme premtimin për vende të reja pune e kishte vetëm si propagandë për të marrë votat”, theksoi ai. “Njëri nga shkaktarët e kësaj gjendje është edhe fakti se investitorët seriozë vendorë e të huaj po kërkojnë një siguri dhe një stabilitet politik dhe qëndrueshmëri ekonomike, pastaj sigurimin e çmimit të produktit dhe lehtësirave të taksave që do ta shndërronin vendin tonë në mjedis të favorshëm për investitorët”, vlerësoi Salihu.

Abuzim me sferën publike, margjinalizim i sektorit privat Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot” tha se çdo qytetar i Kosovës është dëshmitar se politikanët kosovarë në fushata zgjedhore premtojnë shumë e realizojnë pak.”Qëllimin e kanë të vijnë në pushtet, pastaj të mendojnë për qytetarët e vet, sepse çdo kryeministër ka premtuar mrekulli, e në anën tjetër janë 270 mijë familje në asistencë sociale, me një papunësi mbi 40 për qind, me një ekonomi buzë shkatërrimit. Me hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 2 tetorit kanë filluar edhe premtimet. Por, përveç atyre në nivel lokal, që po i bën secili kandidat, një tjetër ka ardhur edhe nga Qeveria e Kosovës. Kosova nuk e ka luksin e rritjes së pagave në sektorin publik”, u shpreh ai.”Republika e Kosovës po ballafaqohet me krizën më të madhe që nga paslufta, një situatë e kaosit, e dhunës, me një qeveri shumë të diskutueshme, pra nuk ka kushte as politike e as rritje ekonomike për një ngritje prej 25 për qind apo 30 për qind, siç pretendon ministri, për një rritje të pagave do të duhej një rritje e dyfishtë 8 për qind ose 10 për qind. Premtimet e rritjes së pagave më shumë janë për t’i ruajtur militantët e partive të tyre, kjo rritje duke anashkaluar sektorin privat është tendencioze dhe e pamoralshme, përderisa sektori privat punëson numrin më të madh të punëtorëve, ky sektor është lënë në mëshirën e fatit, mos harroni që në vitin 2017 në vendin e punës kanë humb jetën 14 punëtorë, këtij vendi i duhet siguri, shkarkim të administratës e sistemim të ri”, vijoi më tej Beqiri. “Vendimi i kryeministrit për ngritje të pagës vetes dhe rrethit të vet është përtej skandalit. Në Kosovë me asistencë sociale jetojnë 27 mijë familje, me 270 mijë anëtarë, ose 15.1 për qind e popullsisë janë në skemën sociale. Buxhetit të shtetit 71 zëvendësministra do t’i kushtojnë hiç më pak se 10 milionë euro në mandatin katërvjeçar (paga, telefoni, dreka, nafta paga pas përfundimit të mandatit 6 muaj etj.), duke mos llogaritur rritjen aktuale të pagave. Në Slloveni paga minimale është 804 euro, ndërkaq e kryeministrit 5.300 euro në Kosovë, paga minimale është 130-170, varësisht prej grup moshës, ajo e kryeministrit kosovar është 2.950 euro, ose 22 herë më e lartë se sa paga minimale sipas moshës. Mendoj që duhet një lëvizje urgjente e sindikatave, policisë, sektorit privat, gjyqësorit dhe të gjitha sektorët, mendoj se do të ketë protesta dhe e udhës do ishte të bëhej një distancim total ndaj një vendimi skandaloz, një mosbindje qytetare, janë një mori vendimesh skandaloze, falja e 60 milionë eurove manipuluesve ambalazhit të ujit, rritja e pagave, emërimi i zëvendësministrave, shkarkimet kaubojski, mbështetja e gjuajtjes me armë, mosnjohja e njerëzve që i emëron etj.”, ka thënë Beqiri.

Mobi Casa

Punësohen militantët, shumica ngelin pa gjë Kurse analisti i ekonomisë, Artan Haziri, për gazetën “Kosova Sot” tha se papunësia si variabël komplekse makroekonomike përbën një problem mjaft delikat, ku për ta zvogëluar duhet organizuar të gjitha strukturat shtetërore.”Në rastin e Kosovës problemi i papunësisë dhe zgjidhja e këtij problemi i përkasin një domeni mjaft kompleks”, potencoi ai.”Në njërën anë këtë problem e kemi trashëguar edhe para luftës. Së dyti, po aq sa është poroze (e thyeshme) situata e papunësisë, aq është e vështirë edhe zgjidhja e saj, e cila kërkon një përkushtim prej nivelit më të lartë hierarkik në nxitjen e iniciativës së lirë dhe përforcimin e kuadrit ligjor konform rrethanave”, vlerësoi më tej Haziri. Sipas tij, kjo qeveri është bashkim i shumë programeve dhe dëshirave të mëdha.”Është problem më i madh se si militantët të punësohen. Numri i të punësuarve është premtuar se do të rritet dhe pagat do të rriten. Kjo ndodhi vetëm për një pjesë të ngushtë të militantëve e jo për popullsinë në tërësi. Pagat u rritën vetëm për ata që nuk kishin nevojë për këtë rritje. Është mjerim për popullin”, theksoi ai.

