Të shtunën në Gjilan, shënohet dyzetvjetori i shkuarjes në amshim të poetit Rexhep Elmazi
Gjilan – Organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, asociacion alternativ i shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan dhe i mbështetur nga Komuna e Gjilanit, nesër në Gjilan, në sallën e Teatrit të Qytetit, me fillim në ora 12:00, shënohet 40 vjetori i shkuarjes në amshim të atdhetarit dhe poetit gjilanas, Rexhep Elmazit.
Ne Akademinë Përkujtimore , si nderim për figurën e tij letrare e atdhetare, do të paraqitet dhe libri i posabotuar PSHERËTIMË SHIU, me zgjedhje poezish nga trashëgimia poetike e Rexhep Elmazit dhe parathënie të Anton Nikë Berishës.
Auditorit të Akademisë Përkujtimore do t’i drejtohet me një fjalë rasti, kryetari i Komunës së Gjilanit, z.Lutfi Haziri.
Më pas, nga njerëz të thirrur, përveç për veprimtarinë e tij letrare ku pritet të flasin, Anton Nikë Berisha e Hasan Bunjaku, do të flitet edhe për veprimtarinë e tij atdhetare nga kryetari i Shoqatës së ish të burgosurve politikë të Kosovës, z. Hydajet Hyseni e rektori i Universitetit të Gjilanit, z. Bajram Kosumi.
Njëkohësisht do të deklamohen edhe poezi të Rexhep Elmazit, përmes aktorëve Ramadan Kurti e Xhezide Selimi./rajonipress/


