Bllokohet heqja e haraçit me policat kufitare
Që nga paslufta e deri më sot, mërgimtarët tanë që vijnë me vetura në Kosovë po detyrohen të paguajnë haraç në kufijtë e vendit, përmes sigurimit të detyrueshëm të automjetit. Për Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), arsyetimi është se ky sigurim “ekstra” paguhet pasi Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila rrjedhimisht e ka pamundësuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane që siguron Kartonin e Gjelbër, si polica ndërkombëtare e sigurimeve kufitare për shtetet e Evropës.
Mirëpo, sipas deputetëve të Kuvendit nga pozita e opozita, por edhe sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo nuk është arsyeja e vërtetë se përse qytetarët u zhvaten mbi 200 milionë euro,vetëm për të mbushur xhepat e pushtetarëve të inkriminuar dhe mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, njëkohësisht edhe përfitues të qindra milionave nga qytetarët.
Andaj, sipas njohësve të kësaj fushe, janë pikërisht shifrat marramendëse prej 200 milionë euro, arsyeja që Kosova mbetet jashtë Kartonit të Gjelbër dhe atë qëllimisht. 200 milionë euro, është vlera e pagesave, që janë bërë nga mërgimtarët tanë, të cilët edhe pse kanë polica sigurimi për tërë Evropën, gjithnjë në kufi, para se të hyjnë në Kosovë, i janë nënshtruar edhe një pagese shtesë. Sipas analistëve, nga këto para, së paku 120 milionë euro si përfitime të kësaj industrie të sigurimeve përfunduan në kthetrat e mafio-oligarkëve dhe pushtetarëve të inkriminuar. Këtë e lejoi shteti i kriminalizuar këtë hajni të hapur për tërë këtë periudhë për llogari të mafio-oligarkëve të kriminalizuar dhe pushtetarëve në ortakëri me ata.
Analistët, ndërkaq, alarmojnë se si është dëmtuar diaspora jonë 200 milionë euro, dhe të cilës i kemi kaq shumë borxh, ndërsa dëmet janë edhe te qytetarët kosovarë, të cilët në pamundësi për të shfrytëzuar Kartonin e Gjelbër është dashur të paguajnë shumëfish më shtrenjtë për të udhëtuar jashtë vendit. Analistët thonë se mbetet një mister se ku kanë përfunduar këta qindra miliona euro, edhe pse merret lehtësisht me mend se pushtetarët e të gjitha partive kanë qenë në mesin e përfituesve. Sipas ekspertëve, kjo është pikërisht një super zhvatje edhe arsyeja se përse licencat për kompanitë e sigurimeve u jepen vetëm rrjetit të mafio-oligarkëve të lidhur me pushtetarët e inkriminuar.
Dreshaj: Kartoni i Gjelbër mund të rregullohet për një javë Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Gani Dreshaj (AAK) për gazetën “Kosova Sot” tha se nuk ka dyshim se kjo është një zhvatje e qytetarëve tanë nga jashtë. “Andaj, edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka premtuar se do të merret me këtë çështje, por neve si subjekt i kemi vetëm 11 deputetë. Partnerët e koalicionit e kushtëzojnë këtë, sepse ka interesa personale, ndonëse mendoj se çështja e Kartonit të Gjelbër mund të rregullohet për një javë. Por, kjo çështje do të rregullohet, por sivjet nuk ka mundur të bëhet më shumë nga kryeministri, sepse po duket qartë se në Qeveri dikush ka interesa personale që mos të bëhet kjo çështje. Pra, ka zgjedhje, sepse nevojiten vetëm 3-4 milionë euro që t’i garantojë Qeveria për këto fonde, e në anën tjetër qytetarët tanë paguajnë 30- 40 milionë euro pagesa”, u shpreh ai. ” E lus z. Kadri Veseli që të kryhet kjo çështje, përkatësisht ky kurth që po u bëhet bashkatdhetarëve. Sepse, nëse ka dëshirë kjo punë mund të kryhet sikurse që unë kam dëshirë ta bëjë këtë. Nuk është krejt puna vetëm tek leku që po detyrohemi të paguajmë, por edhe te nënçmimi që po na e bënë pushteti ynë me këto pagesa, sepse ne Kosovës i sjellim me qindra miliona euro në një vit”, potencoi ai.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori i opozitës, Ali Lajçi (L.VV), për gazetën “Kosova Sot”, tha se ndonëse Kuvendi e ka miratuar një Rezolutë për bashkatdhetarët tanë për lehtësimet e hyrjen në Kosovë, por pushtetarët e tashëm nuk po i respektojnë Rezolutat e Kuvendit. ” Rezoluta ka të bëjë me lehtësime në kufi, por jo edhe me pagesat. Për pagesat e Kartonit të Gjelbër ka gjasa që të hiqet dhe neve si opozitë do të insistojmë që të hiqet kjo taksë”, theksoi ai. Byroja punon për mafio-oligarkinë Eksperti i Integrimeve Evropiane në fushën e ekonomisë, Nëntor Shaqiri, për gazetën “Kosova Sot”, tha se, edhe pse Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, ekzistojnë disa alternativa për lëshim të Kartonit të Gjelbër për qytetarët e Kosovës. “Lëshimin e Kartonit të Gjelbër për Kosovën mund ta bëjë një prej shteteve të BEsë, prej të cilave Austria tanimë është deklaruar se do ta bëjë këtë. Ekziston edhe alternativa tjetër, që institucionet e Kosovës të arrijnë marrëveshje veç veç me çdo shtet e BEsë”, u shpreh ai. Sipas Shaqirit, deri më tani nuk është bërë ndonjë përpjekje nga institucionet gjegjëse që të arrihet ndonjë marrëveshje me ndonjë nga anëtarët e Kartonit të Gjelbër, tek të cilat ekziston vullnet për ta ndihmuar Kosovën në këtë aspekt.
