Ekonomia në kolaps, mafio-oligarkët ia mbyllin gojën edhe opozitës!
Ekonomia kosovare edhe në këtë fillimvit mbetet peng i sundimit të mafio-oligarkisë, monopoleve, kontrabandës dhe paligjshmërive të shumta që tolerohen nga organet e drejtësisë. As opozita nuk po e ngre zërin për të adresuar çështjet shqetë- suese, që rrezikojnë vendin.
Analistët pyesin se përse as opozita nuk po kërkon që të hapen debate të nxehta në Parlament për dëmet qindra milionëshe që iu bënë për shumë vite qytetarëve nga monopolet e inkriminuara nga mafio- bizneset , pastaj nga tenderomania 500 milionë euro për çdo vit, që pasuroi mafio- politikanët dhe korporatat e tyre të fshehta e mafioze, nga zhvatja e kundërligjshme e aseteve të shtetit, po ashtu përmes mafio-bizneseve që janë plotësisht të kriminalizuara. Analistët vlerësojnë se një opozitë e pastër dhe e papërlyer dhe që nuk ushqehet në “grazhdin e krimit” do të kërkonte përherë këto tema për debat dhe do të kërkonte interpelanca për ministra të caktuar. Sipas njohësve të rrethanave ekonomike dhe politike, arsyeja e heshtjes së opozitarëve qëndron në faktin se edhe ata po ushqehen nga klani i tejinkriminuar “Pronto” dhe klani ‘Coca Cola Zero’, që të dyja të financuara nga po të njëjtit mafio-oligarkë të kriminalizuar. Analisti Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot”, tha se jemi dëshmitar se çdo ditë politikanët kosovarë flasin për ekonominë e tregut, për luftimin e monopolit për mosndërhyrje në tenderë, kurse në realitet pikërisht ata janë promovuesit më të mëdhenj të monopolit, haraçit.
Politikanët e degraduan ekonominë
Sipas Beqirit, është më se e vërtetë se opozita definitivisht e ka humbur rrugën për çka ajo është dashur të ecte. Qëllimi i opozitës është që ta kundërshtojë qeverinë aty ku nuk e ka mirë dhe që ta mbështetë të mirën.”Opozita ka harruar gjithçka përveç dy temave tashmë që na kanë lodhur, Demarkacioni dhe Asociacioni, sepse një opozitë e mirë- filltë do të duhet të ngrihej në këmbë lidhur me monopolin, lidhur me korrupsionin, lidhur me tenderët, thjesht ata janë në gjumë edhe pse e kanë një numër të konsideruar të deputetëve kundër kësaj qeverie destabilizuese”, potencoi ai. Sipas tij, opozita thjesht nuk janë duke e kryer detyrën sipas betimit që e bëjnë në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa Analisti Mustafë Kadrijaj, për gazetën “Kosova Sot”, tha se të gjitha vitet mbas lufte treguan që politikëbërja në Kosovë ekonominë e tregut e ka dëmtuar shumë. “Në vend se të kenë në fokus ekonominë e tregut, pra duke përkrahur bizneset vendore, duke iu ofruar ambient të përshtatshëm ligjor dhe infrastrukturë dhe me taksa dhe tatime të përshtatshme, me qëllim që të marrë këmbët që të bëhet një ekonomi konkurruese me vendet e rajonit, por edhe më gjerë”, vlerësoi ai. “Ekonomia kosovare është goditur në vazhdimësi edhe nga brenda dhe nga jashtë Kosovës, por me një emërues të përbashkët nga njerëzit e politikës. Goditja nga brenda është bërë duke u kushtëzuar nga partitë politike që edhe ato fitime që kanë pasuar bizneset kosovare janë shkuar në xhepa të njerëzve të fortë në Kosovë, duke i sponzorizuar në vazhdimësi fushatat e partive politike. Goditjen nga jashtë e ka marrë nga konkurrenca jo e drejtë që po kjo elitë politike ka bërë shumë pak që të përkrahë bizneset vendore, sidomos prodhuesit vendorë, me të vetmen arsye se markat e ndryshme botërore, si të konsumit dhe tekstilit, i kanë ngulfatur prodhuesit vendorë duke pamundësuar një funksionim normal”, potencoi Kadrijaj. Sipas tij, është paradoksale që edhe opozita nuk e ngrejë zërin në përkrahje të bizneseve vendore.
