MASHT-i gaboi me 9.2 milionë eurot e teksteve
Zyrtarët e Zyrës së Auditorit të Përgjithëshëm kanë publikuar Raportin e Punës së MASHT-in për vitin 2016. Në raport, në mes të tjerash, thuhej se procesi i vetvlerësimit dhe përgjigjja ndaj rekomandimeve të vitit paraprak nuk po adresohen ashtu siç kërkohet për zhvillimin dhe përmirësimin e organizatës.
Pasuritë kapitale janë të mbivlerësuara për rreth 13 mil euro. Kjo ka ndodhur për faktin që shkollat e ndërtuara nga MASHT-i, pas finalizimit, nuk ishin transferuar te komunat që janë edhe pronare të atyre shkollave.Raporti i auditimit për PFV-të e MASHT-it të vitit 2015 ka rezultuar në 26 rekomandime. Deri në fund të auditimit tonë për vitin 2016, shtatë (7) rekomandime janë zbatuar plotësisht; 15 janë në proces të zbatimit dhe katër (4) tjera nuk janë zbatuar ende. Në raportin e ZAP-it thuhet se Ligji nr.04/L- 032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës obligon MASHT-in që të ofrojë falas tekstet shkollore për nxënësit e nivelin I dhe II të arsimit parauniversitar. Bazuar në këtë, MASHT-i në vitin 2016 kishte buxhetuar dhe shpenzuar 9.259.452 euro. Mjetet për këto tekste ishin trajtuar gabimisht si Investime Kapitale në vend se të trajtohen si Subvencione dhe Transfere, edhe përkundër kërkesave të MASHT-it drejtuar MF-së, që këto mjete të mos trajtohen si investime kapitale. Këto shpenzime ishin regjistruar në regjistrin e pasurive duke mbivlerësuar vlerën e pasurive të shpalosur në PFV.
Stoqet e librave nuk u deklaruan
Bazuar në Ligjin nr.04/L-032 Për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, MASHT-i ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ (MASHT) nr. 13/2016 Pajisja e Nxënësve me Tekste Shkollore, Përdorimi dhe Ruajtja e Tyre, i cili bie ndesh me Ligjin në fjalë. Ky Udhëzim i obligon nxënësit-prindërit që t’i ruajnë dhe t’i kthejnë tekstet në fund të vitit shkollor, derisa Ligji potencon që tekstet jepen falas. Edhe brenda vetë ligjit ka kundërthënie, ngase në njërën anë precizon që tekstet jepen falas dhe në anën tjetër e obligon MASHT-in që të nxjerrë Udhëzim të veçantë për shpërndarjen dhe ruajtjen e tyre. Paqartësitë ligjore rreth procesit të furnizimit me tekste shkollore shkaktojnë konfuzion tek nxënësit/prindërit në lidhje me obligimin për t’i ruajtur apo për t’i kthyer tekstet. Njëkohësisht kjo e vështirëson edhe menaxhimin e procesit të furnizimit dhe shpërndarjes së teksteve shkollore. ZAP-i thotë se ministri duhet të iniciojë rishikimin e Ligjit nr.04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe, me qëllim të shmangies së paqartësive rreth furnizimit dhe trajtimit të teksteve shkollore. Gjithashtu, duhet të rishikohet Udhëzimi Administrativ (MASHT) nr. 13/2016, me qëllim të thjeshtimit dhe qartësimit të procesit. Komisioni për verifikim dhe shpërndarjen e teksteve i krijuar me datë 07/07/2016, kishte kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) që të deklarojnë tekstet shkollore të deponuara (të pa shfrytëzuara) si dhe kërkesat e reja për vitin shkollor 2016/2017. “Ne kemi vërejtur se me rastin e paraqitjes së kërkesave për furnizim me tekste shkollore, DKA në Drenas, Malishevë, Prizren, Rahovec, Ferizaj dhe Viti, nuk i kishin deklaruar fare stoqet. Mos deklarimi i stoqeve, mund të ndikoj në rritjen e kërkesave për tekste shkollore në krahasim me nevojat reale, dhe në rritje të panevojshme të shpenzimeve”, thuhet në raport.
