U përurua vepra “Sabri Maxhuni – zbërthyesi i kodeve” nga autori Demir Behluli, krijues gjilanas
Gjilan – Në ambientin e bibliotekës së Bajës “Nana Naile” në Kllokot, në prani të shumë familjarëve, mysafirëve e dashamirëve të librit, u bë përurimi i veprës së Demir Behlulit, krijues, piktor e publicist nga Gjilani, “Sabri Maxhuni- zbërthyesi i kodeve “, vepër kjo që pati për personazh kryesor Sabri Maxhunin që ka bërë historinë të flasë me gjuhën gjithëkohore. Me këtë rast, nga të gjithë vlerësuesit është thënë se, Sabri Maxhuni është njëri nga intelektual që ka bërë historinë të flasë më ndryshe se të tjerët.
Fillimisht, Asllan Qyqalla, poet, tha se, e kam nderin sot të jem para jush dhe të flas për veprën e autorit Demir Behlulit, i cili, kësaj herë i hyri një pune me zellë e me përkushtim, ku ka paraqitur e ngritur një figurë emblematike të popullit tonë. “Sot personazhin e veprës e kemi këtu, i cili dje ka kontribuar si veprimtar i denjë i kombit, sa ishte në botën e jashtme, por edhe sot po kontribuon me veprimtarinë e tij si publicist dhe autori i disa veprave të kësaj natyre. Ky veprimtar e ka i xitur autorin e veprës të shkruajë për te si njëri nga përkushtuesit e kësaj gjinie, i cili, me forma të tilla publicistike, po i ndriçon rrethanat dhe aspektet e jetës shqiptare”.
Ndërsa, Reshat Sahitaj, krijues nga Prishtina tha se ky njeri është i pari që i ka vuar themelet e para të lëvizjes çlirimtare të Kosovës të asaj kohe dhe është i palodhshëm edhe sot në aktivitetin e tij jo vetëm atdhetar, ku kohës së fundit po bën përpjekje të vazhdueshme duke shkruar vepra me frymë kombëtare”.
Dukagjin Hataj, autori nga Shqipëria, në mungesë, shënimin e tij e lexoi Ylli Morina, i cili tha se, kjo vepër e Demir Behlulit është shpalim analitik, psikoanalitik, filozofik dhe estetik të vlerave të një mendimtari siç është Sabri Maxhunit. “Me shkrimet e ndryshme të tij ka krijuar një mendësi ndryshe nga të tjerët, që të tilla qasje, ide e mendime po qarkullojnë e po dëshmojnë qartë se, personazhi, për të cilin flitet e “rrëfehet”, po ecën përpara dhe po i zbërthen disa nyje të jetës sonë, të cilat, me dijen dhe intuitën prej publicist dhe intelektuali, po tregon se ka qasje tjetër rreth nyjeve të pazgjidhura të çështjes sonë”.
Ahmet Morina, referues tha se, historia njëherë ka ndodhur dhe ajo s’mund të ndryshojë sa herë dikush e kërkon për ndryshim të tekeve të tyre. “Kjo qasje e interpretimit të gjërave, ka karakter jo vetëm historik, por ka qasje edhe të mendimit filozofik. Kjo është vlera historike e interpretimit të drejtë, e cila ajo nuk shkruhet, por interpretohet ashtu si është në realitet”.
Hysen Këqiku, krijues tha se, Sabri Maxhuni është një personalitet që po lë gjurmë të thella dhe të pashlyera në historiografinë shqiptare. “Shih për këtë, autori Demir Behluli, në veprën e tij “Sabri Maxhuni…” e ka vënë në spikamë botëkuptimin e personazhit të tij, i cili është marrë kryesisht me shkaqet e ndryshme të ngjarjeve e jo të pasojave. Pra, Sabriu, si historian e publicist po jep mundësi të shumta për sanimin e këtyre shkaqeve e jo pasojave. Është një libër që ka qasje të thellë të mendimit dhe të ideve të personazhit të veprës së Demir Behlulilt, e cila vepër do të mirëpritet nga lexuesi dhe do të reflektojë në të mirën e ideve dhe mendimeve më ndryshe për tema me interes kombëtar”.
E, T. Selimi, publicist tha se, vepra e Demir Behlulit në fjalë flet për të shërbyer si nj pikë e zgjidhjes së nyjeve të pazgjidhura gjer më tani. “Tani është kohë tjetër. Tani nuk ka kamuflazhe, as mbulesa të tjera, që të krijohet historia sipas tekeve të ndokujt që i pëlqen. Historia e shqiptarëve duhet të jetë histori e gjithëmbarshme. Ajo nuk duhet të shkëputet nga trungu ynë shekullor. Sabri Maxhuni, sipas Demir Behlulit, është njeri i pasionit që po e ndriçon këtë segment më të ndjeshëm të popullit shqiptar”.
Në fund, Demir Behluli, autori i veprës në fjalë tha se, kjo vepër është shkruar brenda dy viteve. Ai tha se pati sfida, por jo aq të vështira, për faktin, se me personazhin e veprës e ka njohur mjaft mirë. “Prandaj, pata punë jo aq të lehtë për ta paraqitur personazhin kryesor të veprës sime. Me te jam shumë i afërt, ku bisedat tona puçen e kanë kuptim. Të shtoj edhe këtë se, në veprën time janë tri pika kryesore: Sabriu merret me shkaqet dhe jo me pasojat, po ashtu, personazhi im i veprës merret me rrjedhjen e jo me burimin. Rrjedha historike e shqiptarëve, sipas Sabriut tha pse ndodhi, e jo çka ndodhi”.
Në përmbyllje të këtij manifestimi kulturor, Sabri Maxhuni, publicist, tha se, Demir Behluli, është shembulli më i mirë se si njeriu duhet të punojë. “Demiri duhet të mbetet shembulli më i mirë si njeriu në jetë duhet të punojë gjer në frymën e fundit të jetës./tefik selimi/rajonipress/

