ARKATANA

Mbi 744 milionë euro tërheqje nga Trusti në një dekadë, 72 mijë pensionistë përfituan fondet e kursyera

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Qytetarët e Kosovës kanë tërhequr rreth 744 milionë euro nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) gjatë periudhës 2015-2025, përmes pensionimit dhe skemës së tërheqjes së parakohshme të 10-përqindëshit të kursimeve gjatë pandemisë COVID-19.

Sipas të dhënave të publikuara nga Trusti, nga viti 2015 deri në vitin 2025 janë tërhequr rreth 546 milionë euro nga 72.745 përfitues që kanë dalë në pension.

Vlera më e lartë e tërheqjeve për pensionim është regjistruar në vitin 2020, kur janë tërhequr 235 milionë euro. Kjo shifër lidhet me zbatimin e masës së tërheqjes së 10-përqindëshit të kursimeve pensionale, e miratuar në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë.

Vetëm gjatë periudhës nga 11 dhjetori 2020 deri më 6 prill 2021, qytetarët kanë tërhequr edhe 198.1 milionë euro, ndërsa nga kjo masë kanë përfituar 427.363 persona.

Mobi Casa

Sipas statistikave, numri i përfituesve të pensionit është rritur vazhdimisht ndër vite, duke arritur në 8.633 persona gjatë vitit 2025, që paraqet shifrën më të lartë në periudhën e analizuar.

Të dhënat tregojnë se pas vitit 2020, tërheqjet vjetore për pensionim kanë mbetur në nivele të larta, me 71.6 milionë euro tërheqje në vitin 2023, 69.7 milionë euro në vitin 2024 dhe 82.9 milionë euro në vitin 2025.

Në total, duke përfshirë pensionimet dhe tërheqjen e jashtëzakonshme të 10-përqindëshit gjatë pandemisë, nga Trusti janë tërhequr rreth 744 milionë euro në dhjetë vjetët e fundit.