Zotimet astronomike, për të ardhur me çdo kusht në pushtet Ndërsa ekonomisti Mustafë Kadriaj, për gazetën “Kosova Sot”, tha se partitë politikë, duke shfrytëzuar aq mirë vetëdijen e ulët të qytetarëve, duke bërë premtime që tani po shihen që janë larg agjendës, duke premtuar vende pune sikur të gjithë investitorët e botës të investonin në Kosovë, duke nënçmuar qytetarin me shifra në ajër: 40, 70, 120 e deri në 200 mijë vende pune, duke premtuar rritje dyshifrore, sikur Kosova të ishte Singapor, duke krahasuar Kosovën me Zvicrën, rritje të pagave në sektorin publik deri në katër shifror, pra çka t’u bjerë në mend, vetëm të manipulojnë qytetarët e painformuar dhe të lodhur nga realiteti në Kosovë.”Në zgjedhjet e fundit parlamentare, i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, tani kryeministër i Kosovës, premtonte çka i binte në mend vetëm që të ulej në karrigen e të parit të ekzekutivit, duke lavdëruar veten se vetëm ky i çon proceset para, duke premtuar zhvillim ekonomik marramendës, po ashtu rritje të pagave deri në 1000 euro në sektorin publik, premtonte sikur të kishte shkopin magjik. Por, me të marrë mandatin u vërtetua që e kishte shkopin magjik vetëm për vete, duke rritur pagën me arsyetimin se do të punojë shumë, diçka e papranueshme në logjikën ekonomike, ndërsa në anën tjetër bënte pushimet në Sant Morris, ku sipas mediave kancelarja e Gjermanisë është deklaruar që nuk ka bërë pushimet asnjëherë, sepse nuk e përballon paga e saj, ndërsa në përgjigjen ndaj mediave për pushimet luksoze kryeministri aktual shprehet që ka para edhe për dy-tri pushime të tjera, duke rënë ndesh me arsyetimin e rritjes së pagës dhe njëherësh duke nënçmuar qytetarin e varfër”, thotë analisti Kadriaj.”Haradinaj ka rënë ndesh që vetë ishte kritik i qeverive dhe numrit të madh të ministrive, por me të marrë mandatin u bë kampion dhe pretendues për libër të Ginisit, me më së shumti zëvendësministra, që përveç numrit të madh ua rrit edhe pagat, ku sa për dëshmi raporti i zëvendësministrave tregojnë se ata nuk kanë bërë asgjë me raportime qesharake”, vlerësoi ai.

Të gjitha qeveritë dështuan, në të dy nivelet Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, afaristi Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot”, tha se nga paslufta e deri më sot në të gjitha zgjedhjet nacionale që janë mbajtur, përfshirë edhe ato të vitit të kaluar, spektri politik ka premtuar me qindra-mijëra vende të reja pune, por edhe zhvillim të hovshëm ekonomik të vendit.”Mirëpo, deri më sot zhvillimi ekonomik i vendit po mbetet vetëm një premtim i rrejshëm elektoral. Asnjë qeveri e pasluftës e deri më sot nuk e ka marrë as edhe një veprim për të mundësuar një zhvillim ekonomik, duke lënë shtetin dhe komunat në duart e nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve, të cilët janë mbi ligjin dhe mbajnë monopole për një dekadë të tërë”, theksoi ai.

Sipas Malokut, çdo qeveri, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, zhvatën qytetarët deri në asht, u pasuruan dhe bënë milionat, ndërkaq Kosova pësoi regres ekonomik dhe jo vetëm. Kurse analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për “Kosova Sot” tha se një rast tipik i kësaj natyre është gënjeshtra për 200-300 mijë vende të reja pune, që e pati bërë Ramush Haradinaj, që doli të jetë vetëm një gënjeshtër elektorale.”Fajtorët kryesorë që e kemi këtë gjendje janë krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale në bashkë-koordinim me pushtetarët e dy niveleve, që janë fajtorë se përse e kemi këtë shkallë të lartë të papunësisë, të varfërisë, monopolet kriminale të mafio-oligarkëve”, vlerëson ai. Sipas Grapcit, të gjitha qeveritë tona të pasluftës nuk kanë qenë të interesuara për krijimin e vendeve të reja të punës, sepse koncepti i tyre qeverisës bazohet në sloganin “varfëro dhe qeveris”.