Uji Dea

“Kanceri” i fajdeve po i mbyt qytetarët dhe bizneset e zhytura në borxhe

/ 9 minuta lexim
ARKATANA

Në shtetin sikurse që është bërë Kosova e pasluftës, që shquhet për mungesë të sundimit të ligjit dhe të zhvillimit ekonomik, qytetarët tanë dhe bizneset, nga kriza e madhe ekonomike dhe varfëria e madhe që i ka kapluar, po detyrohen që të marrin para edhe me “fajde” , vetëm e vetëm për të mbyllur borxhet.

“Pushtetarët po i mbyllin sytë para fajdexhinjve, duke i toleruar që të operojnë lirshëm në Kosovë, sepse janë të lidhur me ata. Në vend se të mbrohen qytetarët dhe shteti të intervenojë në përmirësimin e mirëqenies sociale, pushtetarët lidhen me krimin e organizuar – fajdexhinjtë, për të fituar në kurriz të qytetarit të lodhur të Kosovës. Lejimi i fajdeve dhe fajdexhinjve për të operuar të papengueshëm nëpër Kosovë tregon se ky vend është bërë i pajetueshëm për qytetarët dhe me shumë rrezik”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot” analisti Ymret Reshiti

Në shtetin sikurse që është bërë Kosova e pasluftës, që shquhet për mungesë të sundimit të ligjit dhe të zhvillimit ekonomik, qytetarët tanë dhe bizneset, nga kriza e madhe ekonomike dhe varfëria e madhe që i ka kapluar, po detyrohen që të marrin para edhe me “fajde” , vetëm e vetëm për të mbyllur borxhet.

Ndryshe, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar janë iniciuar për hetim 25 raste si fajde të përcaktuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kurse gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë iniciuar 10 raste. Në një nga rastet e fundit, në kuadër të këtij plani, organet e rendit kanë arrestuar dy persona të dyshuar të përfshirë në këtë vepër, ku thuhet se “të njëjtit i kanë dhënë viktimës para me fajde në vlerë prej 1000 eurove, ndërsa kanë kërkuar 24 mijë euro si kamatë në emër të fajdeve. Pas presionit të ushtruar për kthimin e parave, sipas organeve të rendit, viktima gjatë muajit qershor të këtij viti ka tentuar edhe të bëjë vetëvrasje. Andaj, sipas analistëve, pikërisht për shkak të mosperspektivës dhe moszhvillimit të shtetit tërësisht të inkriminuar, qytetarët ose po marrin para me fajde për të mbijetuar, e shumë raste të tilla ka ndodhur që të përfundojnë edhe me fatalitet (vetëvrasje), ose po kërkojnë shpëtim sa më larg Kosovës, duke mos mundur të marrin me mend që të jetojnë më në këtë shtet ku sundon krimi i organizuar.

Reshiti: Mungesa e mirëqenies sociale manifestohet me rritjen e numrit të fajdeve Analisti Ymret Reshiti për gazetën “Kosova Sot” theksoi se mungesa e perspektivës në Kosovë ka rënduar mirëqenien sociale, gjë që kjo po manifestohet me rastet e fajdeve.”Shumë biznese dhe qytetarë për të paguar borxhet e tyre dhe nevojtarë familjarë po u drejtohen për “shpëtim” fajdexhinjve matrapazë. Fajdeja ka qenë e ndaluar në shoqërinë skllavopronare, ndërsa me të madhe po lulëzon në Kosovë. Menjëherë pas luftës bankat i kanë zhvatur qytetarët dhe bizneset duke dhënë kredi me kamata deri 21 për qind norma të interesit. Shteti i ka toleruar sepse pjesë e këtij biznesi dhe fitimi kanë qenë politikanët e Kosovës. Si u bë tani që normat e interesit të bankave për kredi të bien në 5 për qind”, pyet Reshiti, teksa shton se mbase një pjesë e madhe e popullit u zhvat tash e sa vjet nga bankat dhe nuk kanë kurrfarë të hyrash si ndihmë nga shteti, janë të papunë, nuk kanë mundësi të lënë garanci bankare për kredi, prandaj bankat nuk u japin kredi.”Ata po detyrohen t’u drejtohen fajdexhinjve për të marrë para me fajde për shërim të ndonjë anëtari të familjes dhe disa biznese për të mbyllë borxhet”, është shprehur Reshiti. Ai tutje shton: “Pushtetarët po i mbyllin sytë para fajdexhinjve, duke i toleruar që të operojnë lirshëm në Kosovë, sepse janë të lidhur me ata. Në vend se të mbrohen qytetarët dhe shteti të intervenojë në përmirësimin e mirëqenies sociale, pushtetarët lidhen me krimin e organizuar – fajdexhinjtë, për të fituar në kurriz të qytetarit të lodhur të Kosovës. Lejimi i fajdeve dhe fajdexhinjve për të operuar të papengueshëm nëpër Kosovë tregon se ky vend është bërë i pajetueshëm për qytetarë dhe me shumë rrezik”.

