Politikanët e korruptuar e privatizuan pasurinë publike
Kosova e pati filluar procesin e privatizimit të përgjithshëm të ish-ndërmarrjeve shoqërore në kohën kur vendet e rajonit e kishin përfunduar këtë proces. Udhëheqës të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në konferencën e fundivit kanë thënë se u nevojiten edhe shtatë vjet, në mënyrë që të përfundojë procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre në Kosovë.
Ndërkaq, ekspertë të ekonomisë dhe njohësit e kësaj fushe janë të mendimit se epilogu i deritanishëm ka qenë fatal për ekonominë e Kosovës. Ata e shtrojnë çështjen se përse në Kosovë nuk po hetohen dhe nuk po sillen para drejtësisë të inkriminuarit në krime ekonomike në privatizim, përkatësisht për mënyrën e dhënies së tenderëve etj. Analistët janë të mendimit se shumica e pronave të privatizuara, sidomos ato që pothuajse u falën për pak para kundërligjshëm, qofshin fabrika apo toka bujqësore, tashmë janë bërë prona me letra dhe kanë rënë në duart e politikanëve, familjarëve të tyre klientelave të tyre, dhe jo vetëm kaq. Sipas tyre, shumë nga pushtetarët tanë të majave të shtetit me të drejtë dyshohet se janë bërë pjesë e krimeve ekonomike të këtij procesi, përfshirë këtu edhe politikanët e nivelit të lartë, por edhe mafio-oligarkët e biznesit të pistë që dyshohet se janë të lidhur me mafio-politikanët, të cilët realisht e vodhën çdo pëllëmbë toke, qofshin ato ara pjellore, fusha e livadhe, male dhe ato që ishin edhe nëpër qytetet në shtetin tonë, si dhe çdo ndërtesë dhe tokë ndërtimore të ish-fabrikave më të mëdha në vend.
Procesi e dëmtoi ekonominë
Eksperti i ekonomisë dhe ish-profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nazmi Mustafa thotë për ” Kosova Sot”, se ekonomia e Kosovës është duke bartur pasojat e një procesi të dobët të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. “Privatizimi e dëmtoi ekonominë e Kosovës dhe nuk ndihmoi aspak në rimëkëmbjen ekonomike”, shprehet ai. Sipas Mustafës, procesi i privatizimit te ne filloi me vështirësi të mëdha dhe nëse e shikojmë në përgjithësi procesi i privatizimit në Kosovë ka dështuar. “Ndërmarrjeve të cilat u shitën iu ndërrua destinimi dhe nuk i përmbushën kontratat, gjë që pastaj shumë punëtorë mbeten të papunë”, theksoi ai. “Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të shituara në Kosovë janë privatizuar me metodën e quajtur spin-off i rregullt, kurse ndërmarrjet që janë konsideruar më të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special. Te këto të fundit, privatizimi nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes. Por, jo të gjitha kanë mundur t’u përmbahen kontratave të nënshkruara me autoritetet kompetente. Disave prej këtyre ndërmarrjeve, siç janë “Grand” Hoteli, Miniera e Goleshit, Miniera e Strezovicit dhe “Llamkosi”, u janë marrë aksionet dhe janë kthyer në pronësi të AKP-së. Andaj, themi lirshëm se si procesi ishte i dështuar dhe nuk do të kishte asgjë të keqe që një procesi i tillë të hetohej nga organet e drejtësisë dhe prokurorisë që nga nisma e tij e deri më sot “, vlerësoi Mustafa.
Pasuria miliardëshe u fal
Afaristi Ramadan Maloku, për gazetën”Kosova Sot” tha se një hetim nga ana e organeve të drejtësisë, përkatësisht prokurorisë dhe gjyqë- sisë duhet bërë në mënyrë që të zbardhet se kush ka qenë i implikuar dhe t’i bartë pasojat. “Efektet e privatizimit ishin kundërproduktive, ngase ka krijuar vetëm varfëri që po rritet ditaditës, kurse veç saj me këtë proces mbetën pa punë mbi 70 mijë veta.
Ajo që ka ndodhur me procesin e privatizimit në Kosovë është një tmerr se e tërë ajo pasuri, që dikur kishte vlerën me miliarda para është shitur për pak para e shuma simbolike”, potencoi Maloku. Ai vlerëson, se vetëm një hetim detaj i procesit të privatizimit edhe nga Kuvendi i Kosovës, por edhe nga organet e drejtësisë do të ndriçonte të vërtetën se kushdo nga pushtetarët apo politikanët dhe kushdo qoftë ai që ka rënë ndesh me ligjin dhe që ka bërë shkelje të ligjit pa asnjë mëshirë duhet që të hetohet dhe që të japë llogari para ligjit. “Ajo që ka ndodhur me procesin e privatizimit në Kosovë është një tmerr, sepse e tërë ajo pasuri që dikur kishte vlerën miliarda është shitur për pak para, kurse veç saj me këtë proces mbetën pa punë mbi 70 mijë veta”, u shpreh Maloku.
