KKVITI

Pushteti mafioz po e zbraz Kosovën

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Të pakënaqurit përbëjnë rrezik për qeverinë kriminale

Në dekadën e fundit në veçanti, të pakënaqur me papërgjegjësinë e spektrit politik, shumë qytetarë po e lëshojnë vendin. Analistët e politikës dhe qytetarët thonë se në interesin e kësaj klase politike tërësisht të inkriminuar në Kosovë është që sa më shumë kosovarë të pakënaqur ta lëshojnë vendin. Si mund të shpjegohet ndryshe kur 11 për qind e popullatës së Kosovës, pra afro 200 mijë qytetarë, kanë kërkuar azil së paku një herë në vendet e Bashkimit Evropian gjatë 10 viteve të pavarësisë së Kosovës? Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot” tha se kjo kastë politike përkatësisht ky koalicion që po e udhëheq Kosovën, me theks të veçantë janë të interesuar që të nxjerrin jashtë popullatën. “Interesimi i qeverisë është që këta njerëz ta lëshojnë Kosovën, sepse manipulojnë më lehtë dhe kanë një elektorat stabil që lidhet me zinxhirin e interesave, pra atë të punësimit dhe ata mund ta mbajnë pushtetin e tyre”, shpjegoi ai. Sipas Kelmendit, kjo kastë politike është e keqja më e madhe e vendit.

Improvizimi shkatërrues me shtetin

Analisti politik Arsim Haziri, për “Kosova Sot”, tha se sigurisht se të pakënaqurit të vetmen rrugë e shohin Perëndimin dhe ky trend është në favor të politikës aktuale. “Të ‘kënaqurit’ ose të rehatuarit janë përkrahësit e politikës dhe asisoj politika asnjëherë nuk merr ndëshkim qytetar”, u shpreh ai.”Dhe duke qenë ky fenomen gjithnjë e në zbatim, ndryshimet do të jetë të pamundshme. Kosova më shumë mund të konsiderohet si bashkësi politike, ku bindja më shumë ndërlidhet ndaj patriarkut, jo edhe ndaj normave”, vlerësoi Haziri. “Nuk mund të shpjegohet ndryshe kur 11 për qind e popullatës së Kosovës, pra afro 200 mijë qytetarë, kanë kërkuar azil së paku një herë në vendet e Bashkimit Evropian gjatë 10 viteve të pavarësisë së Kosovës. Ata nuk e kanë bërë këtë nga sefaja që i ka kapluar, por nga mjerimi dhe mungesa e perspektivës në Kosovë”, potencoi ai. Ndërsa eksperti i fushës së drejtësisë, juristi Blerim Burjani, për gazetën “Kosova Sot” tha se kjo gjendje aktuale politike e ka sjellë qytetarin e Kosovës në dilema të mëdha, se çka dhe si të gjendet vetë në mungesë të interesimit të shtetit për mirëqenien sociale. “E tëra ishte një improvizim, gjoja po merren me politikë, mirëpo qytetarin dhe shtetin e sollën në pozitë të keqe dhe të pashpresë zhvatja, pasurimi i pabazë e ka prishur deri më tash shtetin ligjor, ngase ndodhën mjaft probleme të mëdha derisa e tërë politika është koncentruar vetëm në pasurim të pabazë dhe në dialog me Serbinë, kurse e vetmja gjë pozitive që ka ndodhur ishte se Kosova e fitoi këtë pavarësi që e ka sot”, theksoi ai.

Mobi Casa

Qytetarët nuk shohin perspektivë në shtetin e sunduar

Edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer në lidershipin politik kosovar të pasluftës që po i detyron ata që ta braktisin vendin e tyre në mungesë të një ardhmërie. Mehmet Halilaj, një kurbetçi nga Kosova që jeton në Itali, për “Kosova Sot” tha se derisa po shihet puna e këtyre pushtetarëve, të rinjtë tanë do të kërkojnë azil, sepse pushtetarët tanë nuk e çajnë fare hallin për popullin e tyre që po vuan.”Prandaj ata janë të interesuar që të vjedhin sa më shumë, por nuk e di se a ka mbetur edhe diçka pa vjerdhur”, vlerësoi ai.”Në mungesë të perspektivës, të rinjtë tanë po detyrohen që ta braktisin vendin, sepse me këtë klasë politike të korruptuar deri në palcë neve në Kosovë nuk do të shohim ardhmërinë, sepse te ne po na mungon perspektiva…Që 25 vjet jetoj jashtë dhe po të kisha mundësi do të kthehesha menjëherë, por nuk kam se ku, sepse si vendi juaj nuk ka askund në botë, por duhet gjetur zgjedhje për të mbajtur familjen”, theksoi ai. Edhe qytetari tjetër, Arbnor Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se pushtetarët tanë nuk e çajnë fare kokën për ikjen masive të të rinjve nga Kosova.”Në mungesë perspektivës në Kosovë qytetarët tanë po detyrohen që të ikin jashtë vendit, sepse këtu të ardhurat personale janë të vogla. Prandaj, e them lirshëm se ikja e të rinjve tanë nga Kosova është një gjë pozitive për pushtetarët tanë dhe ajo paraqet një lehtësim për ta, sepse më nuk do të ketë kërkesa të qytetarëve për punësime dhe i tërë fokusimi i pushtetarëve tanë do të jetë se si të vjedhin sa më shumë, duke mos e çarë hallin e popullatës që dita-ditës po ikin nga vendi në mungesë të perspektivës”, ka vlerësuar Kelmendi.

(Kosova Sot)