ARKATANA

Drita mposht lehtësisht liderin, Llapin

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Pas pushimit një javor, futbollistët e Dritës në stadiumin e qytetit në Gjilan me lojën më të mirë gjatë 8 javëve ka mposhtur liderin aktual të Superligës me rezultat 3-1.

Në praninë e 2 000 shikuesve, “kaltër e bardhët” në çdo element të lojës ishin më të mirë se skuadra e Llapit e në veçanti u dallua sulmuesi Xhevdet Shabani i cili përpos që shënoi dy gola ai edhe asistoi në golin e tretë.

Xhevdet Shabani i cili sot ka mbushur 31 vjet në minutën e 24-të, nga goditja e lirë nga 22 metra len të shtangur portierin Ademi duke shënuar gol mjaft të bukur.

Akteri më i mirë i ndeshjes së sotme, Xhevdet Shabani, në minutën e 42-të, bukur pason gjerë te Astrit Fazliu i cili nuk e pati vështir ta gjen rrjetën nga 10 metra duke ngrit epërsinë në 2-0.

Në pjesën e dytë futbollistët e Llapit kërkonin të zbusnin epërsinë e vendësve, këtë e arritën në minutën e 68-të, ish futbollisti i Dritës, Mirlind Daku mjeshtërisht nga 16 metra gjuan duke shtangur portierin e Dritës, Betim Halimin.

Mobi Casa

Skuadra e Dritës fatin e takimit të sotëm e vulosi në minutën e 75-të, së pari mbrojtësi mysafir Jashari ngatërrohet me top këtë më së miri e shfrytëzon Shabani i cili nga 12 metra i vetmuar plason topin në rrjetën e Llapit për rezultatin përfundimtar 3-1.

Me këtë fitore skuadra e Dritës ka tubuar 15 pikë duke u ngritur në kreun e tabelës së klasifikimit.

Trajneri i Dritës Milaim Zuzaku pas ndeshjes deklaroi
“Po komponohemi ngadalë, dita e ditës po arrijmë formën e duhur, kemi futbollist cilësor dhe në të ardhmen pritet të dëshmohen ndërsa fitorja e sotme ishte plotësisht e merituar”.

Në ndeshjen e javës së 10-të futbollistët e Dritës do të takohen me Vëllaznimin në Gjakovë./rajonipres/