Milionat e dedikuar për bujqësinë po bëhen “rrush e kumbulla”
Përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të fushës së bujqësisë dhe ekspertë të ekonomisë, njëzëri thonë se do të kërkojnë edhe zyrtarisht, sipas detyrës zyrtare, që të bëhet zbardhja ligjore e keqpërdorimeve dhe ndërmarrja e masave adekuate në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke vepruar në pajtim me të gjeturat e ZAP-it në këtë ministri.
Badallaj: “Memli Krasniqi, këngëtari i deridjeshëm i rrugëve, është i zhytur thellë në krim, mirëpo halli është se nuk ka kush ta hetojë”
Përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të fushës së bujqësisë dhe ekspertë të ekonomisë, njëzëri thonë se do të kërkojnë edhe zyrtarisht, sipas detyrës zyrtare, që të bëhet zbardhja ligjore e keqpërdorimeve dhe ndërmarrja e masave adekuate në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke vepruar në pajtim me të gjeturat e ZAP-it në këtë ministri.
Nga të gjeturat e ZAP-it, sipas raportit të fundi të auditimit për 2016, në Ministrinë e Bujqësisë dhe të Pylltarisë, të udhëhequr nga ministri Memli Krasniqi, kanë dalë dyshime të mëdha se i keqpërdori dhe bëri manipulime të mëdha me subvencionet dhe grantet e fermerëve kosovarë. Sipas këtij raporti, konstatohet se MBZHR-ja keqpërdori fondet, ngase sërish, sikurse edhe viteve të kaluara, pati pagesa të dyfishta, pastaj ka pasur keqpërdorime të fondeve për eliminimin e rriqrave, manipulime të mëdha me fondet e subvencioneve dhe granteve të fermerëve kosovarë, e shume shkelje te tjera. Ndërkaq, njëra nga të gjeturat më skandaloze që e bëri ZAP-i ishte verifikimi i rastit, sipas të cilit dëshmohet se si komisioni i pranimit kishte pranuar shërbimet në vlerë 442.920 euro për 2.229 hektarë të spërkatur kundër eliminimit të rriqrave vdekjeprurëse, duke u bazuar vetëm në të dhënat e ofruara nga pajisjes GPS të OE-së, pa i verifikuar ato fare në terren, thuhet në raport. Pastaj e gjetur tjetër e ZAP-it ishte edhe ajo se AZhB-ja kishte identifikuar tre (3) përfitues të granteve për investime në asetet fizike – Sektori i përpunimit të pemëve dhe perimeve, që nuk i kishin kryer investimet në vlerë 215.302 euro (50 për qind të grantit) brenda afatit të caktuar.
Sindikata drejton gishtin nga kreu i Ministrisë
Lideri i Sindikatave të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, tha për “Kosova Sot” se më herët kanë pasur një bashkëpunim shumë të mirë me këtë ministri, duke qenë pjesë e komisioneve për verifikimin e subvencioneve dhe granteve.”Mirëpo që në vitin 2013 ne si sindikatë i kemi parë ato shkelje dhe keqpërdorime të mëdha të atyre mjeteve që po ndaheshin dhe shih për këtë menjëherë kemi filluar që të ankohemi tek zyrtarët e kësaj ministrie dhe veç asaj ne këto shkelje e keqpërdorime të granteve e subvencioneve, që po bëheshin nga zyrtarët e kësaj ministrie, i kemi bërë publike përmes konferencës për media dhe duke filluar nga ai vit ka filluar prishja e marrëdhënieve tona me Ministrinë e Bujqësisë, por edhe refuzimi i krerëve të kësaj ministrie që të bashkëpunojnë me ne si sindikatë”, theksoi ai. “Me gjithë këto prishje të marrëdhënieve tona, prapëseprapë ne i kemi përcjellë punët e kësaj ministrie, ngase ndërkohë ne e kemi zgjeruar rrjetin tonë sindikal në tërë Kosovën. E keqja është se në këtë ministri gjendja nga viti në vit nuk është përmirësuar, ngase atje gjendja po vazhdon që të jetë katastrofaale, sepse akoma po ka keqpërdorime të jashtëzakonshme dhe madje këtë po e dëshmojnë edhe shkrimet e bëra në gazetën tuaj, por edhe të gjeturat e ZAP-it”, u shpreh më tej Tahiri.
