Dyfishohen rrogat për prokurorët dhe gjyqtarët, që flenë mbi dosje të papërfunduara
Pasi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori vendim për rritje të pagave për funksionarët e lartë publikë dhe për një pjesë të caktuar të shërbyesve civilë, gjyqtarëve dhe prokurorëve automatikisht u solli rritje të pagave me dyfishim të tyre. Prej 1 shkurtit, prokurorët e gjyqtarët paguhen nga 1400 deri në 3 mijë euro.
Rritje të pagave do të kenë gjykatësit, prokurorët dhe zyrtarë të administratës. Gjithsej janë rreth 700 zyrtarë të Shtetit që do të përfitojnë nga vendimi i kryeministrit për rritje pagash për kabinetin qeveritar, që prek edhe sistemin e drejtë- sisë. Nga 7 deri 10 milionë euro do të shkojnë më shumë nga buxheti i Shtetit për këtë kategori të zyrtarëve shtetërorë. Duke u bazuar në faktin që edhe deri tani pagat në sistemin e drejtë- sisë kanë qenë të diferencuara dhe më të avancuara, por se rezultatet në punë kanë munguar, analistët e kësaj fushe dhe ata politikë shprehin frikën se ky stimulim i ri për sistemin joefikas të drejtësisë do të jetë me qëllim të ndikimit të qëllimshëm në drejtësinë kosovare, përmes joshjes, kur politika i shpërblen ata, edhe pse Prokuroria dhe Gjyqësori janë më të kritikuarit për mospunë dhe joprofesionalizim, për mosndëshkim, madje edhe brenda llojit, por edhe ndikim të madh politik e kriminal.
Edhe vetë Colleen Hyland, zëvendësshefe e misionit në ambasadën amerikane, gjatë konferencës vjetore të prokurorëve, të shtunën, më 28 janar, përcolli mesazhin e ambasadorit amerikan, Greg Delawie, me që rast tha shumë qartë: “Institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë, e nuk po flas vetëm për prokurorët, duhet ta marrin më seriozisht nevojën për të luftuar korrupsionin dhe për t’u dhënë prioritet të duhur kërcënimeve ndaj stabilitetit dhe rritjes. Anketat qartazi tregojnë se populli i Kosovës nuk u beson institucioneve të sundimit të ligjit dhe që besojnë se korrupsioni është endemik”, tha znj. Colleen Hyland.
Rrogat e merituara
Njohësit e kësaj fushe theksojnë se ose tani ose kurrë duhet të ndryshojë kjo praktikë dhe ky shpërblim i madh në paga për strukturat e sistemit të sundimit të ligjit që t’i obligojë ata për të qenë plotësisht në funksion të zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës, e jo në shërbim të politikë dhe rrjeteve të inkriminuara. Sidoqoftë, shpresat për ndryshim pozitiv janë vetëm teorike. Analisti politik Florim Zeqa vlerë- son se vendimi i fundit i kryeministrit Haradinaj për rritje të pagave për funksionarët e lartë publikë dhe për një pjesë të caktuar të shërbyesve civilë në kundërshtim me ligjin, s’është gjë tjetër veçse “përligjje” e dyfishimit të pagës së tij mujore dhe nuk do të japë asnjë efekt pozitiv edhe në sektorin e sundimit të ligjit. “Kështu, prej 1 shkurtit, përveç kryeministrit, pagat e dyfishuara në mënyrë antiligjore do t’i kenë edhe prokurorët e gjyqtarët, të cilët do të paguhen nga 1400 deri në 3 mijë euro. Pra, rritje të pagave do të kenë 450 gjykatës, 210 prokurorë dhe zyrtarë të administratës. Gjithsej janë rreth 700 zyrtarë të Shtetit që do të përfitojnë nga vendimi i kryeministrit për rritje pagash për kabinetin qeveritar që prek edhe sistemin e drejtësisë. Kjo i bie që nga 7 deri 10 milionë euro do të shkojnë më shumë nga buxheti i Shtetit për këtë kategori të zyrtarëve shtetërorë. Ky është ndikim i qëllimshëm në drejtësinë kosovare, përmes joshjes me para të shtetit.
