Nafta miliardëshe rrjedh në xhepat e pushtetarëve
Në Kosovën e pasluftës tregu i derivateve të naftës, por jo vetëm ky treg, po vazhdon të kontrollohet nga mafia oligarkike e kriminale që është e lidhur me pushtetin e tejinkriminuar, ku pushtetarët dyshohet se janë ose pronarë ose që kanë aksione shumicë në këto kompani të mëdha, shumë përfituese të qindra miliona eurove nga tregtimi e trafikimi i derivateve të naftës.
Analistët e ekonomisë dhe specialistët e kësaj fushe dhe drejtues shoqatash pyesin se deri kur do të kemi një treg të tillë të kontrolluar e të sunduar nga krimi i organizuar dhe veç saj edhe me një cilësi tepër të dobët të derivateve të naftës, mungesë të territoreve e hapësirave të lira për të vepruar për të tjerët, pastaj privilegje vetëm për kompanitë e inkriminuara të caktuara të naftës, moskontrollim me rastin e hyrjes e zhdoganimit të këtij produkti, mosfiskalizim të qëllimshëm të këtyre operatorëve ekonomikë, që llogariten me qarkullime prej më shumë se një miliard euro brenda vitit dhe me përfitime prej disa qindra miliona eurosh. Sipas analistëve, ka fakte se madje 97 për qind e naftës që hyn në Kosovë nuk kontrollohet fare, por vetëm bëhet përshkrimi i analizave nga dërguesi. Nga analistët shtrohet pyetja se ku përfundojnë disa qindra miliona euro përfitime në ‘cash’ nga shoqëritë e dyshimta të naftës dhe në të kujt “xhepa e konto bankare” po përfundojnë këto përfitime marramendëse e tepër kriminale. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të MTI-së lidhur me çështjen që trajtohet nga gazeta, përfaqësuesit e kësaj ministrie nuk kanë dhënë përgjigje.
Cilësia, jashtë kontrollit
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim të shkurtër për “Kosova Sot”, tha se sa u përket kontrolleve të cilësisë së derivateve të naftës Dogana e kontrollon atë sipas udhëzimit të lëshuar nga MTI-ja. Ndërsa lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për gazetën” Kosova Sot” tha se e përkrah idenë e MTI-së që e ka iniciuar kthimin e kompetencave për mbikëqyrjen e cilësisë së derivateve nga Doganat e Kosovës te Trupa Inspektuese vendore. “Kështu është edhe në shtetet e rajonit dhe vetëm kësisoj mund të ndërpritet futja e derivateve jocilësore”, potencoi ai. Eksperti i fushës së ekonomisë, Lulzim Beqiri, tha për “Kosova Sot” se fatkeqë- sisht tregu i derivateve të naftës në Kosovë është duke u kontrolluar nga njerëz të politikës dhe për pasojë kemi edhe këtë cilësi të naftës në treg. “Duhet një transparencë më e madhe e kompanive të naftës dhe një kujdes më i madh i Ministrisë së Tregtisë, gjithashtu edhe Doganës, ngase tregu i arit të zi është mjaft i madh në Kosovë dhe nga raportimi i medieve vërejmë se këtu kanë gisht edhe politikanë kosovarë që menaxhojnë me shumicën e kompanive dhe për pasojë kemi edhe këtë nivel të ajrit dhe problemet e vozitësve me makina”, potencoi ai. Sipas analisti Beqiri, është shumë shqetësuese që edhe pas 19 vjetësh të përfundimit të luftës ende ka kaq kontroll dhe gisht në manipulimin me cilësinë e naftës.
Qytetarët të pambrojtur, bizneset selektohen
Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për “Kosova Sot” tha se mossinqeriteti i elitës politike ka arritur deri në atë pikë saqë nuk e pengojnë aktivitetin e njëra tjetrës në bizneset e tyre.”Pra, ata kanë ndarë territore dhe biznese dhe lloje të produkteve zakonisht produkte që konsumohen në mënyrë masive, pra që u sjellin përfitime të mëdha bizneseve të tyre zakonisht duhani dhe derivatet e ngjashme kontrollohen po nga këto biznese që janë të afërta me politikën ose njerëz të politikës”, theksoi ai. “Në vazhdimësi janë ngritur dyshime për kalim të produkteve në doganë saqë në momente të caktuara i ndalin edhe kamerat të kalojnë pa u kontrolluar. Pra, kjo aleancë e korrupsionit sot kontrollon të gjitha institucionet, duke filluar nga doganat, policinë, drejtësinë dhe të gjitha agjencitë për kontrollim të cilësisë si të produkteve ushqimore dhe të derivateve. Pra, këto institucione vetëm sa e legjitimojnë krimin e organizuar ndoshta jo për fajin e tyre, por që janë të shantazhuara, sepse ato pozita për fat jo të mirë i kanë dhuratë po nga kjo mafio-oligarki”, potencoi Kadriaj. “Me këtë katrahurë institucionale çdo ditë po dëmtohet biznesi dhe qytetari i pafajshëm dhe njëherësh i pambrojtur, duke u përballur çdo ditë me derivate jocilësore dhe më e rënda që cilësia e derivateve është e dorës së tretë e të katër, ndërsa në anën tjetër çmimet më të shtrenjta në rajon”, vlerësoi ai.
