Fundamenti

Ylli 7.5-milionësh

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Valon Berisha po e shijon sezonin më të mirë në karrierë me 13 gola të shënuara dhe me 13 asistime të realizuara për ekipin e tij, Red Bull Salzburg. Në vitin 2016, kur edhe e kishte lënë Norvegjinë për t’iu bashkuar Kosovës, vlera e kartonit të tij nuk ishte më e madhe sesa 2.5 milionë euro. Kurse sot ai vlerësohet me 7.5 milionë euro. Kjo vlerë pritet të shënojë rritje tjetër pas interesimit që kanë shprehur për të disa klube evropiane, duke përfshirë Lazion e Liverpoolin, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Ishte viti 2016 kur Valon Berisha kishte vendosur të heqë dorë nga Kombëtarja e Norvegjisë për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës. Ishte ky një vendim i vështirë për mesfushorin, i cili zgjedhjen e fundit e bëri me zemër. Dhe, ky vendim i Berishës sikur i solli fat në karrierë. Në të njëjtën kohë karriera e tij nisi të marrë dimension tjetër.

Ende pa u bërë dy vjet nga marrja e atij vendimi karriera e këtij futbollisti ka marrë hov të jashtëzakonshëm. Në vitin 2016 vlera e kartonit të mesfushorit sillej rreth 2.5 milionë euro. Kurse sot ai është lojtari më i shtrenjtë i përfaqësueses kosovare. Kartoni i yllit të Red Bull Salzburgut është shtrenjtuar shumë duke e arritur vlerën prej 7.5 milionë eurosh, shkruan “Zëri”

Paraqitjet e shkëlqyeshme të tij në këtë edicion me Red Bull Salzburgun në kampionatin austriak e mbi të gjitha në Europa League kanë bërë që shumë klube evropiane t’i nisin përpjekjet për ta transferuar në radhët e tyre.

FIDANISHTJA

Madje, ylli i përfaqësueses kosovare tashmë i ka vënë në luftë dy klube të njohura evropiane, Liverpoolin dhe Lazion. Ditëve të fundit raportimet në mediet austriake dhe në ato angleze tashmë po shtohen në lidhje me interesimin e menaxherit të Liverpoolit, Jurgen Klopp, për ta transferuar në skuadrën e tij mesfushorin 25-vjeçar, edhe atë qysh në afatin kalimtar të verës.

Gjithsesi, një lajm i mirë ky për tifozët e gjigandit anglez, por jo edhe për ata të Lazios, ku postin e drejtorit sportiv e mban shqiptari Igli Tare. Ekipi italian po ballafaqohet me Salzburgun në Europa League dhe pas ndeshjes së parë (4:2 për Lazion), në të cilën Berisha e ka shënuar një gol, shkruan “Zëri”.

Tare e lavdëroi Berishën jo pse është shqiptar, por për shkak se tashmë është dëshmuar një futbollist i klasit të lartë. Tare e konfirmoi interesimin e Lazios për ish-futbollistin e Vikingut dhe menjëherë u zbulua “aksioni” i Liverpoolit, i cili qe disa javë po e përcillte nga afër Berishën, i cili e kishte impresionuar gjigantin anglez me paraqitjet e tij në Europa League dhe menjëherë skautët nga Premierliga i vënë kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit.

Kjo paralajmëron një rritje tjetër të vlerës së kartonit të 25-vjeçarit, i cili po e kalon sezonin më të mirë në karrierë me 13 gola të shënuara dhe me 14 asistime të realizuara./Zëri