Ndarja e Kosovës fakt apo mit?
Nga Bekim Thaqi – Tema e shumëpërfolur ndër vite në Kosovë, se a do të mund të shkëputet veriu i Kosovës dhe se a do të ketë ndarje, shkëputje apo “korrigjim” të kufijve diku njëzet vjet mbas luftës në Kosovë, duket se ka ardhë në tavolinën e punës, dhe se po shqyrtohet me të madhe edhe nga bashkësia ndërkombëtare edhe nga strukturat shtetërore Kosovë-Serbi, dikund me rezerva e dikund tjetër edhe po përkrahet kjo gjë.
Realisht a ka mundësi të bëhet kjo gjë?
Duke i njohur rrethanat faktike dhe juridike në Kosovë, por edhe më gjerë në rajon, duhet të thuhet se ekziston një përqindje e vogël probabiliteti se mund të ndodhë një ndarje e tillë juridike pasi megjithatë është investuar shumë në tërë Ballkanin dhe se një ndarje e tillë jo se nuk do të ju konvenonte palëve të përfshira por edhe do të krijonte precedentë për rajonin e ndoshta edhe më gjerë.
Në parim, duket se iniciativa për ndarje, shkëputje apo edhe korrigjim të kufijve vjen nga ana serbe e cila këtë e ka lënë si opsion të fundit në ‘luftën’ e saj për rikthimin e Kosovës, dhe se duke mos pasur asnjë atu më në luftën kundër pavarësisë së Kosovës tenton me çdo kusht në stilin “merr ç`të mundesh” që të përfitojë nga situata dhe të paraqitet si e vendosur për një zgjidhje përfundimtare të problemit, pasi e din se bashkësia ndërkombëtare paksa ka filluar të lodhet me këtë pjesë të Ballkanit dhe do pranonte edhe ato zgjidhje që ndoshta para 10 viteve ishin të pamundshme.
Por çka në të vërtetë fshihet pas tërë kësaj?
Në fakt pas kësaj fshihet shtyrja e agjendës së asociacionit dhe përfshirja e elementeve konstituive në të. Pra duke kërkuar diçka të madhe dhe të papranueshme si ndarja e Kosovës apo korrigjimi i kufijve (që e edhe po të ndodhte një korrigjim i tillë nuk ka mundësi qe Presheva t`i bashkëngjitet Kosovës pasi aty është autostrada e që përbën interes nacional serb dhe se nuk do hiqej dorë kurrë nga ajo) kërkohet që përmes një dere të vogël të futet Asociacioni me ingerenca ekzekutive në pjesët ku jetojnë serbët.
Pala kosovare duhet të luajë lojën me një kujdes të veçantë dhe të mos lëshojë pe në qeshtjet më të rëndësishme që prekin thelbin e shtetit të Kosovës. Sigurisht se diku-diku do të lëshohet pe në disa aspekte ekonomiko-kulturore por duhet të këshillohen ekspertët juridikë, ekonomik dhe kulturorë se deri ku mund zgjasim dorën tone dhe të shikohen mundësitë qe kjo të jetë me tepër në sferën ekonomike-kulturore ku mund të bëjmë shumë më tepër sesa që kemi bërë deri më tani.
Pala Kosovare duhet të insistojë që absolutisht jemi kundër ndarjes por edhe krijimit të një Republika Serbe në Kosovë. Pra te kërkohet një zgjidhje e mesme dhe tu jepet serbëve një autonomi kulturore dhe ekonomike me ingerenca te zgjeruara në këto fusha. Te mos lëshohet pe aspak jashtë kësaj dhe të krijohet një unitet kombëtar në lidhje me këtë.
Kushdo që të jetë në krye të dialogut nga ana e Kosovës qoftë Presidenti apo ndonje ekip tjetër negociues duhet të ketë në mendje kushtetutën e Kosovës dhe mbështetjen e tërë spektrit politik dhe kombëtar.
Tekefundit ky është një pazar ku po testohet qëndrueshmëria jonë si shtet dhe ne kaq mund të japim pra një lloj autonomie kulturore dhe ekonomike dhe asgjë me tepër.
Bashkësia ndërkombëtare si lojtari kryesor apo referi i ndeshjes do ta pranojë rezultatin që pak a shumë i lë të kënaqur të dy palët. E këtë pastaj të dy palët në mënyrat e veta mund ta servojnë si fitore për dy shtetet./rajonipress/


