Evropë ke rastin t`i përmirësosh gabimet!
Menjëherë pas mbarimit të luftës së Kosovës, politika e Beogradit në bashkëpunim me aleatët e saj filluan manovrimet në skenën e destabilizimit të Kosovës. Klasa jonë politike e flashkët dhe pa arritur të konsolidohej në nivel minimal e lëre më maksimalisht. Veprimet e Beogradit filloj ti kuptoi dhe ti trajtoj si lojë… Nën administrimin e UNMIK-ut filloj decentralizimi dhe ky proces jo pa qëllim nisi krejt mbrapshtë. Nga klasa jonë politike kishte zëra dhe miratime që të kujtonin ndryshimet kushtetuese të Serbisë dhe fshirjen e asaj pak autonomie që kishim, e që atëbotë antishqiptarë të përbetuar thoshin se me ndryshimet kushtetuese “ne do përparojmë” … I tillë ishte edhe procesi i decentralizimit ndonëse vite më vonë dhe me klasë politike krejt të ndryshme.
Veriu i Kosovës menjëherë pas luftës përbënte një nga rajonet ku serbët të ndihmuar edhe nga KFOR-i francez ishin përqendruar në numër të madh. Aty jo që filloi demilitarizimi i forcave ushtarako-policore të Serbisë, por përkundrazi Serbia ditë e më tepër po ushtronte pushtetin e saj në këtë pjesë të Kosovës. Serbët lokal nuk e ndalën dhunën dhe dëbimet e popullatës së pafajshme të kësaj pjese. Filloj të formohen edhe strukturat paralele që vepronin dhe terrorizonin shqiptarët dhe dëbonin me dhunë ata nga vatrat stërgjyshore.
Spastrimi etnik i shqiptarëve kishte vazhduar sikur në kohën e luftës sidomos pas shkurtit të vitit 2000 ku me që rast dymbëdhjetë mijë shqiptarë të asaj pjese janë shpërngulur dhe dëbuar dhunshëm nga strukturat policore të Serbisë. Kjo kishte ndodhur në prani të “paqeruajtësve” të cilët në vend se të vendoseshin në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë ata ishin zgjedhur urën e lumit Ibër.
Plani i Artisarit në vitin 2007 e fuqizoi këtë ndarje duke krijuar dy komuna atë të veriut dhe atë të jugut të Mitrovicës. Serbia praktikisht vepronte brenda kufijve të Kosovës dhe ndalonte kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre.
Vetëm pak vite nga përfundimi i luftës filluan edhe përfaljet dhe parapërgatitjet e bujshme për bisedime mes Kosovës dhe Serbisë. Me fillimin e negociatave të Brukselit, klasa jonë politike dhe ata që përkrahnin këto negociata, këto i quanin bisedime teknike. Këto bisedime teknike thuhej se nuk do cenonin integritetin dhe statutin e Kosovës. Kjo ishte një mashtrim që prapë po i bëhej popullit sepse bisedimet me Serbinë ishin të pa përgatitura dhe pa kurrfarë karakteri të marrëveshjes.
Karakteri i këtyre bisedimeve nuk qëndronte në keqkuptime mes popujve por, në luftën tonë çlirimtare dhe se Serbia ishte pushtuese.
Për këto bisedime kishte edhe subjekte politike si Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) e më vonë edhe Lëvizja Vetëvendosje (LV) që i kundërshtonte me vendosmërinë më të madhe por, ato bisedime megjithatë filluan.
Në vend se përmes këtyre bisedimeve të kërkohej nga Serbia që të kërkonte falje popullit shqiptar për gjenocidin që kishte bërë mbi të, të kërkohej të paguante gjithë dëmet e luftës dhe shkatërrimin e ekonomive familjare, vrasjet masakrimet dhe dëbimet e popullsisë, të kërkonte ndarjen e hises së Kosovës si ish subjekt i Federatës Jugosllave të cilën e kishte trashëguar Serbia… Këto bisedime fillimisht nisën për gjëra të thjeshta por me kalimin e kohës erdhëm edhe në ditët e sotme… Ku si rezultat i këtyre bisedimeve sot kemi situata të tilla.
Bashkësia ndërkombëtare e posaçërisht evropianët, duke dashur të zgjidhin problemet e rajonit në baza të multietnicitetit ata filluan kompromiset e pa kuptimta dhe me këtë rast madje lufta jonë çlirimtare ndaj Serbisë filloj të quhej konflikt. Këtu duhet theksuar një rolë negativ të francezëve të cilët për të bërë kompromise me Serbinë dhe për tu shfajësuar për rreshtimin e vitit 1999 ata filluan ti paraqesin serbët e Kosovës si viktima!…
Nga kjo nuk ishte e rastësishme se bisedimet për ndërprerjen e luftës çlirimtare ndodhën në Rambuillet të Francës dhe Kryeadministratori i parë i misionit paqeruajtës ishte francezi Bernard Kouchner. Në vitin 2004 ajo që ndodhi në Kosovë, (e që edhe sot mbetet i pa qartë organizimi), serbët e Kosovës u shpallën si të viktimizuar nga “ekstremizmi shqiptar”.
Klasa jonë politike e shtyrë në vijimësi më shumë për luftën për pushtet sesa për konsolidim dhe shtet bërje… u tregua jo e aftë përballë skenarëve të cilët po mëtohej të viheshin në zbatime nga të tjerët. Fillimisht, të prirë nga politikat e të tjerëve djemtë e vashat më të mira të kombit u etiketuan si ekstremist dhe u mënjanuan nga vendet udhëheqëse dhe kyçe. Në vend të tyre erdhën ata të cilët jepnin prova lojaliteti dhe kompromisi.
