Edhe këto zgjedhje, si ato tjerat!
Nga Gani Sadiku – Kosova po hyn edhe në një palë zgjedhje nacionale pa reformë zgjedhore, por edhe e pa reformuar në vetvete si një shtet, stabilitetin e të cilit e lëkundin cili do politikan e komandant që ka nevojë për një Kosovë jostabile. Ky vend po hyn në këto zgjedhje me një zonë zgjedhore, dhe me lista të hapura, duke u shkaktuar dëme të pariparueshme vendbanimeve të vogla dhe politikanëve të rinjë, të cilët e kanë vështirë të marrin vota nëpër qytetet tjera, ndërsa mbetet një favor për “ujqit e moçëm” që kanë fituar emër me kohë, në krah të partive dhe kohës së veprimit politik të tyre.
Ndryshimi i sistemit zgjedhor ka ndikim të thellë tek jeta politike e një vendi. Duke sjellë ndryshime të ndjeshme tek mënyra e qeverisjes mëpastaj, formimi i koalicioneve etj. Padyshim nuk ka një sistem zgjedhor magjik me efekt panacea. Të tilla sisteme zgjedhore nuk ka as nē vendet më demokratike në botë. Reforma zgjedhore, do të sillte zgjedhje të rregullta, legjitimitet të rezultatit, ndershmëri të procesit zgjedhor, lehtësi të organizimit, dhe në fund të procesit do të sillte një stabilitet të mazhorancës.
Në proporcionalin me lista të hapura, përveç garës ndërpartiake merr jetë edhe gara brenda partisë, ku kandidati detyrohet të bëjë një fushatë personale paralele.
Fushatat zgjedhore personale në Kosovë janë shumë të kushtueshme dhe individi apo kandidati, pos tjerash duhet t’i përvishet punës edhe për sigurimin e financave të veta. Kjo lloj fushate, e korrupton embrionin e politikës së tyre, dhe një pjesë e tyre “janë të detyruar” që në start të mundohen të krijojnë, allishverishe si dhe ujdive të pandershme për të siguruar votat. Këta kandidat duhet të mundohen që pavarësisht partisë, për të mobilizuar një elektorat personal, qoftë edhe nëpërmjet klientelizmit dhe nepotizmit. Pra deputetët kalojnë një pjesë të mirë të kohës duke u marrë me veten e tyre e fare pak me organizimet partiake e shoqërore.
Sistemi zgjedhorë me lista të hapura, ka edhe një problem tjetër që në Kosovë paraqitet vazhdimisht, tendenca personale e blerjes ose vjedhjes së votave, edhe atë më tepër brenda soit të vet, ku mundësia e votimit të më shumë se një kandidati brenda partisë, i shton mundësitë për manipulimin e votave nga rrjetet kriminale që e favorizojnë njërin apo tjetrin kandidat përbrenda partisë.
Sistemi me një zonë zgjedhore, nuk krijon mundësi që edhe vendet e vogla të jenë të përfaqësuara me deputetët e tyre, sepse nga shpërndarja e votave, përfitojnë vetëm qytetet dhe vendbanimet e mëdha./rajonipress/


