UBT

Përmbarimi privat, skemë mafioze

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Një nga dobësitë e theksuara që po e përcjellin fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, sipas analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, është edhe lejimi skandaloz e kriminal nga institucionet e këtij shteti, i keqpërdorimit të pozitës së përmbaruesve privatë.

Ata rezultojnë një organizëm në vete, që askush nuk e mbikëqyr punën e përmbaruesve privatë në Kosovë, të cilët, sipas njohësve të ligjit, sikur janë bërë pjesë e krimit të organizuar, madje edhe duke falsifikuar edhe emra kompanish për të marre para në mënyrë të kundërligjshme e kriminale. Duke u lejuar veprimi i tyre i tillë, i kundërligjshëm, me të drejtë dyshohet dhe ngritët si shqetësim mundësia që përmbaruesit privatë të jenë rekrutuar nga vetë mafio-oligarkët e inkriminuar, ku një pjesë e madhe e tyre edhe kanë punuar në firmat private të mafio-oligarkëve, dhe tani të njëjtët u përzgjodhën e u emëruan nga politika, nga Ministria e Drejtësisë, në pozitën e përmbaruesit, për të realizuar qëllimet e tyre kriminale.

Ministria e Drejtësisë dhe Gjykata Themelore në Prishtinë nuk i janë përgjigjur pyetjes së gazetës se kush i kontrollon përmbaruesit privatë dhe si është rritur edhe më shumë krimi i organizuar dukshëm edhe përmes përmbaruesve privatë. Ndërsa, opinionistët mbeten të shqetësuar se si mund të ndodhë që përmbaruesit të kenë guximin që të ndryshojnë edhe emrat e kompanive nga vendimet gjyqësore, vetëm e vetëm për të ZHVATUR ilegalisht paratë nga xhirollogaritë bankare, edhe kur nuk bëhet fjalë për subjektin e vërtetë afarist debitor, që është në vendim të gjykatës. Ata po ashtu pyesin pse për përmbaruesit privatë nuk ka ligj, pasi duke qenë edhe ata vetë pjesë e rrjetit të krimit të nëntokës kriminale për një kohë të gjatë, as që e llogaritin se po e shkelin ligjin me të dyja këmbët dhe se me veprimet e tilla po konsumojnë edhe veprën penale. Sipas tyre, kjo fushë duhet rregulluar dhe mbuluar me urgjencë me legjislacionin e saktë dhe adekuat, që nuk lejon abuzim me detyrën zyrtare.

Levat e pushtetit

Analisti politik Florim Zeqa ka pohuar për “Kosova Sot” se mozaikut të agjencive të shumta, që shërbejnë si “leva” të pushtetarëve në zhvatjen e buxhetit të shtetit, janë edhe të ashtuquajturit “përmbarues privatë”. “Janë këta një lloj mekanizmi i pushtetarëve, i cili nuk kontrollohet nga asnjë institucion i shtetit! Nuk e mbikëqyr askush punën e përmbaruesve, pasi ato janë kompani private, në të shumtën e rasteve rezultojnë si kompani fantome. Me çka ndodh shpesh që në vendimet gjyqë- sore të ndryshojnë emrat e këtyre kompanive me qëllim të zhvatjes ilegale të parave në xhirollogaritë bankare, pasi nuk bëhet fjalë për subjektin e vërtetë afarist debitor, që është në vendim të gjykatës! Kështu, përmbaruesit privatë, duke qenë edhe ata vetë pjesë e rrjetit të krimit të nëntokës kriminale, nuk i përgjigjen ligjit dhe drejtësisë vendore, ani pse e shkelin ligjin me të dyja këmbët”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”.

