ARKATANA

Kosova do të hyjë në OKB me kufijtë e saj të pavarësisë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Kadri Veseli – Debati publik i ditëve të fundit për dialogun e Kosovës me Serbinë, ka dalë jashtë kornizave të një debati që i ndihmon publikut, institucioneve dhe avancimit të proceseve të shtetit. Me temat e ngritura prej këtij debati dhe me mënyrën se si ato po trajtohen, është krijuar një klimë e panevojshme tensioni, frike e pasigurie te qytetarët tanë.

Në të njëjtën kohë, Serbia, e interesuar në vazhdimësi për jostabilitet në Kosovë, me propagandën e saj politiko-mediale, duke përdorur teknikat e reja të “fake news”, vazhdon t’i kontribuojë kësaj klime dhe tendencave për të prodhuar tensione.

Efekti i synuar, gjithmonë i njëjtë: Të krijohet perceptimi ndërkombëtar për Kosovën si një vend jostabil e problematik, që nga dita në ditë pritet të shpërthejë dhe shpërbëhet!
Kur ndalesh e lexon opinionet plot alarm, që hidhen nëpër portale e media tjera sociale, të krijohet përshtypja se jemi në prag të një kataklizme globale, epiqendra e të cilës ndodhet në Kosovë.

Por, le të ndalemi e të rikujtojmë të gjithë se si nisi e tërë kjo.

Kur propozuam tryezë partish, me qëllimin që në mënyrë demokratike t’i bisedojmë të gjitha çështjet serioze të dialogut dhe jo vetëm, e pastaj, përmes konsensusit dhe në mënyrë institucionale e të argumentuar, t’u japim zgjidhjen më të mirë këtyre çështjeve – kjo iniciativë nuk u përmbush, shkaku i mosbashkëpunimit partiak, i motivuar krejtësisht nga agjendat e ngushta partiake, e aspak shtetërore.

Në një fazë tjetër, propozuam që konsensusi të ndërtohet në institucionin më të lartë të shtetit, në Kuvendin e Kosovës. Ofruam për diskutim edhe platformën me shkrim dhe arritje të konsensusit të përbashkët, por edhe kjo gjë nuk u mor parasysh.

Partitë politike opozitare në Kuvend nuk pranuan të jenë pjesë e përgjegjësisë shtetërore, pjesë e dialogut, i cili adreson interesat e shtetit, e jo të partive politike. Fatkeqësisht, sindromi i vjetër i bajraktarizmit primitiv po shfaq shenjat e tij në krejt këtë situatë.

Sigurisht që përgjegjësinë kryesore për këtë e bartë LDK-ja, e cila, në njërën anë, poshtë e lartë, vetëpromovohet si parti institucionaliste, derisa, në anën tjetër, praktikisht vepron kundër frymës institucionale. Respektimi i kësaj fryme sot, më shumë se kurrë në këto dhjetë vite, është domosdoshmëri dhe obligim i të gjithë përfaqësuesve politikë në vend.

Në këtë situatë të krijuar, nuk duhet habitur pse në mungesë të veprimit institucional, që prodhon konsensus e vendimmarrje shtetërore, debati është zhvendosur në virtualitetin e mediave sociale, e si rezultat, ky debat e ka humbur krejtësisht seriozitetin, për të përfunduar në një qarkullim të lirë pa doganë të teorive të konspiracionit dhe tërheqje vijash të reja në hartën politike të Kosovës e rajonit, sipas preferencave subjektive.

Por, në fund të fundit, meqë jetojmë në një shtet demokratik, duhet ta pranojmë si të mirëqenë faktin se mendimet e njerëzve janë të lira. Gjithmonë do të jenë të tilla në shoqërinë tonë.

UBT

Por, vendimet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës janë të qarta!

Në asnjë rrethanë, ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e Dialogut.

Kosova do të shkojë në Dialog, në mënyrë që finalja e tij ta prodhojë një marrëveshje ndërkombëtarisht obligative – e cila sjell njohjen e Kosovës, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e rrugës së integrimeve euro-atlantike.

Kjo është agjendë e jona e përbashkët, me SHBA-në dhe BE-në.

Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. As nuk do të diskutohet kjo çështje.

Ndarja e Kosovës është një nga pretendimet e vjetra të Serbisë, të cilat kanë marrë fund një herë e përgjithmonë në vitin 1999.

Kosova nuk ka asgjë për të dhënë.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe integriteti territorial i saj është i pacenueshëm.

Kosova do të hyjë në OKB, NATO dhe BE me kufijtë e saj të pavarësisë.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.