3.2 milionë të hyra, më pak se plani
Të hyrat e planifikuara ishin 3.990.829 EURO, derisa gjatë vitit 2016 ishin arkë- tuar 3.222.790 EURO. Krahasuar me vitin 2015 kishte rritje të të hyrave për 11 për qind, por në krahasim me planin vjetor, realizimi ishte 81 për qind e planit. Në mosrealizimin e planit të të hyrave ka ndikuar ndër të tjera edhe heqja e tarifës për pagesën e testit të maturës nga maturantët. Të hyrat e lejuara për shpenzim në këtë vit ishin 1.868.948 euro, derisa janë shpenzuar nga të hyrat aktuale 1.454.985 euro pjesa tjetër e të hyrave shkon në Buxhetin e Kosovës. Buxheti final në raport me buxhetin fillestar ishte rritur për 4.139.317 euro. Kjo rritje ka ndodhur si rezultat i rishikimit të buxhetit dhe vendimeve të mëvonshme Qeverisë për ndryshime buxhetore. Në vitin 2016 MASHT-i ka përdorur 96 për qind të buxhet final ose 47.892.635 euro, me një përmirësim prej 5 për qind krahasuar me vitin 2015. Buxheti final për paga dhe mëditje është rritur për 724.682 euro në krahasim me buxhetin fillestar. Buxheti për mallra dhe shërbime, fillimisht ishte zvogëluar me rastin e rishikimit të buxhetit për 930.980 euro, derisa me vendime të mëvonshme të Qeverisë ishte rritur për 1.081.088 euro. Këtu përfshihet transferimi i shumës prej 213.300 euro nga subvencionet në mallra dhe shërbime (për kompensimin e komisioneve të përfshira në vlerësimin e testit të maturës), si dhe nga të hyrat vetanake të bartura shuma prej 450.572 euro dhe nga donacionet 722.182 euro. Në fund kishte zvogëlim të buxhetit në vlerë 404.956 euro. Buxheti final për shërbime komunale ishte zvogëluar për 138.526 euro në krahasim me buxhetin fillestar. Buxheti për subvencione dhe transfereve fillimisht ishte rritur me rishikim të buxhetit për 207.130 euro, ndërsa më vonë është zvogëluar për 635.120 euro. Shpenzimet në ketë kategori ishin 99 për qind e buxhetit final .Buxheti për Investime Kapitale, me rishikim të buxhetit ishte zvogëluar për 1.526.327 euro dhe më pas me vendime të qeverisë ky buxhet është rritur për 4.994.426 euro. Pjesa më e madhe e rritjes së buxhetit (3.149.524 euro) ishte bërë për mbulimin e shpenzimeve të blerjes së librave për nxënësit e klasave 1-9. Në fund realizimi i buxhetit të investimeve kapitale ishte 97 për qind e buxhetit final.
Profesorët paguhen pa realizuar normën
Të gjitha universitetet publike të cilat funksionojnë në kuadër të MASHT-it, i kanë hartuar Rregulloret për të Ardhurat Personale të stafit derisa si model është marrë Rregullorja për të Ardhurat Personale e Universitetit të Prishtinës. Këto rregullore parashohin, mënyrën e kompensimit të personelit akademik, duke u bazuar në kushte dhe kritere të caktuara për stafin. “Gjatë auditimit të pagave të stafit akademik, në gjashtë (6) Universitete, ne kemi hasur në shumë raste ku rregulloret për të ardhurat personale nuk janë zbatuar. Kjo ka reflektuar në çështjet në vijim: Në katër raste në UPZ dhe në një rast në UHZ nuk ishte mbajtur norma e plotë e orëve mbi normë, derisa kompensimi ndaj profesorëve ishte bërë i plotë. Rregullorja parasheh që kompensimi të mos bëhet në rast të mos plotësimit të norms. Në tre (3) raste në UMIB kemi parë se profesorët paguhen në avanc, (psh për orët mbinormë të muajit dhjetor, profesorët kompensohen po në muajin dhjetor, përderisa sipas rregullores për pagat, kompensimi duhet të bëhet në muajin pasues në bazë të dëshmive për mbajtjen e atyre orëve). Nga testimi i listave të vijueshmërisë në Universitete, kemi gjetur nëntë (9) raste në UPz, katër (4) raste në UKZ, ku listat e vijueshmërisë së studentëve në ligjëratë nuk vërtetohen nga personi i autorizuar i fakultetit. Mos vërtetimi i listave nga zyrtarët e autorizuar lë hapësirë për dyshim në mbajtjen e orëve nga mësimdhënësit. Duhet të theksohet që UPz, pas rekomandimit tonë, në tremujorin e fundit të vitit 2016, është angazhuar në përmirësimin e kësaj mangësie; · Nga 52 mostrat e testuara në UPz dhe UHZ, në dy (2) raste në UHZ, dhe në gjashtë (2) raste në UPZ kemi vërejtur se profesorët nuk shënojnë fare orën e mbajtjes së ligjëratës, e disa të tjerë shënojnë vetëm fillimin e orës së mbajtjes së ligjëratës, përderisa zyrtarët përgjegjës për kalkulimin e orëve të mbajtura e bëjnë kalkulimin pa ato dëshmi. Në dy (2) raste kemi vërejtur që profesorët nuk e kanë plotësuar në tërësi fondin e orëve të parapara për mësimdhënie, dhe të njëjtët janë kompensuar me pagë të plotë. Në një rast profesori kishte mbajtur vetëm katër (4) orë mësim më pak, dhe rasti tjetër profesori gjashtë (6) orë më pak mësim, derisa kanë marrë pagën e plotë. Sipas rregullores mos mbajtja e orëve penalizohet me heqje të pjesshme të pages”, thekson raporti./kosova sot/


