Rama: Shqipëria do ta mbështesë fuqishëm Kosovën në të gjitha fushat
Kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama kanë mbajtur një konferencë të përbashkët, ku kanë theksuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Kryeministri Edi Rama tha se ka ofruar gjithë mbështetjen e tij për planin qeverisës të Haradinajt dhe objektivat e tij, siç tha ambicioze që të fitohet koha e humbur në periudhën e fundit.
Rama tha se është shpresëplotë për një përshpejtim të agjendës së përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryeministri tha se kanë rënë dakord për një sërë çështjes, si ajo e lirisë së lëvizjes, unifikimit të tregut, diplomacisë së përbashkët etj.
Ai tha se kontrollet në kufi do të jenë tepër të rralla, siç janë të rralla kontrollet në kufijtë e shteteve evropiane.
Rama më tej tha se kanë rënë dakord edhe për unifikimin e tregut Kosovë-Shqipëri, si model pastaj për unifikimin e tregut rajonal.
Ai tha se Porti i Durrësit, është porti që duhet të kthehet në Doganë të përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Kryeministri ka thënë se po ashtu duhet t’i jepet fund shpenzimeve të paarsyeshme të buxheteve të dy shteteve për të mbajtur selitë diplomatike e konsullore veç e veç. “Shqiptarët do të kenë një adresë”, tha ai.
Rama tha se e ka siguruar kryeministrin e Kosovës se Shqipëria është e gatshme të mbështesë të gjitha zgjidhjet që janë në favor të Kosovës.
Ai tha se diplomacia shqiptare ka qenë dhe do të jetë më aktive për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Rama ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Ai tha se Shqipëria e ka mbështetur dhe do ta mbështesë me të gjithë fuqinë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Beogradit, duke qenë qartësisht në anën e Kosovës.