Politikanët në pushtet shpërblyen Prokurorinë dhe Gjyqësorin edhe pse janë ë më të kritikuarit për mospunë dhe joprofesionalizim, për mosndëshkim të korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda llojit (në radhë të parë brenda saj) dhe institucioneve shtetërore në përgjithësi”, është shprehur analisti Zeqa për gazetën “Kosova Sot”. Sikurse përgjatë qeverive të kaluara, edhe në Qeverinë “Haradinaj”, sipas tij, nuk prekën ndërgjegjen e kryeministrit për rritje të pagave të kategorive të rrezikuara, si: pensionistët, invalidët dhe kategoritë me nevoja të veçanta! Sipas Nexhmedin Spahiut, kryeministri Ramush Haradinaj po qeveris me logjikë ushtaraku dhe në këtë rrafsh edhe qëllimi i tij ka qenë pozitiv, ndonëse nuk pritet që ta japë efektin e dëshiruar.”Sa më shumë ushtarë, sa më i madh motivimi për ushtarët e oficerët, aq më i madh suksesi. Por kjo logjikë nuk funksionon në shumë fusha të jetës. Ta zëmë ministria më joefikase dhe më e korruptuar është Ministria e Ambientit, ku ka më së shumti zv/ministra. Një ditë, një funksionar i lartë i gjyqësorit me pyeti ku i ke faktet që Ministria e Ambientit është më e korruptuara. U përgjigja se pikërisht kjo pyetje tregon mjerimin profesional të gjyqësorit kosovar që pret që dikush t’ua sjellë xhirimet se si iks funksionari është duke i futur paratë e korrupsionit në xhep, apo përgjimin telefonik të marrëveshjes kriminale. Për të parë se cila ministri është më e korruptuara mjafton ta shohësh se si janë shkatërruar pyjet e Kosovës, lumenjtë e Kosovës, hapësirat e gjelbra në qytete etj. Siç nuk do mend të konstatosh se drejtoritë më të korruptuara nëpër komuna janë ato të urbanizmit. Nëse është një gjë e ditur botërisht se objekti ndërtimor mund të ngrihet në 30% të truallit, e maksimumi në 40% të truallit dhe prokurorët dhe kryeprokurorët kalojnë përditë pranë trojeve ku objekti ngrihet në 100% të truallit, e nuk nisin procedura hetimore nëse objekti ka leje a jo, nëse nuk ka më u ngrit aktakuzë inspektorëve përgjegjës, nëse ka më i ngrit aktakuzë atij që i ka dhënë lejen etj., atëherë ky është kulmi i dështimit profesional të prokurorëve. Marrë në tërësi, rrogat e qeveritarëve, gjyqtarëve e prokurorëve dhe profesorëve universitarë (duke marrë parasysh mesataren e standardit kosovar) janë të pamerituara”, theksoi profesori Nexhmedin Spahiu për gazetën “Kosova Sot”.
MIFTARI: KJO RRITJE E PAGAVE NUK DO T’I BËJË MË TRIMA E MË PUNËTORË PROKURORËT E KOSOVËS
Njohësi i kësaj fushe, Naim Miftari, konsideron se derisa nuk pastrohen Prokuroria dhe gjyqësori nga një numër i madh i servilëve të politikës dhe të të dështuarve, nuk mund të pritet që me joshje pagash të arrihet efekti pozitiv në punë.”Kosova do të duhej t’i suspendojë shumicën e prokurorëve dhe t’u ulen edhe rrogat, jo t’u rriten rrogat këtyre dembelëve që flenë mbi dosje të papërfunduara. Përafërsisht Kosova ka afër 700 zyrtarë të shtetit në drejtësi që iu rritën prapë rrogat, edhe pse nuk kanë punuar pothuajse asgjë, pos që e kanë degraduar shtetin aty ku ndahet drejtësia. Edhe pas rritjes së fundit të pagave, pa u spastruar tërësisht këto institucione, rezultatet do të jenë prapë negative, pasi paratë dhe beneficionet që i marrin nga krimi i organizuar janë mjete më të mëdha sesa një rrogë mujore. Kjo rritje e pagave nuk do t’i bëjë më trima e më punëtorë prokurorët e Kosovës. Sa i përket deklaratës për përtacinë e prokurorëve të Kosovës dhe gjyqtarëve tanë të ambasadorit amerikan, ai e di shumë mirë se këta prokurorë dhe gjyqtarë tanë kanë dështuar, e bashkë me ta edhe sistemi politik i Kosovës, i cili është shndërruar në argat të nëntokës”, theksoi analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”. “Pa marrë para sysh rritjet e pagave, rezultatet do të jenë të njëjta, pasi për të ndryshuar diç pozitivisht duhet marrë njerëz të rinj, por kryesorja duhet eliminuar ndikimet e klaneve politike, pasi pikërisht janë këto klane parapolitike koka e së keqes dhe pikërisht këtu janë kokat e mafisë në Kosovë. Këto klane do të kujdesen që çdoherë në pushtetin ekzekutiv t’i sjellin njerëzit e vet, ata që janë servilët e tyre”, theksoi analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”.