Tregu i sunduar nga mafio-oligarkët
Analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot” tha se vërtet është për t’u habitur se deri kur do të kemi treg të derivateve që është i kontrolluar dhe i sunduar nga krimi i organizuar. “Ka fakte se madje deri në kuotën 97 për qind e naftës që hyn në Kosovë nuk kontrollohet fare, por vetëm bëhet përshkrimi i analizave nga dërguesi i saj”, theksoi ai. Guraziu shtron pyetjen se përse po hesht Prokuroria e Shtetit kur tashmë po dihet se janë pushtetarët ata që kanë aksione shumicë në këto kompani të mëdha e shumë përfituese të qindra miliona eurove nga tregtimi e trafikimi i derivateve të naftës. Ai tërhoqi vërejtjen se përderisa të kemi mafiozët ekonomikë që janë të lidhur me pushtetin e tejinkriminuar, do të kemi treg të kontrolluar e të sunduar nga krimi i organizuar, cilësi tepër të dobët të derivateve të naftës, do të kemi mungesë të territoreve e hapësirave të lira për të vepruar për të tjerët, do të kemi privilegje vetëm për kompanitë e inkriminuara të caktuara të naftës, do të kemi moskontrollim me rastin e hyrjes e zhdoganimit të këtij produkti. Sipas Guraziut do të vazhdojë edhe një e keqe e madhe me një mosfiskalizim të qëllimshëm të këtyre operatorëve ekonomikë, që llogariten me qarkullime prej më shumë se një miliard euro brenda vitit dhe me përfitime prej disa qindra miliona eurosh.
Qytetarët mos t’i votojnë më hajnat
Ekonomisti Dardan Grapci për “Kosova Sot” tha se arsyeja pse po vazhdon të kontrollohet tregu i derivateve të naftës nga mafia oligarkike është se vetë qytetarët kanë faj, për shkak se janë këta pushtetarët e tashmë dhe ata të mëhershëm të pasluftës që vetë i kemi votuar dhe vetë u kemi dhënë këtë mundësi që të vjedhin në saje të votave tona, ku këta pushtetarë janë bërë të inkriminuar dhe kanë harruar se populli i ka vendosur aty ku janë sot.”Nuk ka asnjë dyshim se pushtetarët janë ata që më së shumti kanë aksione në kompanitë e derivateve të naftës gjithkund në Kosovë, por edhe jashtë vendit”, theksoi ai. Sipas tij, shteti duhet që përmes policisë kufitare të mos lejojnë që të hyjnë në Kosove derivatet ilegale nga Serbia apo nga ndonjë shtet tjetër fqinj. “Po u vazhdua me avazin e vjetër sërish edhe me këtë qeveri do të kemi një treg të kontrolluar gjithmonë nga mafia”, potencoi Grapci. Ai pyet se përse Prokuroria po hesht dhe po u lejon këtyre mafio-oligarkëve që janë gjithmonë të etur për pasuri? “Deri kur do të ndalen këta faqezinj që e shkatërruan Kosovën”, u shpreh analisti Dardan Grapci. Sipas tij, Policia e Kosovës dhe prokurorët duhet me qenë faktori kryesor për ndalimin e këtij skandali shumëvjeçar që po ndodh në Kosovë.
“Politikanët kanë ndarë territore dhe biznese dhe lloje të produkteve, zakonisht produkte që konsumohen në mënyrë masive, pra që u sjellin përfitime të mëdha bizneseve të tyre zakonisht duhani dhe derivatet e ngjashme kontrollohen po nga këto biznese që janë të afërta me politikën ose njerëz të politikës. Në vazhdimësi janë ngritur dyshime për kalim të produkteve në doganë saqë në momente të caktuara i ndalin edhe kamerat të kalojnë pa u kontrolluar. Pra, kjo aleancë e korrupsionit sot kontrollon të gjitha institucionet, duke filluar nga doganat, policinë, drejtësinë dhe të gjitha agjencitë për kontrollim të cilësisë si të produkteve ushqimore dhe të derivateve”, thotë analisti Mustafë Kadriaj për gazetën “Kosova Sot” .