Haziri: Skamja të çon në derë të hasmit Analisti Arsim Haziri për gazetën “Kosova Sot” thotë se është mungesa e avancimit ekonomik ajo që e nxit individin të ndërmarrë veprime tejet të vështira. “Tashmë tendenca e qytetarëve të Kosovës nuk është avancimi i pasurisë ose zgjerimi i resurseve materiale, por gatishmëria për ta siguruar bukën e gojës, pra nevojat bazike për jetesë. Në këtë rrafsh lindin dukuritë më negative për qenien njerëzore. Shprehja e urtë popullore thotë: ‘Skamja të çon të derë të hasmit’. Pikërisht kjo gjendje shtynë gjithsecilin të bëjë zgjidhje nga më të ndryshmet, pavarësisht efektit negativ që mund ta kenë”. Sipas Hazirit, Kosova fatkeqësisht vuan nga mungesa e funksionimit të ekonomisë, pra vendi është shndërruar në vend pa perspektivë jetësore, vend që nuk i plotëson as për së afërmi nevojat për jetë të dinjitetshme.

FIDANISHTJA

Politologia Liridona Bislimi për gazetën “Kosova Sot” theksoi se paratë e huazuara në mënyrë ilegale, apo si njihen me termin “fajde”, jo rrallëherë janë bërë shkas i nxitjes së konflikteve mes individëve të ndryshëm, por edhe shkas për mbylljen e bizneseve dhe ky është fenomeni më i rëndë i shoqërisë kosovare, duke ndikuar tek ekonomia joformale, tek bizneset, tek të cilat në mungesë të mjeteve në forma legale ata tentojnë të marrin para në mënyrë ilegale.”Këto fajde janë aq të shtrenjta saqë ka pasur raste që kanë ardhur deri tek vrasjet nga kushtet e pafavorshme afariste, normat e larta për kredi dhe procedurat e zgjatura për realizimin e kredive, në bankat komerciale që operojnë në Kosovë. Këto kanë bërë që bizneset, por edhe persona të ndryshëm në disa raste të përdorin burime alternative duke huazuar para në mënyrë ilegale me normë të lartë të interesit. Sistemi financiar duhet të jetë më efektiv në kuptimin e mundësisë së qasjes së bizneseve në financa për shkak se është një problem, veçanërisht tek bizneset fillestare, të cilat kanë vështirësi në qasjen e financave dhe gjejnë burime alternative, prej burimeve që janë fajdet”, është shprehur ajo për gazetën “Kosova Sot”.

Eksperti i fushës së financave, Xhevat Meha, për gazetën “Kosova Sot” theksoi se aktiviteti në dhënie-marrjen e parave me fajde është i dënueshëm me ligje. Sipas Mehës, platforma e moszbatueshmërisë së ligjit në Kosovë është instaluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë.

Qytetarët: Fajdeja është shkatërrim i familjes, por edhe i bizneseve Qytetarët e anketuar ndërkaq thonë se janë të zhgënjyer me mungesën e sundimit të ligjit dhe qytetarët e bizneset po detyrohen që të marrin edhe para me “fajde” për të mbyllur borxhet. Qytetari Ferid Avdullahu për gazetën “Kosova Sot ” theksoi se dukuria e fajdesë është e dëmshme për çdo shtet dhe shoqëri, ngase fajdeja nuk është një ndihmesë, por një shkatërrim i familjes dhe i bizneseve, duke shtuar se pjesën më të madhe pse po lejohet fajdeja fajtor është shteti që po i lejon personat e tillë që të japin para me fajde.

Ai shton se ndaj kësaj kategorie shteti duhet që të tregohet i pamëshirshëm.”Kemi të bëjmë me njerëz pa ndjenja dhe që e shfrytëzojnë pozitën e rëndë materiale, si edhe fatkeqësitë e individëve e qytetarëve së bashku me bizneset që detyrohen të marrin para me fajde. Ndërkaq nga ajo që kam mësuar thuhet se në shumë raste fajdexhinjtë, një pjesë e të cilëve ka dyshime se i financojnë edhe politikanët tanë, po i detyrojnë huamarrësit e tyre që me skadencën e afatit të pagesës së borxhit kryesor i detyrojnë që huamarrësit të paguajnë shumëfishin e parave”, është shprehur ai. Shton se e tëra po ndodh për shkak të mungesës së perspektivës dhe moszhvillimit të duhur të shtetit, që po i detyron qytetarët dhe bizneset që të marrin para me fajde për të mbijetuar me familjen apo me biznesin e tyre. Ndërsa qytetari tjetër, Lumni Krasniqi, për gazetën “Kosova Sot” theksoi se dukuria e fajdeve është e vjetër, mirëpo në rritjen e numrit të rasteve të fajdeve te ne në Kosovë pa asnjë dyshim se po ndikon edhe mungesa e tashme e sundimit të ligjit dhe funksionimit të mirëfilltë të shtetit dhe sistemit të drejtësisë.”Qytetarët dhe bizneset po detyrohen që të marrin edhe para me ‘fajde’ për të mbyllur borxhet në këtë shtet që shquhet pa sundim ligji dhe pa zhvillim. E them lirshëm se skamja, varfëria si edhe mungesa e perspektivës po i detyron qytetarët e bizneset të marrin para me fajde”, është shprehur ai.

(Kosova Sot)