FIDANISHTJA

Partitë fshehin milionat e pistë të nëntokës kriminale

/ 9 minuta lexim
FIDANISHTJA

Ana e errët e financimit të partive politike, sidomos në fushatat zgjedhore, vazhdon të mbetet akoma e pandriçuar, qoftë nga auditimi i financave të tyre, nga auditorët e autorizuar sipas ligjit, qoftë edhe nga hetimi që do të duhej të bënin institucionet e drejtësisë,thonë analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë.

“Po të kishte ligj të saktë dhe më të qartë që përcakton më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga partitë politike, një pjesë e madhe e këtyre partive do të çregjistroheshin nga regjistri i veprimit politik, pikërisht për shkak të kriminalitetit të madh në punën e tyre, për shkak të shpëlarjes së parasë, të pranisë marramendëse të nepotizmit, dhe marrëveshje biznesore që bëhen gjatë fushatave zgjedhore, sidomos me sektorin privat në kontrollin e parasë publike”, thotë analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”

Ana e errët e financimit të partive politike, sidomos në fushatat zgjedhore, vazhdon të mbetet akoma e pandriçuar, qoftë nga auditimi i financave të tyre, nga auditorët e autorizuar sipas ligjit, qoftë edhe nga hetimi që do të duhej të bënin institucionet e drejtësisë,thonë analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë.

Edhe pas përfundimit të zgjedhjeve komunale si dhe ato qendrore gjatë vitit që lamë pas, por edhe pas të gjitha zgjedhjeve në Kosovën e pasluftës, pavarësisht parregullsive të evidentuara në financim dhe në raportim, Prokuroria po heziton të kontrollojë financat që kanë përdorur partitë politike gjatë fushatave zgjedhore, kur dihet se vetëm gjatë fushatave shpenzohen dhjetëra miliona euro, madje edhe të pranuara në kesh, pra para të pista dhe të inkriminuara,të cilat mafio-oligarkët e nëntokës kriminale ua dorëzojnë shefave të partive,gjegjësisht shefave për financa në parti, në zarfe të mbushura me para kesh, ndërkaq partitë zyrtarisht i deklarojnë shpenzimet vetëm aq sa e parasheh ligji, alarmojnë analistët. Gazetari i ka dërguar pyetje lidhur me këtë mundësi abuzimi dhe hetimi Prokurorisë së dy niveleve, asaj Speciale dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës, por nuk ka marrë përgjigje. Nga ana tjetër, njohësit fushës së drejtësisë theksojnë se jorastësisht Prokuroria po lejon që nëntoka e kriminalizuar në tandem me politikën e inkriminuar të tallen me qytetarët e Kosovës dhe asnjëherë të mos zbardhet se ku është burimi i këtyre parave të pista që iu jepen partive politike në “cash” nga mafio-biznesmenët për t’u shërbyer partitë politike për fushatën zgjedhore dhe blerjet e votave.

MIFTARI: PARASISTEMET POLITIKE DHE EKONOMIKE NË FAKT JANË KREU I KRIMIT TË ORGANIZUAR NË KOSOVË!

Sipas njohësit të fushës së sigurisë,Naim Miftari,tanimë dihet se shumica e zgjedhjeve mbahen,përveçse me para që iu takon me ligj nga partitë politike,partitë politike përdorin edhe fondet e zeza, fonde këto të fituara në mënyrë të paligjshme përmes tenderëve dhe korrupsionit,që sipas Miftarit, këto fonde të zeza aplikohen edhe në zgjedhjet lokale të komunave,por edhe në zgjedhjet qendrore,që i kontrollojnë dhe manipulojnë vetë parasistemet e parapolitikës dhe klanet të cilët i posedojnë ose i marrin kinse si donacione nga biznesmenët e oligarkët që janë vetëm paravanë i politikanëve të korruptuar,e që paratë e pista i përdorin kryesisht firmat e ndryshme dhe oligarkët e tyre me qëllim që ta rrisin kapitalin e tyre që i kontrollojnë pikërisht përmes këtyre parasistemeve. “Dhe,faktikisht me këto para blihen votat,manipulohen dhe zgjedhjet.Me këto para partitë politike arrijnë që t’i blejnë edhe deputetë e partive politike rivale, të kundërshtarëve etj.etj.Këto dukuri negative dhe joligjore i dinë fare mirë edhe Prokuroria dhe Policia,por as Prokuroria dhe as Policia,madje as Inteligjenca nuk i heton,sepse edhe këto dihet që janë edhe vetë të kapura nga këto parasisteme politike,prandaj nuk guxojnë të marrin hapa ligjorë në atë drejtim, pasi pikërisht përmes këtyre fondeve dhe kushtëzimeve favoreve materiale,pse jo edhe diplomatike të korrupsionit, Kosova e ka zgjedhur madje edhe Hashim Thaçin president.Kështu e kanë zgjedhur edhe Isa Mustafën kryeministër, por mos të harrojmë se edhe kjo Qeveri e sotme është po ashtu një Qeveri e shantazheve dhe Qeveri e bizneseve të kontrabandës.Edhe kjo është Qeveri e bërë nga interesi i krimit të organizuar”,theksoi Miftari.”Këta skenarë bëhen vetëm për para dhe pozicione shtetërore që i afrojnë dhe i joshin të tjerët,e ku dorë ndikimi kanë pikërisht këto parasistemet politike dhe ekonomike,e që nw fakt janë kreu i krimit të organizuar në Kosovë dhe fatkeqësisht janë pjesë e këtyre klaneve dhe interesave personale e materiale.E, këtu në këtë lloj ndërmjetësimi janë edhe disa zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe diplomatë perëndimorë”,tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.