Rrezik të madh për shtetin ligjor nga njerëzit e tillë sheh edhe Naim Miftari, njohës i fushës së sigurisë. “Sot, përmbaruesit privatë janë vetëm dora e zgjatur e mafisë në shitblerje dhe falsifikime kadastrale të pronave edhe të patundshmërive milionëshe, por edhe shoqërore që tjetërsohen sot me sekserimin dhe ndihmën e përmbaruesve privatë. Këta janë sikur një klasë e ulët e zyrtarëve që shumë ngjajnë në ish-POREZNIKËT e dikurshëm të Serbisë dhe Jugosllavisë dikur”, ka potencuar ai. “Këta aq të pamëshirshëm janë me të varfrit dhe të paskrupullt sa nuk mund ta kapë mendja e njeriut, kurse kur vjen puna te pushtetarët apo njerëzit e fortë të nëntokës, përmbaruesit janë aq servilë, të butë, saqë nuk i njeh njeriu. Këtë po e them nga përballja dy herë me këta tipa zyrtarësh, që në fakt punojnë për politikanët e korruptuar dhe janë 24 orë e 7 ditë në javë në shërbim të krimit të organizuar”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Hidromorava

Ligji duhet të korrigjohet

Prof. Riza Smaka thotë se për moskompletimin e legjislacionit të plotë për punën e përmbaruesve privatë përgjegjësia është kryekëput e Ministrisë së Drejtësisë, sepse ajo është dikasteri që i ka licencuar ata.”Çështja e përmbaruesve privatë është çështje që është e përcaktuar me statusin e tyre privat, por është çështje publike dhe e interesave tejet të rëndësishme, bile mund të rangohet edhe me aktvendimet dhe aktgjykimet e formës së prerë, sepse krejt puna e tyre është e kësaj natyre. Defekti është se këtu nuk funksionon si duhet as sa duhet hallka e mbikëqyrjes së punës së tyre, e përmbaruesve privatë, përderisa ekziston hallka apo institucioni mbikëqyrës i këtyre individëve. Gjithsesi kjo fushë duhet rregulluar e saktësuar më mirë me ligj, ngase deri më tani është lënë anash, duhet të bëhet një mbikëqyrje e rregullt dhe precize e punës së përmbaruesve privatë, sepse përmbarimi në fund të fundit është çështja finale e zbatimit të ligjit”, tha Smaka për “Kosova Sot”.

Mungon kontrolli shtetëror

Analisti Ragip Guraziu vlerëson se kur kemi parasysh se askush nuk i kontrollon përmbaruesit privatë dhe si është rritur edhe më shumë krimi i organizuar dukshëm edhe përmes përmbaruesve privatë, me të drejtë shtrohet pyetja se si mund të ndodhë që përmbaruesit të kenë guximin që të ndryshojnë edhe emrat e kompanive nga vendimet gjyqësore, vetëm e vetëm për të ZHVATUR ilegalisht paratë nga xhirollogaritë bankare, edhe kur nuk bëhet fjalë për subjektin e vërtetë afarist debitor, që është në vendim të gjykatës.”Me siguri që kjo ndodh deri më tani pasi për përmbaruesit privatë nuk ka ligj, pasi duke qenë edhe ata vetë pjesë e rrjetit të krimit të nëntokës kriminale për një kohë të gjatë , as që e llogaritin se po e shkelin ligjin me të dyja këmbët dhe se me veprimet e tilla po konsumojnë edhe veprën penale”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

Ndërsa analisti Naim Kelmendi kërkon që urgjentisht të ndërmerren masa ligjore, të kompletohet legjislacioni adekuat dhe të mos lejohet abuzimi i përmbaruesve privatë në dëm të qytetarëve dhe të kompanive që nuk janë të lidhura me politikën, me rrjetet e ndryshme të krimit të organizuar. “Në të vërtetë, kjo është drastikisht shkelje e ligjit nga përmbaruesit privatë, por që patjetër duhet të ketë një institucion apo departament mbikëqyrës dhe kontrollues i punës së përmbaruesve”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, në rast se ata janë në shërbim të krimit të organizuar, janë në gjendje edhe të falsifikojnë edhe emra kompanish për të zhvatur para në mënyrë të kundërligjshme.

(Kosova Sot)