Sipas tij, ZAP-i i ka paraqitur vetëm disa raste minore.”Kryekëput atje po keqpërdoren me të madhe subvencionet dhe grantet. Një numër i madh i bujqve që po bashkëpunojnë me këtë ministri janë vetëm disa militantë të partisë në pushtet (PDK), të partisë së ministrit Memli Krasniqi, që po e udhëheq atë ministri. Kjo ngase hulumtimet tona në këtë ministri tregojnë se në Kosovë nuk po mbillen me qindra e mijëra hektarë tokë dhe në të njëjtën kohë për ato toka djerrina merren subvencione bujqësore dhe nga këto po përfitojnë vetëm disa bujq dhe disa zyrtarë të kësaj ministrie, edhe pse tokat janë djerrina, ngase ata e ndajnë ‘tallin’ në mes tyre”, deklaroi Tahiri.
Dyshime për krim të organizuar
Tahir Tahiri foli edhe për regjistrat e vonuar që bëhen qëllimshëm, duke thënë se mbas kësaj kohe ministria i ndan edhe mjetet e subvencioneve dhe të granteve. “Po ashtu kemi raste kur fare nuk ndërtohet stalla, kurse bujku i merr fondet, sikurse që ka pasur raste kur mekanizmi bujqësor ndahet dhe merren vetëm faturat e nuk verifikohen fare nga zyrtarët e kësaj ministrie. Ka raste të keqpërdorimit të granteve për pemë dhe pemishte, ku një sasi e pemëve është ndarë, kurse 80 për qind e granteve merren e projekti nuk implementohet fare”, theksoi ai. “Ndonëse kemi bërë presion tek ministri, Memli Krasniqi, për këto gjëra që po ndodhin dhe të njëjtin e kemi informuar edhe me shkrim për vjedhjet e keqpërdorimet që po vazhdojnë, duke kërkuar sërish të kemi bashkëpunim e të ndërmarrim së bashku masa, por kjo ka qenë e kotë, ngase ministri Memli Krasniqi as që ka dashur që të dëgjojë fare për ne. Kështu që kjo është parë se ka pasur ka dhe vazhdon që të ketë keqpërdorime në këtë ministri me subvencione dhe grante dedikuar bujqësisë”, u shpreh Tahiri.”E tërë ajo që po ndodh në Ministrinë e Bujqësisë është një krim i organizuar dhe çuditemi se si po ndodhin këto gjëra para syve të drejtuesve të institucioneve të shtetit dhe prokurorisë dhe ato po heshtin”, potencoi ai.
Joprofesionistët e morën në qafë sektorin bujqësor
Analisti Florim Zeqa, për gazetën “Kosova Sot”, tha se përderisa për Blerand Stavilecin, ish-ministrin e Bujqësisë, thuhej se çokollatat “Milka” e kanë bërë të dashurohet në bujqësi, për Memli Krasniqin ndoshta derisa bredhte me “Ritmin e rrugëve” aty pari të ketë kaluar ndonjë qerre kuajsh e mbushur me tranguj, domate, patate, lakra e çka jo tjetër. “E fillova kështu me këtë metaforë, për të ilustruar faktin e hidhur se nga viti 2007 e deri në ditët e sotme Ministria e Bujqësisë është udhëhequr nga njerëz joprofesionistë, gjysmakë dhe të paditur në profesionin e tyre”. Kështu, sipas Zeqës, në vazhdimësi Ministria e Bujqësisë është udhëhequr nga adoleshentë politikë, joprofesionistë dhe keqpërdorues ordinerë të parasë publike. “Njëri ndër ta është edhe Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë në Qeverinë në largim. Supozohet se ministri në fjalë ka manipuluar me subvencionet dhe grantet e fermerëve kosovarë”. Ai thotë se këtë e vërteton raporti i ZAP-it, i cili konstaton parregullsi të shumta në Ministrinë e Bujqësisë që udhëhiqet nga Memli Krasniqi, duke filluar nga keqpërdorimi i fondeve të etheve hemorragjike dhe eliminimi i rriqrave, manipulimet e mëdha me fondet e subvencioneve dhe granteve të fermerëve kosovarë, me pagesa të dyfishta e shume shkelje të tjera. Analisti Zeqa thotë se, bazuar në keqpërdorimet e shumta në sektorin e bujqësisë dhe joprofesionalizmin e ministrave në mesin e popullatës është krijuar bindja se drejtuesit e Qeverisë këtë e kanë bërë me qëllim të shpëlarjes së parave të vjedhura nga buxheti i shtetit.”Kjo ka bërë që të bjerë interesimi i bujqve dhe blegtorëve për të ushtruar profesionin e tyre në këtë sektor primar, do të thosha jetik për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, ka vlerë- suar Zeqa për “Kosova Sot”.