Ndërmarrjet falimentuan
Analisti Lulzim Beqiri tha për gazetën”Kosova Sot”, se forma e privatizimit të tokës bujqësore dhe të pasurive të tjera të Kosovës lë shumë për të dëshiruar, sepse ka disa aktakuza për keqpërdorime, por pa një epilog të mirë. “Privatizimi i ndërmarrjeve kosovare ka dështuar, nuk e di ende një ndërmarrje të privatizuar që ka arritur të jetë shembull i suksesit pas privatizimit”, u shpreh ai. “Si shembull në këtë drejtim mund ta marrim ‘Ferronikelin’ që, siç po shihet, ka shumë keqpërdorime dhe është afër falimentimit, pastaj ‘Llamkosi’ që veçse ka falimentuar, pastaj kemi edhe shumë ndërmarrje të tjera që janë në proces të shuarjes”, vijoi më tutje analisti Beqiri. Ai është i mendimit se e tëra kjo po ndodh thjesht nga jointeresimi i duhur i institucioneve kosovare që të shikohet forma e privatizimit të pasurisë. “Llogaritet se deri më tash janë shitur mbi 50 për qind e pasurisë së vendit, dhe ende nuk ka një stopim të formës aktuale e dëshmuar si e dështuar”, potencoi Beqiri.
Ndërsa, eksperti i ekonomisë Florim Rudhani thotë për “Kosova Sot”, se nuk ka asnjë dyshim se epilogu i deritanishëm e procesit të privatizimit ka qenë fatal për ekonominë e Kosovës, sepse shumica e pronave të privatizuara, sidomos ato që pothuajse u falën për pak para kundërligjshëm, qofshin fabrika apo toka bujqësore, janë në duart e një pjesë të politikanëve të lartë së bashku me familjarët e tyre dhe klientelëve të tyre, por jo vetëm kaq. “Interferenca e politikanëve në procesin e privatizimit është arsyeja se përse në Kosovë nuk po hetohen dhe nuk po sillen para drejtësisë të inkriminuarit në krime ekonomike të procesit të privatizimit, përkatësisht të mënyrës së dhënies së tenderëve etj.”, u shpreh Rudhani.
Rasti i Fabrikës së Amortizatorëve, ndër më skandalozët
Ramush Berisha, lider i Sindikatës së Fabrikës së Amortizatorëve në Prishtinë, ka thënë për “Kosova Sot”, se në rrethana normale për mënyrën se si është bërë privatizimi në Kosovë në çdo shtet të botës do të bëhej një hetim i detajuar, qoftë nga Qeveria, Kuvendi apo Prokuroria e atij shtetit. Por, sipas Berishës, tek ne në Kosovë ky hetim i privatizimit nuk po bëhet, ngase politikanët e nivelit të lartë dhe mafio-oligarkët e bizneseve të pista, që janë të lidhur me mafio-politikanë, janë bërë pjesë e krimeve ekonomike.
Ai thotë se është për keqardhje, sepse shumë prona të privatizuara u falën për pak para kundërligjshëm, qofshin fabrika apo toka bujqësore dhe ato tashmë janë bërë prona me letra të politikaneve dhe familjarëve ose janë regjistruar si firma me emra të rrejshëm. Berisha potencon se ka dyshime të mëdha se në një formë të tillë është privatizuar edhe ishFabrika e Amortizatorëve në Prishtinë, që tashmë që disa vjet me letra është bërë pronë e oligarkëve Devolli. “Me gjithë kërkesat tona që u kemi drejtuar organeve të drejtë- sisë dhe institucioneve të shtetit, që të bëhet një hetim i detajuar i rastit të privatizimit të kësaj fabrike, por edhe të tërë procesit të privatizimit, kërkesat tona kanë hasur në vesh të shurdhër të organeve shtetërore dhe atyre gjyqësore”, u shpreh ai.
Mungoi transparenca, u dogj dokumentacioni
Analisti Xhevdet Neziraj tha për “Kosova Sot” se procesi i privatizimit në Kosovë fund e krye ka qenë i mbyllur dhe është përcjellë me jotransparencë, korrupsion. “Qeveria ‘Haradinaj’ duhet që të përmbyllë procesin e privatizimit të stërzgjatur, dhe procesin e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, si parakusht për kthimin e mjeteve të privatizimit dhe aktivizimin e atyre mjeteve në funksion të ekonomisë së lodhur të vendit dhe të ndërrojë strukturën e ekonomisë në tërësi, pra në favor të ndërmarrjeve prodhuese, të cilat do të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit”, u shpreh ai.
Neziraj shton se Qeveria, por edhe organet e drejtë- sisë duhet t’i rishqyrtojnë edhe disa procese të privatizimit, të cilave u vjen era korrupsion, si dhe gjykatat tona të merren me hetimin e rasteve, që nga djegia edhe shkatërrimi i dokumentacionit që pati ndodhur e deri tek vlerësimi real i disa ndërmarrjeve të stërshitura dhe që në këtë proces kanë fituar vetëm disa individë, ku pasuria e tyre është shumëmilionëshe. Sipas tij, me këtë proces janë dëmtuar klasa punëtore, që me shumë mund dhe djersë kanë punuar për ato ndërmarrje.
(Kosova Sot)


