Eko Higjiena

Sistemi mega-korruptiv çmontohet vetëm me një vetting

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Analistët dhe ekspertët e fushës së drejtësisë, duke parë nivelin ekzistues të sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë, e vlerësojnë në pikën zero këtë sistem, pasi që Kosova edhe nuk po e ndërton një sistem efikas të hetimit të pasurisë, sidomos të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të dyshuar për korrupsion dhe involvim në krim të organizuar.

Analistët shtrojnë pyetjen se çfarë drejtësie mund të ndajnë prokurorët e gjyqtarët, të cilët kanë akumuluar pasuri të mëdha përmes rrugëve korruptive e kriminale dhe në asnjë mënyrë nuk mund të justifikojnë pasurinë, ngase janë pjesë aktive e sistemit korruptiv të instaluar në institucionet e shtetit e të inkriminuara me krimin e organizuar në Kosovë.

Sundimi i ligjit do të jetë vetëm një ëndërr

Eksperti i kësaj fushe, ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, thotë se kjo çështje ka mbetur e tillë në mungesë vullneti, por kjo lëmi mund dhe duhet të rregullohet.”Me sigurimin e bazës juridike do të paraprinin shumë probleme që do t’i kemi me vetting-un e mundshëm. Në fuqi aktualisht është Ligji për deklarimin, kontrollin dhe prejardhjen e pasurisë… Mirëpo derisa pjesa e deklarimit është rregulluar mirë, pjesa e kontrollit ka nevojë për ndërhyrje serioze, kurse pjesa e prejardhjes nuk është rregulluar fare. Në asnjë pjesë të ligjit nuk përmendet vërtetësia e prejardhjes. Tani është duke u spekuluar se edhe ky ligj do të amandamentohet. Unë jam skeptik se do të ketë progres, sepse këtë e bazoj në punën e keqe që është bërë me amendamentimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit. Nga një ligj mirë të aplikueshëm e kemi një ligj krejtësisht jofunksional. Lëmi e vërtetësimit dhe kontrollit të pasurisë duhet të rregullohet me amendamentimin e Ligjit për deklarimin e pasurisë apo me Ligjin Antimafia”, thekson Preteni për gazetën “Kosova Sot”. Sipas tij, kjo nuk është punë e vështirë, por duhet të ketë vullnet politik,vullnet real e jo deklarativ.

KAPITI: NYJA E KRIMIT ZGJIDHET VETËM ME LIGJIN E VETTING-UT

Analisti dhe eksperti i fushës së drejtësisë, Skënder Kapiti, thotë se kjo nyje e krimit zgjidhet vetëm me Ligjin e VETTING-ut.”Krimi i organizuar nga politika, pushteti dhe drejtësia në bashkëpunim me krimin ordiner, me korrupsionin, me paranë, me medien dhe me biznesin e hajninë, janë sistemi që ka kapur shtetin në Kosovë, si dhe e ka infektuar dhe paralizuar shoqërinë civile. Shteti që është kapur dhe drejtohet nga injoranca dhe injorantët, nga amoraliteti antiligjor, antihuman, shpirtligësia dhe egoizmi, nuk u shërben me qytetarëve, por kliptokracisë së regjimit politik. Ky sistem mega-korruptiv gjithë-institucional duhet të çmontohet me një reformë të thellë ligjore, apo me saktë duhet një revolucion demokratikligjor gjithëpërfshirës apo një VETTING rrënjësor ligjor, moral, social, edukativoarsimor, politik, ekonomik, diplomatik etj., në mënyrë që sistemi, shteti, drejtësia dhe demokracia, të fillojnë të marrin frymë lirshëm. Drejtësia realisht ka dështuar dhe pasoja e këtij realiteti është keqfunksionimi i shtetit dhe i shoqërisë”, theksoi Kapiti për “Kosova Sot”.