ARKATANA

BURJANI: DERISA NUK KA AUDITIM TË MIRËFILLTË TË FINANCAVE TË PARTIVE, AS QË MUND TË PRITET NJË HETIM NGA PROKURORIA PËR FINANCIMIN NGA PARAJA E PISTË!

Njohësi i mirë i kësaj fushe, Blerim Burjani, ish- anëtar i KQZ-së, thotë se derisa nuk ka fillimisht auditim të mirëfilltë të financave të partive as që mund të pritet një hetim nga Prokuroria për financimin nga paraja e pistë.”Deri më tash nuk ka pasur fillimisht auditim të financave të parave të shpenzuara nga partitë politike prej buxhetit të Kosovës, e lëre më të donacioneve që marrin partitë për fushata.Në këtë fushë veprimi realisht nuk ka as vullnet më minimal që të jenë transparente fondet e partive politike”, u shpreh ai.”Kjo gjendje është akoma kështu edhe për faktin se në Kosovë ende nuk ka ligj të mirëfilltë për partitë politike, prandaj me këtë legjislacion aktual, fare formal, partitë politike vazhdojnë të jenë mbi shtetin dhe rendin juridik.Po të kishte ligj të saktë dhe më të qartë që përcakton më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga partitë politika, një pjesë e madhe e këtyre partive do të çregjistroheshin nga regjistri i veprimit politik, pikërisht për shkak të kriminalitetit të madh në punën e tyre , për shkak të shpëlarjes së parasë, të pranisë marramendëse të nepotizmit, dhe marrëveshje biznesore që bëhen gjatë fushatave zgjedhore, sidomos me sektorin privat në kontrollin e parasë publike”, vijoi më tej Burjani. “Është koha e vendosjes së mirëfilltë të përgjegjësisë para ligjit edhe për partitë politike, sepse ato janë baza e formimit të shtetit pas proceseve zgjedhore. Auditimi i financave të partive politike duhet të bëhet, të hetohen parregullsitë, kurse edhe ligji i lustracionit duhet të veprojë për këto institucione për të zbardhur të gjitha të palarat e mëdha dhe të rrezikshme për shtetin. Këtu ka përplot negativitet në qeverisje të partive politike, por më pastaj edhe në qeverisje të shtetit”, shpjegon Burjani.”Ka vetëm energji zhvatëse dhe pasurim pa bazë, sepse partitë politike janë bërë kompani profitabile,pra nuk janë iniciativa private që do të duhej të ishin në shërbim të qytetarëve.Pa një ndryshim thelbësor të qeverisjes në shtet, nuk ka as ndalje të kapjes së shtetit”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”. Blerim Burjani M

Vetëm forca e ligjit i disiplinon partitë

Analisti politik, Hidajet Ahmeti thotë se Ligji nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike dhe Ligji për plotësim ndryshimin nr. 04/L-058 rregullon mënyrën e përgjithshme të financimit, duke filluar nga kushtet e financimit, administrimin, mbikëqyrjen, transparencën dhe raportimin për shpenzimin e pasurisë dhe të ardhurave të subjekteve politike në Republikën e Kosovës, prandaj subjektet politike janë të detyruara të definojnë në statut mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar të tyre dhe, me qëllim të luftimit të praktikave korruptive dhe ngritjes dhe forcimit të menaxhimit financiar dhe transparencës, subjektet politike duhet të zhvillojnë mekanizmat e kontrollit të brendshëm financiar. Ai thotë se disa subjekte politike po e bëjnë këtë, por jo të gjitha. “Një pjesë e subjekteve politike kanë transparencë dhe llogaridhënie të pjesshme, kurse pjesës tjetër iu mungon tërësisht. Në vija të trasha nuk mund të themi se kanë një emërues të përbashkët të gjitha subjektet politike, por ka elemente që i bashkon të gjitha subjektet politike në keqpërdorimin e parasë publike. Mund të arrijmë në konkluzion se nuk kemi transparencë dhe llogaridhënie të mjaftueshme, duhet kohë dhe përkushtim i subjekteve politike për të respektuar ligjin në fjalë”, u shpreh ai. “Disiplinimi i subjekteve politike mund të ndodhë vetëm përmes rrugëve ligjore, duke përdorur masa ndëshkuese konform ligjit. Kjo është rruga më e mirë që subjektet politike mundë t’i vendosë në binarë ligjorë. Nga vetë fakti i mosraportimit konform ligjit është për të dyshuar se subjektet politike janë të financuara në mënyrë ilegale, duke e shkelur ligjin në mënyrë tinëzare”, vijoi më tej Ahmeti për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)