Opozita kërkon shkarkimin e ministrave me aktakuza
Deputetët opozitarë kanë kërkuar që të shkarkohen tre ministrat ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Madje opozitarët thonë se qeveria “Haradinaj” ka humbur legjitimitetin dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndonëse në seancën plenare të Kuvendit ishte paraparë që të mbaheshin pesë interpelanca, katër për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe një për ministrin e Shëndetësisë Uran Ismajli, seanca nisi me shqetësimin e opozitës për ministrat ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza.
Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në seancën e së hënës deklaruan se qeveria “Haradinaj” po e humb legjitimitetin dhe ata kanë kërkuar shkarkimin e këtyre ministrave dhe caktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme.
Një kërkesë të tillë të LDK-së e ka mbështetur edhe Lëvizja Vetëvendosje, shkruan më tutje “Zëri”.
Hoti: Ky koalicion ka humbur legjitimitetin
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se nuk pajtohen assesi që ministrat me aktakuzë të qëndrojnë në krye të detyrave.
“Në këtë Qeveri janë tre ministra që kanë aktakuza të ngritura. Është edhe një ministër i cili ka shkelur Kodin Penal duke rrezikuar sigurinë publike, por që është mbajtur në Qeveri me votat e deputetëve të partive në këtë koalicion. Por ne nuk mund të pajtohemi që personat me aktakuzë të vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre zyrtare”, ka thënë Hoti.
Deputetët e kësaj partie kanë kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që t’i lirojnë nga detyra ministrat të cilëve u janë ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale.
Mirëpo kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, këto kërkesa të deputetëve të LDK-së i ka quajtur të ekzagjeruara.