MIFTARI: BOSËT E NËNTOKËS JANË PO TË NJËJTIT POLITIKANË QË KONTROLLOJNË SHUMICËN E MEDIEVE

UBT

Sipas ekspertit të fushës së sigurisë, Naim Miftari, krejt problemi në fjalë qëndron pasi shteti është i kapur dhe i kontrolluar komplet nga duart e nëntokës politike te ne, prandaj nuk do të ketë sukses asnjë tentim individual apo tentim vetëm i një institucioni, pasi sistemi komplet është i kontrolluar nga nëntoka.”Dhe, të mos harrojmë ta cekim se në nëntokën e krimit të organizuar fjalën kryesore e kanë politikanët e fuqishëm, por edhe shumë të korruptuar të Kosovës dhe shumë të kriminalizuar. Pastrimin e krimit të organizuar e bën vetëm ligji, por kur janë edhe ligjet në dorë të mafisë, ku bosët e nëntokës janë po të njëjtit politikanë që kontrollojnë shumicën e medieve dhe veten e quajnë shtetformues dhe patriotë të mëdhenj e luftëtarë. Ky pastrim nuk mund të bëhet, sepse dhe nëse i kundërshton këta mafiozë, ata të etiketojnë si tradhtarë, si antiamerikanë dhe si antievropianë, pra të shpallin të jashtëligjshëm, edhe pse si individë s’ke bërë kurrë shkelje ligjore. Prandaj, po e them se derisa këto parti pushtetare dhe të korruptuara udhëhiqen nga klanet e brendshme parapolitike dhe deri në palcë e kontrollojnë çdo institucion, është e pamundur që të sundojë shteti i mirëfilltë ligjor. Nuk mund të ndodh kjo që të sundojë drejt dhe të punohet sipas rregullave ligjore derisa i kemi Qeverinë, Parlamentin, policin, prokurorin, gjyqtarin, mjekun e profesorin e korruptuar dhe të kontrolluar nga parasistemet mafioze e politike. Pra, nuk do të ketë kështu funksionim të shtetit dhe të ligjit. Sundimi i ligjit do të jetë vetëm ëndërr jona apo utopi, vetëm duke derdhur kot fjali, por jo edhe veprime në praktikë”, theksoi analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Kosova po rrëshqet në anarki

Profesori i së drejtës, Blerim Burjani, thotë se duke mosfunksionuar shteti ligjor Kosova po rrëshqet në anarki.”Për shkak të vendosjes së sistemit anarkik e jo sundimit demokratik po ndodh që i tërë sistemi funksional shtetëror është shndërruar në mundësi pasurimi të pabazë, për shkak se shteti është shndërruar në përfitim të paligjshëm, duke shndërruar tërë ekonominë publike në duart e përfituesve analfabetë funksionalë, që nuk janë për kurrgjë, por e kanë kapur shtetin plotësisht. Kështu që edhe gjyqtarët dhe prokurorët bashkë me politikën e kanë në duar tërë mekanizmin shtetëror. Pra, pa largimin e këtyre matrapazëve që kanë dërguar gjithkund njerëz analfabetë funksionalë, nëpër ndërmarrje publike, madje edhe në PTK për të zhvatë buxhetin, pastaj në aeroport e gjetiu, nuk mund të bëhet fjalë për shtet ligjor.

Ai shton se është koha kur Kosova duhet nxjerrë Ligjin antimafia dhe Vetting-un, sepse herëdokur dikush duhet dhënë përgjegjësi për gjithë këtë pasurim të pabazë dhe të paligjshëm.

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, edhe sistemi i drejtësisë në Kosovë është bërë një fushë tregu të interesave korruptive.”Jemi të vetëdijshëm për gjendjen faktike në sistemin e drejtësisë, e cila ditaditës po krijon komoditetin me pazaret që bëhen me qeveritë e njëpasnjëshme. Marrëveshja interne për rritje pagash të gjyqtarëve e prokurorëve, por edhe stafit qeveritar, është një lojë politike, e cila përveçqë është jashtë kushtetuese dhe e jashtëligjshme, është edhe e pamoralshme e me qëllime tendencioze. Amnistimi i njerëzve të inkriminuar, të cilët janë të politikës apo kanë lidhje me politikën, është shpërblyer me rritje pagash për gjyqtarët e prokurorët”, është shprehur ai.

Ahmeti ka thënë se njëkohësisht me rritjen e pagave duhet të ndodhë një reformë e substanciale në sistemin e drejtësisë, duke filluar nga procesi i vetting-ut për gjyqtarët e prokurorët, inicimi i disa ligjeve të domosdoshme, por edhe plotësimndryshimi i disa ligjeve për t’i plotësuar boshllëqet që paraqiten gjatë proceseve administrative, të cilat vakume ligjore kanë qenë të qëllimshme gjatë hartimit të ligjeve.”Gjykoj se nuk ka vullnet politik për të ndodhur këto ndryshime të domosdoshme, të cilat përveçqë janë obligim qytetar, por janë edhe obligim ndërkombëtar. Kosova ka dy rrugë, për të vazhduar me të njëjtën logjikë të funksionimit të mekanizmave shtetërorë, e cila izolon shtetin, varfëron qytetarët e degradon institucionet dhe rrugën e anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtarë, por duke marrë vendime të dhimbshme për një klientelë të korruptuar politikanësh, por duke shpërblyer qytetarët me një frymë të mirëqenies qytetare e zhvillimit ekonomik”, theksoi analisti Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”. Gazetari i ka dërguar pyetje Ministrisë së Drejtësisë, KGJK-së dhe KPK-së, por nuk ka marrë përgjigje për pyetjet se pse nuk ndërtohen mekanizma efikas për hetimin e pasurisë së pajustifikueshme të gjyqtarëve e prokurorëve.

(Kosova Sot)