Fundamenti

U shua zëri kumbues i Luginës

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Milaim Shefkiu – Një zemër që kishte përjetuar mijëra ankthe në burg, në luftë e në politikë ishte ndalur dje në Edrene të Turqisë. Aty ku kishte mbajtur shpresa se do ta sfidojë edhe një betejë, aty edhe e humbi luftën, po tani jo nga Serbia, e cila e kishte gjuajtur për 40 vjet me mijëra shigjeta tunxhi, por nga diçka më e madhe, së cilës nuk i gjeti ilaçe as Gilgameshi i moçëm.

Ishte ndoshta momenti më i vështirë të shkruaj një nekrolog për një mik që e njoha në rrethana të vështira. Atëherë “kur fasulja hahej kokrra-kokrra”.

Jonuz Musliu nga dita e djeshme, 18 janar, u shua si mik, politikan, bashkëluftëtar, bashkëshort e si baba. Ai tani nuk është në mesin e të gjallëve. Megjithatë, la mbrapa një bagazh të pasur me vlera kombëtare. Shumëkush do të kishte dëshiruar të kishte si ai.

Vetëm ngushëllimet që erdhën gjithandej opinionit shqiptar nga liderët politikë, institucionalë, nga shokët e luftës e nga ata të paqes e kuptuan se Lugina e Preshevës e ka humbur një njeri të madh. Ne shqiptarët e kemi një anomali, që i lavdërojmë njerëzit zakonisht kur ikin nga kjo botë. Por, a ishte i tillë Jonuzi që t’i thurim lavde postmortum.

Natyrisht që jo.

Ishin veprat e tij ato që demantojnë këtë “alegori”.

Mobi Casa

Si i ri ra në burgjet e Serbisë, duke sfiduar një regjim që shuante ëndrrat për një Kosovë të barabartë me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Doli nga burgu i rraskapitur fizikisht, por jo i thyer moralisht e kombëtarisht. Nuk u dorëzua duke e sfiduar regjimin si një aktivist i LPK-së deri në luftën e UÇK-së, ku u tregua si gueril i zoti në Karadak. Pas luftës së Kosovës nuk u ndal delli revolucionar i Jonuzit, duke mbledhur një grup të djemve të zgjedhur për të nisur një luftë të re në Kosovën Lindore. Edhe nga aty doli faqebardhë si udhëheqës politik i UÇPMB-së, edhe pse ëndrra e një idealisti nuk u përmbush, sepse Beogradi gradualisht ktheu kontrollin në Luginë.

Qeveria në Beograd e riktheu kontrollin, por jo edhe ta kontrollojë politikisht Jonuzin, të cilin shpeshherë e apostrofuan si “terrorist shqiptar” që në mes të Serbisë kërkon bashkim kombëtar. Si politikan e shanë edhe vetë shqiptarët. Karvanin e tij e gjuajtën me gurë për shkak të bindjeve politike dhe diskursit të drejtpërdrejtë për bashkim me Kosovën. E akuzuan atëherë kur e nxori flamurin kombëtar në objektin e Komunës së Bujanocit, duke ia dhënë “epitetin” e politikanit të papërgjegjshëm.

Ishte ai Jonuzi i cili e ktheu flamurin te varrezat e dëshmorëve vetëm 20 minuta pasi e hoqi xhandarmëria, madje në një shtizë dy herë më të lartë. Dikush i thoshte se politika është ajo që transmetohet me valë metaforike, jo me veprime praktike. Por, Jonuzi ishte i tillë. Dhe për këto vlera shumë dekorata do t’i rrinë atij varur në pelerinën patriotike.

Jonuzi vdiq në Turqi e bashkë me të edhe zëri i arsyes dhe zëri kumbues i shqiptarëve të Luginës.

Ai ishte një Mohikan i bashkimit Kombëtar. Ishte dhe mbeti i njëtrajtshëm.

Jonuz! Nuk dua të të kujtoj si ditët e fundit kur shëndeti ta dridhi zërin, por si atëherë kur shpalose programin e luftës në Dobrosin… Prehu në paqe miku im…

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.