Fundamenti

Shaqiri – shprehjet gjuhësore fetare

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Sinan Sadiku – Nuk ka asnjë dilemë që Shaqiri është një futbollist i madh me të cilin kemi arsye të plotë të krenohemi. Në ndeshjen e Zvicrës kundër Serbisë ai shkëlqeu. Me formimin e shqiponjës me duar, me këpucën në të cilën ishte flamuri i Kosovës, ai u tregua se është atdhetar dhe se e ndien veten krenar që është shqiptar.

Sa i përket përdorimit të shprehjes “Elhamdulilah” mendimi im është si më poshtë.
Në shtetet demokratike secili ka të drejtë t`i përkas, të jetë pjesëtar i një përkatësie fetare. Pra feja është e drejtë personale e secilit, secili mund t`i përkas kësaj apo asaj feje ose të jetë ateist. Shaqiri i përket fesë islame, sikurse edhe prindërit e tij dhe për këtë nuk ka të drejtë t`i përzihet askush, por ka obligim që ta respektojë si të tillë çfarë ka zgjedhur të jetë.

Se a mund të zëvendësohet shprehja arabe “Elhamdylilah” me shprehje të ndryshme shqipe, varësisht nga rrethanat, dihet kjo mund të bëhet. Edhe këtu Shaqiri, sikurse edhe të tjerët ka të drejtë ta zgjedh shprehjen që e përdorë edhe kur ajo nuk është në gjuhën shqipe. Pra këtë askush nuk mund t`ia ndalojë, askush nuk mund ta akuzojë për këtë. Megjithatë njerëzit e tjerë kanë të drejtë të shprehin mendime dhe t`i arsyetojnë mendimet e tyre edhe për këto çështje gjuhësore që në një masë janë të lidhura me kombin, gjuhën kombëtare…

Unë personalisht mendoj që shqiptarët është mirë t`i zëvendësojnë shprehjet fetare të gjuhëve të tjera me shprehje shqipe. Pra mendoj që ata duhet t`i luten Zotit shqip, të mos i luten as arabisht, as greqisht as… pra t`i luten në gjuhën e tyre kombëtare siç veprojnë shumica e popujve të tjerë, veçmas ata të cilët kanë arritur të konsolidohen në të gjitha aspektet.

Fqinjët tanë: serbët, grekët… Zotit i luten në gjuhën e vet amtare (kombëtare) dhe këtu nuk lëshojnë pe, madje as kur është në pyetje gjuha e popujve me të cilët kanë lidhje vëllazërore. Konkretisht serbët në kishë luten në gjuhën serbe e jo në gjuhën ruse edhe pse me rusët kanë lidhje vëllazërore dhe po të mos ishte përkrahje e rusëve nuk dihet a do të ekzistonte fare kombi dhe shteti serb e të mos flasim për një Serbi të zgjeruar në hapësirat e popujve të tjerë (shqiptarë, hungarezë, gjerman…).

Mobi Casa

Nga ana tjetër ne përdorim shprehje arabe edhe pse nga arabët nuk kemi pas kurrfarë ndihme në krijimin dhe ruajtjen e kombit shqiptar, në krijimin e Shqipërisë apo të Kosovës. Madje disa shtete arabe ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Çka është akoma më keq disa Qendra arabe tani janë duke e përdorë paranë dhe duke e keqpërdor fenë për ta kufizuar gjuhën shqipe, për t`i nënçmuar dhe sulmuar vlerat më të çmuara kombëtare shqiptare siç janë: flamuri, tradita, zakonet… për ta rrezikuar identitetin tonë kombëtar.

Populli ynë për shkak të rrethanave të njohura historike shtetin e ka krijuar vonë, madje ende nuk ka arritur ta konsolidojë. Edhe sa ju përket institucioneve fetare akoma nuk ka arritur që atyre t`ua jep një pamje dhe frymë të plotë kombëtare siç kanë arritur serbët, grekët, arabët, turqit,
persianët… Ende nëpër institucionet tona fetare janë me ndikim disa njerëz të cilët janë në shërbim të agjendave të huaja: turke, greke, arabe, sllave…

Nuk kam asnjë dilemë se gjatë procesit të konsolidimit dhe të forcimit e pasurimit të identitetit kombëtar, populli ynë duhet t`i shqiptarizojë plotësisht institucionet e veta fetare. Ky proces duhet të fillojë nga gjuha. E kam fjalën të fillojë të finalizohet sepse dorën në zemër ka filluar moti, por nuk ka përfunduar dhe po shihet se ka rezistenca e pengesa të shumta.

Sa i përket Shaqirit, gjegjësisht shprehjeve të përdorura nga ai, ato janë të atij niveli në të cilin janë shumica e shqiptarëve të përkatësisë fetare islame. Edhe ne që merremi më shumë me çështje të gjuhës, me shkrime nuk e kemi lehtë që në çdo situatë ta gjejmë shprehjen adekuate fetare në gjuhën shqipe e të mos flasim për masat e gjera.
Në këtë fushë mbetet shumë për t`u punuar dhe punën duhet ta kryejnë institucionet siç janë: institutet e ndryshme, duke përfshirë Institutin Albanologjik, universitetet, ku bëjnë pjesë fakultetet filologjike, ato të studimeve islame, pastaj BIK-u, Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare, shkollat, veçmas medresetë etj.