Kjo është një zhvatje e bashkatdhetarëve tanë nga ana e grupeve të interesit që janë në pushtet”,tha Ali Lajçi për “Kosova Sot”
“Është dashur që Qeveria të diskutojë me mërgimtarët dhe së bashku të gjendet një zgjidhje e pranueshme”, tha Artan Haziri për “Kosova Sot”
“Është për t’u habitur se përse Prokuroria nuk e ka hetuar këtë skenar dhe skema të tjera plaçkitëse, dhe t’i sjellë përgjegjësit para përgjegjësive. Por, ajo hesht dhe në heshtje bëhen këto plaçkitje të pandalshme, meqë s’ka kush që t’i ndalojë këto ‘marifete’ jashtëligjore”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot”
Eksperti i ekonomisë, Artan Haziri, për gazetën “Kosova Sot”, tha se çdo vit bashkatdhetarët, të cilët hyjnë në territorin e Kosovës me targa të huaja, duhet të paguajnë sigurim kufitar shtesë për automjetet e tyre, sepse Kartoni i Gjelbër nuk u vlen në Kosovë. “Mafio- oligarkia e Kosovës në çdo aspekt dëshiron ta plaçkitin këtë popull. Të gjitha qeveritë, njëra pas tjetrës, e vazhduan këtë politikë të mbrapshtë. Nëse dëshirojmë që me diçka t’i respektojmë mërgimtarët, të mos i zbrazim xhepat e tyre me këtë pagesë. BKS-ja qëllimisht e zvarrit anëtarësimin në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër që me çdo kusht të shtojë pasurinë e mafio- oligarkisë”, potencoi ai. Mekanizmi anti-diasporë Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj tha për “Kosova Sot”, se me këtë trajtim që po u bëhet mërgimtarëve nga ana e pushtetit në Kosovë, është e pafalshme dhe njeriu i bën pyetje vetë ku po e gjejnë atë vullnet mërgimtarët që të vijnë në Kosovë. “Kjo garniturë dhe kjo mafio-oligarki e instaluar në vend nuk kanë disponim që të zgjidhin këtë çështje që vjelin djersën e mërgimtarëve tanë. Është për të ardhur keq që në Kosovë është instaluar një sistem parajsë për mafio-oligarkinë në vend, ndërsa ferr për qytetarin rezident si dhe mërgatën, falë këtyre kategorive sot ekzistojmë si shtet dhe kjo mafio-oligarki vjel djersën e tyre”, u shpreh ai.
Analisti i fushës së financave Xhevat Meha, për “Kosova Sot”, tha se policat e sigurimit në kufi për veturat e mërgimtarëve i sheh si një mekanizëm i ndërtuar dhe i mbajtur në funksion nga Shërbimi Sekret Serb për veprim me shumë efekte:1) Goditja e mërgatës shqiptare – tarifat e paguara nga mërgimtarët për këto sigurime nuk kanë kurrfarë arsyeshmërie në sigurimin e automjeteve të mërgimtarëve, janë thjesht grabitje e mërgimtarëve si goditje dhe vendosje e barrierave në kthimin e tyre në Kosovë. 2) Fuqizimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, këto tarifa të policave të sigurimit duke mos pasur arsyeshmëri në sigurimin e automjeteve, nuk janë gjë tjetër veçse një skemë për fuqizimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kjo si një nga programet kryesore të veprimit të Sigurimit Serb në Kosovën e pasluftës së fundit. 3) Shpërblim për individë dhe grupe të caktuara – SHSS-të me program dhe jo në mënyrë stihike fuqizojnë individë dhe grupe të caktuara në Kosovë si shpërblim për kontributin e tyre.
Zhvatje qindra milionëshe Analisti Bislim Aliu, për ” Kosova Sot”, tha se me të vërtetë është një detyrim i keq, që mërgimtarët tanë sa herë që vijnë me vetura në Kosovë, duhet të paguajnë haraç në kufi, përmes sigurimit të detyrueshëm të automjeteve. “Megjithatë, a është arsyeja reale kjo, meqë qytetarët u zhvatën mbi 200 milionë euro, vetëm për të mbushur xhepat e pushtetarëve të inkriminuar dhe mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, por edhe përfitime të qindra-milionave nga qytetarët. Sepse, janë pikërisht shifrat marramendëse prej 200 milionë euro, arsyeja që Kosova mbetet jashtë Kartonit të Gjelbër qëllimisht. Ndaj, për këtë pyetemi, a thua, si e lejoi shteti i kriminalizuar këtë hajni të kapur për këtë periudhë, për llogari të mafio-oligarkëve të kriminalizuar dhe pushtetarëve që janë në ortakëri me ata”, u shpreh ai. “Diaspora është dëmtuar 200 milionë euro, të cilës ne i kemi shumë borxh. Tashmë dihet se ku kanë përfunduar këto qindra miliona euro, edhe pse lehtë mund të marrim me mend, se pushtetarët e të gjitha partive kanë qenë në mesin e përfituesve. Prandaj, pason pyetja se përse e plaçkitën diasporën, por edhe tërë Kosovën, Kompanitë e Sigurimeve, Byroja e Sigurimeve dhe të gjitha qeveritë e Parlamenti, që lejuan plaçkën në kufi dhe e lejuan Kosovën jashtë Kartonit të Gjelbër”, vijoi më tej Aliu. Sipas tij, kjo super zhvatje, është arsyeja se pse licencat për kompanitë e sigurimeve u jepen vetëm rrjetit të mafio-oligarkëve të lidhur me pushtetarët e inkriminuar.
(Kosova Sot)


