Eko Higjiena

Gjykatat ose makinat për “Pastrimin” e kriminelëve

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sinan Sadiku – Opinionet më pa lidhje, më të paarsyeshme janë ato të cilat i vajtojnë gjykatësit dhe prokurorët se i paskan pagat e vogla! E vërteta është se gjykatësit dhe prokurorët në Kosovë i kanë pagat tepër të mëdha, si në raport me shërbyesit civil, si në raport me mjekët, me arsimtarët , me policët … si në raport me kolegët e tyre në rajon, e aq më tepër në raport me cilësinë dhe sasinë e punës që e bëjnë.

Andaj derdhja e lotëve të krokodilit për pagat e tyre të vogla në një Kosovë të varfër, ku gjysma e të punësuarve nuk i marrin as nga 200 euro në muaj është kulmi i absurditetit! Hallka më e dobët e funksionimit të Kosovës si shtet është sistemi gjyqësor, jo për shkak të pagave të ulëta, por për shkak të mungesës së përgjegjësisë në punë, për shkak të mungesës së profesionalizmit, të përkushtimit në punë, për shkak të korrupsionit dhe të kryerjes së punëve shkel e shko. Këtë e thotë çdo raport i organizatave kredibile ndërkombëtare, këtë e ndjen çdo qytetar i Republikës së Kosovës.

Në shtetet e zhvilluara gjyqtarët, prokurorët jo vetëm që janë të përgatitur në aspektin profesional, por janë të përzgjedhur si njerëz të përkushtuar për ta luftuar të keqen, krimin, për ta mbrojtur dhe zhvilluar shtetin. Thjeshtë ata janë edhe atdhetarë të përzgjedhur, falë punës së të cilëve zbatohen ligjet, funksionojnë shtetet, i gëzojnë të drejtat dhe liritë qytetarët, duke e krijuar shoqëri të mirëqenies për të gjithë dhe barabarësi para ligjit. Në ato shtete gjyqtarët, prokurorët, duke qenë në luftë të pa kompromis me krimin shpesh herë e pësojnë nga kriminelët. Në Kosovë deri tani nuk kam dëgjuar as lexuar të jetë rrahur ndonjë gjyqtar ose prokuror, e të mos flasim për ndonjë plagosje apo vrasje.

Uji Dea

Në anën tjetër kam dëgjuar e lexuar për shumë raste kur janë kërcënuar ose janë rrahur shërbyesit civil, mjekët, profesorët, e besa kanë ndodhë edhe plagosje e vrasje. Kjo i bie se tek ne më së paku të rrezikuar janë ata që “e luftojnë” , gjegjësisht që do të duhej të luftonin të keqen, krimin , vjedhjen, korrupsionin… Diçka nuk është në rregull këtu dhe njeriut nuk mund të mos i shkojë mendja, nuk mund të mos i krijohet bindja se mos ekziston ndonjë pakt mossulmimi midis gjyqtarëve e prokurorëve me kriminelët?! Bile nganjëherë krijohet përshtypja që prokurorët dhe gjykatësit nuk janë për t’u ofruar mbrojtje, siguri qytetarëve të ndershëm, atyre që punojnë, që i kryejnë obligimet qytetare … por për tu ofruar mbrojtje keqbërësve… Organet e judikaturës të Republikës së Kosovës në raport me kriminelët janë njëlloj makine rrobalarëse sui generis, që i “pastron” ata (kriminelët).

Këto organe do të duhej t`i dënonin kriminelët, por ato në vend se t’i dënojnë “i pastrojnë”, duke i shpallur të pafajshëm, edhe në rastet kur fajësia e tyre shihet nga aeroplani. Shihet qartazi se ata gjyqtarë dhe prokurorë të cilët kanë vullnet dhe dije për ta luftuar të keqen, nuk e gëzojnë përkrahjen e sistemit, përkundrazi atyre në çdo hap ju vihen pengesa, qortohen dhe ndëshkohen në forma nga më të ndryshmet, derisa të neutralizohen, të hedhen ose të ikin./rajonipress/