Marjan Dema konfirmon rrezikimin e mbylljes së disa fakulteteve
Rektori i Universitetit “Hasan Prishtina” Marjan Dema në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se disa fakultete të këtij Universiteti si: Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë, Fakulteti i Filologjisë, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit rrezikojnë të mbyllen si pasojë e mungesës së stafit akademik.
Marjan Dema, rektor i universitetit publik “Hasan Prishtina”, ka alarmuar për mungesë të stafit akademik në universitetin më të madh publik në vend.
Madje, ai ka paralajmëruar se Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë, Fakulteti i Filologjisë, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit rrezikojnë të mbyllen.
Gjatë intervistës dhënë “Zëri” rektori Demaj ka folur edhe për politikanët që njëkohësisht janë të angazhuar edhe si profesorë e të cilët për shkak të angazhimeve të mëdha politike thuajse nuk i mbajnë orët fare për të cilat ata paguhen.
Demaj po ashtu ka thënë se studentët të cilët janë pjesë e organizatës “Demokracia Studentore” e kanë akuzuar atë, por deri më tash ata nuk kanë arritur të sjellin fakte për akuzat që i kanë bërë.
Rektori Dema ka njoftuar edhe për një projekt të ri, i cili ka të bëjë me futjen e literaturës dhe të mjeteve tjera për studentët në një program online, ku më pas studentët do të kenë mundësi t’i shkarkojnë më lehtë gjërat që i duhen
Zëri: Si e vlerësoni gjendjen aktuale në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”?
Dema: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UPHP) është duke i kaluar ditët më të mira që nga paslufta. Kjo është arritur me krijimin e një klime të favorshme për ndryshim brenda studentëve, stafit akademik dhe joakademik, dekanëve, menaxhmentit të lartë, si dhe Këshillit Drejtues të këtij institucioni. Për të arritur deri te ky ndryshim pozitiv, në universitetin publik “Hasan Prishtina” janë themeluar shumë qendra dhe zyra profesionale, me anë të të cilave është duke u ndryshuar dhe duke u avancuar mënyra e mësimdhënies dhe e mësimnxënies, është bërë krijimi i një sistemi për hulumtime dhe për thithje të fondeve për projekte të ndryshme nga institucionet financuese, janë bërë hapa të mëdhenj në ndërkombëtarizimin e UPHP-së. E gjithë kjo është bërë me qëllim që të diplomuarit tanë të jenë në gjendje që njohuritë e tyre t’i zbatojnë në jetë në mënyrë kreative, duke e ndihmuar edhe shoqërinë tonë që të krijojë klimë për ndërtimin e një vendi ku të rinjtë do t’i realizojnë ëndrrat e tyre. Të gjitha këto të arritura janë realizuar duke e zbatuar me përpikëri Planin Strategjik të UPHP-së 2017-2019. Në UPHP kemi ndërtuar një sistem të politikave, të normave dhe të rregulloreve, të cilat zbatohen duke u bazuar në vlerat themelore të arsimit të lartë, siç janë: autonomia institucionale, integriteti, llogaridhënia, transparenca, trajtimi i barabartë për të gjitha palët, si dhe përgjegjësia publike.