Andaj kush më parë e kush më vonë niseshin drejt Brukselit për të folur për fatin e atdheut. Kush më herët e kush më vonë mund të jepte versionin e zgjidhjes së tij sikur fati i kombit të ishte një fushë shahu ku çdo lëvizje e figurave përcaktonte fitoren definitive.
Në këtë gjendje Serbia e cila asnjëherë nuk ka hequr dorë nga paragjykimet dhe mitet shoviniste të grabitjeve të territoreve dhe tokave të huaja, i hyri lojës për të gllabëruar dhe vënë në zbatim skenarët e saj mbi tokat shqiptare. Veriu i qytetit të Mitrovicës kontrollohet nga strukturat paralele që i dirigjon Serbia.
Serbia çdo ditë përdorë dhe gënjen botën me propagandën antishqiptare. Ajo çdo ditë gënjen botën duke luajtur në kartën se shqiptarët duan ta krijojnë “Shqipërinë e madhe” … Po pse e “madhe” kur të gjithë shqiptarët të bashkohen në një shtet prapë nuk bëjmë pjesë në radhët e shteteve të mëdha. Jo, Serbia dëshiron të krijoj një gogol se bashkimi i shqiptarëve në një shtet përbën rrezik për rajonin!…
Bashkësia Evropiane duke dashur që të mos rregulloj Ballkanin në vija etnike, mundohet të bëj kompromise madje edhe në dëm të shqiptarëve siç ka bërë edhe më parë në histori. Me një fjalë politikat e nënshtrimit dhe dëgjueshmërisë ka kohë që zbatohen mbi territoret tona. Fatkeqësisht, edhe të miratuara nga politikan servil të cilët shohin vetëm përpara sysh e jo më larg.
Nga duhet t ‘ia mbajnë shqiptarët
Në radhë të parë duhet ti bashkërendojnë forcat e mendimit dhe të veprimit të përbashkët. Në asnjë mënyrë nuk guxojmë të përçahemi në baza politike fetare e inatiste. Sot, nuk jemi në kohën kur armiku tenton të na gllabëroj e ne të sillemi si “gomari para ujkut”.
Nuk guxojmë të ndërmarrim veprime të cilat do ishin në dobi të të tjerëve. Sot duhet të kuptojmë se me gjithë defaktorizimin dhe varfërinë që na është shkaktuar nga të tjerët por edhe nga vetja jonë, do jemi përgjegjës para brezave nëse nuk dimë të sillemi në momente të caktuara.
Evropianët e dinë shumë mirë, cili ishte territori shqiptar para ndarjes së tij të dhembshme dhe copëtimeve që iu bë shqiptarëve në dëm të të tjerëve. Ata që mundohen të na kërcënojnë me varfëri, izolim dhe njerëz të kushtëzuar politikisht, duhet ta dinë mirë se trojet shqiptare asnjëherë nuk kanë pranuar nënshtrimin ani pse shpesh kanë qenë të mashtruar dhe prerë në besë nga të tjerët.
Sot, është koha të besojmë më shumë në vetveten. Të jemi unik në qëndrime dhe veprime. Të tjerët duhet të dinë se viset shqiptare nuk mund të përdorën më për kusuritje për intriga dhe mashtrime.
Kosova sot, ka Forcën e Sigurisë, Shërbimin policorë, ka veteranët e luftës, ka popullin e saj i cili gjeneratë pas gjenerate kurrë nuk ka hequr dorë nga e drejta për të jetuar i lirë, ka të drejtën historike për të jetuar në paqe e mirëqenie pa e cenuar askënd. Por, në të kundërtën, gabojnë rëndë ata të cilët i shohin shqiptarët si të molisur nga jeta dhe mendojnë se mashtrohemi dhe shkëlqimin e qelqit e marrim për ari dhe diamant.
Mërgata shqiptare
Me interesim të madh, ne mërgimtarët, që fati i jetës na solli të jemi fizikisht nëpër vende të ndryshme të botës po ndjekim zhvillimet e fundit në atdhe. Mërgata jonë nuk është më ajo e dikurshmja, e viteve të mëhershme, e cila pas punëve të lodhshme të ditës jetonte çdo çast me atdheun. Nuk është më ajo e cila nuk kishte lajm ti kalonte pa e ditur se çfarë po ndodhte…
Mërgata jonë dikur kishte qëllimin e çlirimit nga pushtuesi serb dhe në shërbim të këtij qëllimi kishte vënë potencialin e saj ekonomik, politik e madje edhe duke iu bashkuar atdheut në çastet më të vështira.
Edhe në këto çaste të vështira kur fati i kombit dhe atdheut po vihet në pyetje, mërgata jonë ka forcë dhe potencial për lirinë dhe kundër cenimit të çdo skaji të atdheut. Gabohet rëndë dikush nëse mërgatën tonë e sheh vetëm si numër turizmi, apo të shpartalluar dhe pa ndonjë strategji veprimi në parandalimin e vendimeve kundër kombëtare.
Nëse dikush ka luajtur, lojën për ta neutralizuar dhe nxjerrë nga përdorimi mërgatën shqiptare është gabuar rëndë sepse, edhe sot në mërgatën tonë ende ka mbetur tharm dhe ka nga ata djem të cilët luftuan dhanë djersën, kontributin e tyre për çlirim të vendit. Ani se liria e shumë pritur e vendit prapë i bëri mërgimtar. Shqiptarët kanë përjetuar shumë pa drejtësi, por asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga të drejtat e tyre legjitime…Evropë ke rastin ti përmirësosh gabimet…. Analizë/Albswiss.com/