Heshtja e dyshimtë ndaj dëmeve qindra milionëshe
Analisti Florim Rudhani thotë për gazetën “Kosova Sot” se për momentin Kosova e ka një opozitë të përçarë dhe shumë të hasmuar në mes vete, sepse, ndonëse në një numër shumë të madh, marrëdhëniet në mes të LDK-së dhe VV-së janë skajshmërisht të brishta.”Edhe kjo heshtje e opozitës lë vend për dyshime të mëdha se as opozita sikurse pozita nuk janë të pastër dhe të papërlyer në afera korruptive me tenderët milionësh. Sepse heshtja e deritashme 100-ditëshe e opozitës sikur tregon se edhe ata po ushqehen në “grazhdin e krimit”. Kjo heshtje e opozitës, që po e synon pushtetin, tregon se sikur ata të ishin të pastër, ata do të kërkonin përherë debat për tema me interes për të gjithë qytetarët, do të kërkonte interpelanca për ministra të caktuar deri në largimin e tyre nga pushteti”, vlerësoi analisti Rudhani. “E kritikoj heshtjen dhe mosinsistimin e opozitës për hapjen e debateve të nxehta në Parlament, që kanë të bëjnë me dëmet qindra milionëshe që iu bënë për shumë vite qytetarëve nga monopolet e inkriminuara nga mafiobizneset, mandej nga tenderomania pesëqind milionëshe gati për do vit, e cila pasuroi mafiopolitikanët dhe korporatat e tyre mafioze, duke zhvatur në mënyrë të kundërligjshme asetet e shtetit, përmes mafio-bizneseve të kriminalizuara”, është shprehur më tutje ai.
Merren me privilegje, harrojnë hallet e popullit
Ndërsa afaristi Ramadan Maloku thotë për gazetën” Kosova Sot” se me punën e saj të deritashme 100-ditëshe si deputetë të Kuvendit të Kosovës do të mbahet në mend në veçanti opozita e LDK-së dhe LVV-së që është shumë e përçarë dhe e hasmëruar në mes vete. “Kjo pasi që si opozitë që janë ata e kanë harruar rolin e tyre që është në luftimin e fenomeneve negative, krimit dhe korrupsionit brenda institucioneve të shtetit”, theksoi ai. Maloku thotë se opozitarët më shumë po merren me privilegje për interesat e tyre të ngushta, sesa që po merren me hallet e qytetarit. “Një opozitë e pastër dhe e papërlyer dhe që nuk ushqehet në ‘grazhdin e krimit’ dhe që synon pushtetin e pastër do të kërkonte përherë këto tema për debat dhe do të kërkonte interpelanca për ministra të caktuar. Ndaj me të drejtë shtrohet në diskutim çështja se përse po hesht opozita në këto tema e debate që janë me interes për të gjithë qytetarët”, potencoi Maloku.
Kriminalizimi i biznesit
Analisti Reshat Badallaj-Zhurian tha për gazetën “Kosova Sot” se problemet e ekonomisë kosovare nuk trajtohen në institucionet e larta shtetërore, sepse kjo është parë dhe dëshmuar publikisht dhe botërisht se është në duart e bandave kriminale të nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve më të rrezikshëm jo vetëm në Kosovë, por në Ballkan.”Ekonominë e vendit tonë e drejtojnë mafio-oligarkët që mjerisht këta në Kosovë edhe e bëjnë ligjin dhe mu për këtë qëllim janë po këta banditë dhe kryebanditë që nuk po trazohen dhe nuk po burgosen nga askush, se këta e kanë ligjin në dorë”, potencoi ai. Badallaj-Zhuriani tha se në këtë grup hajnash janë të përfshirë në valle të gjithë dhe askush nuk guxon të marrë guximin dhe të hapë këtë plagë që ka goditur vendin. “Ne jemi dëshmitarë të kohës se çka bën hapur klani mafioz “Pronto”, jemi dëshmitarë të kohës se mafio-oligarkëve e bandës serbiane ‘Devolli’, ne jemi dëshmitarë të kohës se si klubi i cubave të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ shitën tokat në zemër të Prishtinës, dhënies së lejeve ndërtimore sallamadi e njëqind të zeza, ne jemi dëshmitarë të kohës se sa zgjati procesi i Fatmir Limajt – tetë vite për hajni, ne jemi dëshmitarë të kohës për vjedhjet në arsim, në asfalt, jemi dëshmitarë të kohës për tenderët dhe hajnitë e Diasporës, të Isa Mustafës. Pra, hajnia dhe hajnat brirë nuk kanë”, theksoi ai. Sipas analistit Badallaj-Zhuriani, për të shpëtuar Kosovën nga ky rrjet i rrezikshëm kriminal të kanaleve të nëntokës nga thonjtë e mafio-oligarkëve duhet të ndërhyjë SHBA-ja.
(Kosova Sot)