“Prokuroria edhe më tej ‘i fut veshët në lesh'”
Pa një reformim të thellë dhe ristrukturim të këtij sistemi, ndryshim pozitiv nuk sheh vetëm me rritje pagash as analisti Gani Qarri.”Tash e sa kohë, grupe dhe persona, dashamirë të rendit dhe ligjit, më kot përpiqen të rikthejnë vëmendjen e prokurorisë së falimentuar dhe gjyqësisë së dështuar në skandale publike dhe vepra të njohura antiligjore, të cilat shkojnë e vjetërsohen dhe kalohen pa u hetuar kurrë, nga kjo prokurori. Persona, organizata dhe grupe vëzhguesish, më kot i bëjnë thirrje shtetit dhe akuzojnë prokurorinë për mosveprim dhe mos nisje të asnjë hetimi kundër cilitdo nga peshqit e mëdhenj, ngase askush nuk mund ta zgjojë prokurorinë aktuale nga gjumi, e cila nuk nis hetimet as për rastet kur deputetë të veçantë dalin hapur me akuza publike se si pushteti shpërdoron buxhetin, nënshkruan kontrata të dëmshme, vjedh, keqpërdoron dhe abuzon me gjithçka, duke u bërë kështu edhe ligjërisht bashkëfajtorë në krim. Thënë më troç, kjo prokurori, përveç fjalamanisë boshe dhe premtimeve të paarsyetuara, asnjëherë nuk është fare aktive”, shprehet analisti Qarri për gazetën “Kosova Sot”. Prokuroria dhe gjyqësia në Kosovë, sipas Qarrit, jo vetëm se nuk u dëshmuan operacionale, por edhe nuk janë aspak në nivelin e detyrës, e cila u takon ta zbatojnë sipas ligjit. “E, për të qenë edhe më i saktë, ka gati dy apo edhe tri vite që i gjithë sistemi shtetëror i drejtësisë nuk funksionon si duhet, nuk reagon ndaj akuzave dhe deklaratave publike për shpërdorime detyre, ryshfet, korrupsion dhe krim të organizuar, të cilat lulëzojnë të papenguara në vend”, theksoi analisti Qarri për “Kosova Sot”. Madje ai pohon se prokuroria edhe më tej “i fut veshët në lesh”, nuk interesohet për prova as fakte, e për aq më keq edhe kur bëhen kallëzime penale dhe denoncime publike me shkrim, sa herë janë në pyetje persona me pushtet, ajo pikërisht atëherë hesht dhe nuk reagon fare.
Sipas Qarrit, nëse vetë organi i akuzës vazhdon të mbetet kaq pasiv në sundimin e ligjit dhe në anën tjetër, qoftë edhe me mosveprimet e veta, po ky organ vihet në dispozicion e shërbim të përhershëm të oligarkisë së pushtetit dhe mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, atëherë duhet të pyesim se çfarë në realitet duhet të ndodhë më tepër në këtë vend që kryeprokurori aktual dhe prokuroria vendore përfundimisht të zgjohen nga gjumi i thellë dhe të kryejnë detyrat që u takojnë sipas ligjit? “Si ka mundësi që përkundër denoncimeve të vazhdueshme, të bëra hapur dhe publikisht në institucione dhe kudo në media vizive dhe ato të shkruara, mafio-oligarkët, trafikantët dhe kriminelët të vazhdojnë të bëjnë lirshëm atë që duan, duke u shpikur gjithnjë konstruksion pas konstruksioni edhe kur bandat politike që kryejnë vjedhje mafioze të buxhetit gjithnjë të shpëtojnë pa u hyrë “ferrë në këmbë”!? Ku janë prokuroria dhe gjyqësia në këtë mes?”, është shprehur ai.
Analisti Mustafë Kadrijaj vlerëson se pagat në gjyqësor, sikurse në sektorët e tjerë, nuk shkojnë përtej një veprimi skandaloz, i cili nuk do të japë rezultate pozitive, por thjesht është sa për të blerë nga politika të gjitha këto institucione.”Parimisht, sipas rritjes ekonomike që ka Kosova, buxhetin më të vogël në rajon, me mirëqenien më të ulët me papunësinë e lartë, varfërinë më të madhe në rajon, nuk ka bazë ligjore e aq më pak morale, fillimisht t’ia rritë pagën vetvetes kryeministri aktual, kabinetit qeveritar, e tani edhe gjyqtarëve. Me këto veprime kryeministri është duke e përgatitur terrenin, duke i joshur bashkëpunë- torët, fillimisht ministrat e tanimë edhe gjyqësorin. Këtu ka vend për dyshim që kryeministri i vendit është duke ua mbyllur gojën që për çdo keqpërdorim dhe aferë korruptive të mos hapin gojën, që gjyqë- sori mos të interesohet. Veprimet dhe vendimet që i ka bërë kryeministri aktual deri më tani janë të pabazuara ligjërisht, të pamatura dhe me teke, siç është deklaruar edhe vetë”, theksoi analisti Mustafë Kadrijaj për “Kosova Sot”. Prokuroria e Shtetit nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës së djeshme rreth kësaj teme, edhe pse gazeta i ka dërguar pyetje dhe ka krijuar mundësinë që edhe zyrtarët e Prokurorisë ta japin mendimin e tyre.
(Kosova Sot)


