Eko Higjiena

Bajram Kryeziu, mësues i parë në shkollën e Firiçeves

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Xhavit Kryeziu – Njeriu duhet të mësohet që ta përballojë gëzimin, por edhe pikëllimin. Nxënësit e fshatit Firiçevë të komunës së Kamenicës në fillim të viteve të `60 vijonin mësimet nëpër shkollat e fshatrave përreth: Meshinë, Gmicë, Ajnovc dhe Bratillovcë, madje në këto dy të fundit mësimi mbahej në gjuhën serbokroate. Po me hapjen e shkollës, për herë të parë në gjuhën shqipe, me mësuesin Bajram Kryeziu, gëzimi nuk kishte skaj. Po tash sërish dryni rri varë në derën e shkollës si gur mulliri në qepallë.

Bajrami u lind në Rogaçicë më 15. 2. 1941. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindjen, ndërsa shkollën e mesme ekonomike në Gjilan. Rikualifikimin për mësues e kreu në Prizren, në vitin 1968.

Detyrën e mësuesit e filloi më 1. 10. 1962 në Shkollën fillore “1 Maji” të Roganës (ish Rogaçicës) gjegjësisht në paralelen e ndarë fizike të saj- në Kranidell, në të cilën punoi deri më 31. 8. 1965., kur shkon në kryerjen e afatit të obliguar ushtarak, në ish APJ-në. Që nga 1. 4. 1968 sërish kthehet në shkollën e Kranidellit dhe aty punon deri më 31. 8. 1968. Nga 1. 9. 1968 kalon me punë në shkollën e Strezocit, në paralelen e saj të ndarë të Kremenatës, në të cilën punoi deri më 1.10 1969.

Që nga 1.10.1969 punon në Shkollën katërklasëshe të Firiçevës, ku mësimi fillon të mbahet për herë të parë në gjuhën shqipe. Kushtet për punë ishin shumë të këqija se nuk kishte as banka e as karrige, po nxënësit uleshin nëpër disa cunga që kishin mbetur aty. Të gjithë nxënësit e prindërit ishin të gëzuar që u hap shkolla në fshatin e tyre, por sidomos ishin të gëzuar ata që vijonin mësimin në gjuhë të huaj, në gjuhën serbokroate. Mësimin e mbante me klasë të kombinuara, që nga klasa e parë e deri në të katërtën njëkohësisht dhe vijonin 16 nxënës, 6 prej tyre ishin femra.

Në klasën e parë vijonin 6 nxënës e ata ishin: Gani Sijarina, Fehmi Sijarina, Hevzi Sijarina, Ali Berisha, Fehmi Berisha dhe Sabile Mavriqi (të dhënat sipas agronomit- Gani Sijarina). Në klasën e dytë vijonin 5 nxënës, (2 prej tyre ishin femra); në klasën e tretë 4 (1 ishte femër) dhe në klasën e katërt 4 nxënës (2 femra). Po me një vullnet të mirë përballohen të gjitha vështirësitë.

KKVITI

Të gjithë ata që kanë punuar në procesin e mësimdhënies e dinë se çka do të thotë të punosh me dy klasë të kombinuara njëkohësisht. Po puna me 4 klasë të kombinuara njëkohësisht është variant më i vështirë në procesin e mësimdhënies, edhe për mësuesin, edhe për nxënësit, sepse ora mësimore për secilën klasë zgjat afër 11 minuta.

Pas tre muaj pune në kushte të tilla, drejtori i Shkollës fillore “16 Nëntori”, nga Kamenica, Petar Naskoviq i solli në shkollë bankat dhe karriget, pasi që deri në vitin 2004 kjo shkollë ishte paralele e ndarë fizike e shkollës së Kamenicës e pastaj e Shkollës fillore të Tugjecit. Dhe tani klasa i ngjante vërtet klasës. Në vitin vijues shkollor i lehtësohet puna me nxënës se tani punon vetëm me dy klasë se me dy të tjera, tani, punon mësuesi Hevzi Beqiri. Aty punoi deri më 1.12. 1971.

Prej 2.12. 1972 kalon me punë sërish në shkollën e Roganës dhe një vit punon në ciklin e lartë të fillore, në mësimin lëndor. Pasi kishte të kryer edhe shkollën e mesme ekonomike, prej 1. 7. 1972 punon në detyrën e sekretarit të kësaj shkolle deri më 1. 10. 2000. Pasi që asokohe shuhet vendi i punës së sekretarit të shkollës, përsëri e merr klasën dhe udhëheq deri më 31.8. 2006, kur edhe shkon në pension. Pastaj me familje shpërngulet në Gjilan ku i kaloi vitet e fundit të jetës.

Për shkak të mungesës së nxënësve shkolla e Firiçevës u mbyll në vitin 2016. Tani në derën e saj qëndron dryni i varur duke rrëfyer se në lokalet e saj kanë mësuar afro 50 gjenerata nxënësish. Firiçeva sipas regjistrimit të vitit 1981 kishte 337 banorë, ndërsa sipas atij të vitit 2011 kishte 60 banorë, kurse tani ka 4 familje me 25 banorë, por pa asnjë nxënës. Ky trend i shpërnguljes së popullatës nga viset rurale të kësaj komune është shumë brengosës, sepse fatin e kësaj shkolle do ta kenë edhe shumë të tjera të kësaj komune që kanë mbetur me 2-3 nxënës.

Bajrami vdiq në Gjilan, më 3. 1. 2015. Pas ka lënë bashkëshorten dhe 6 fëmijë, të gjithë të shkolluar, 3 djem ia kanë kryer fakultetin e mjekësisë, ndërsa vajza e vogël- Evxheneta ka mbaruar edhe masterin./rajonipress/