Rivaliteti Thaçi-Veseli degradon shtetin
Marrëveshjen e fundit AKRPAN, për bashkëqeverisje dhe aneks-marrëveshjen, sipas së cilës kreut të AKR-së i garantohet mbështetja për t’u zgjedhur president i vendit në zgjedhjet e ardhshme, pas skadimit të mandatit të Hashim Thaçit, analistët politikë po e interpretojnë si hakmarrje të ashpër të Kadri Veselit ndaj Hashim Thaçit, e cila mund të ngjallë akoma më shumë përplasjet mes këtyre dy oponentëve brenda PDK-së.
LUFTA E FSHEHTË POLITIKE REFLEKTOHET NË KOALICIONET E PANATYRSHME
Pazaret e pista për Qeverinë nuk kanë të ndalur
“Lënia nën hije e Thaçit ishin edhe roli dhe qëllimi i Veselit, i cili synonte që të bëhej kryeministër duke u shndërruar në lider të pakontestueshëm jo vetëm në PDK, por edhe në Kosovë. Mirëpo, këto prognoza ia rrënuan qytetarët e vendit, duke mos e votuar PDK-në me votat që i kishte më parë. Kjo ishte pikërisht ajo çfarë kërkonte Hashimi, i cili në heshtje po punonte për të rrënuar Kadriun”, tha analisti Faton Mehmeti
Marrëveshjen e fundit AKRPAN, për bashkëqeverisje dhe aneks-marrëveshjen, sipas së cilës kreut të AKR-së i garantohet mbështetja për t’u zgjedhur president i vendit në zgjedhjet e ardhshme, pas skadimit të mandatit të Hashim Thaçit, analistët politikë po e interpretojnë si hakmarrje të ashpër të Kadri Veselit ndaj Hashim Thaçit, e cila mund të ngjallë akoma më shumë përplasjet mes këtyre dy oponentëve brenda PDK-së.
Si kundërpërgjigje ndaj Kadri Veselit, tani nuk përjashtohet edhe mundësia që Hashim Thaçi të përpiqet ta minojë marrëveshjen e koalicionit PAN-AKR, edhe atë përmes lidhjeve të tij me presidentin serb, Vuçiq, i cili mund të influencojë Listën Serbe që të largohet nga koalicioni PAN, çka sërish mund të rezultojë me mungesë numrash. Mediat që punojnë për Hashim Thaçin po raportojnë se Lista Serbe tashmë ka kërkesa e kushte të reja ndaj këtij koalicioni, duke kërkuar më shumë poste në Qeverinë e re. Analistët vlerësojnë se lufta në prapavijë, në raportet se kush është “shefi i shefave” në mes të Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, do ta dobësojë funksionimin e qeverisë së ardhshme të PAN-it, por edhe do ta dëmtojnë shtetin dhe themelet e shtetit dhe mbi të interesin qytetar.
Prapaskenat e pista
Florim Zeqa thotë se marrëveshja më e re politike, mes PAN-it dhe AKR-së, e shpërfaqi rivalitetin në heshtje në radhët e PDK-së, gjegjësisht mes Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, për marrjen e primatit të “shefit” në parti dhe skenës politike në përgjithësi.”Po ashtu, nga kjo marrëveshje u vërtetuan dhe erdhën në shprehje shkathtësia individuale për arritjen e qëllimeve politike dhe egoja e pakufishme e liderëve partiakë për marrjen e pushtetit me çdo kusht dhe me çdo çmim!”, u shpreh ai. “Bashkëngjitja e Behgjet Pacollit koalicionit PAN nuk paraqet ndonjë befasi, sa është befasi përmbushja maksimale e kërkesave të tij, respektivisht pika e marrëveshjes, e cila i garanton Behgjet Pacollit postin e presidentit të shtetit pas përfundimit të mandatit të parë të Hashim Thaçit! Kjo pikë e marrëveshjes mund të ketë efektin “domino” për PDK-në, gjegjësisht thellimin e krizës së brendshme, si pasojë e garës në prapavijë mes Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit për të mbajtur primatin e “shefit të shefave” në PDK. Në fakt, një garë e tillë nuk mund ta dëmtojë shtetin, aq sa do ta dëmtojë fuqizimi i listës”Srpska” në koalicionin e zgjeruar PAN, e cila pas arritjes së marrëveshjes së fundit, mes subjekteve politike shqiptare, ka paralajmëruar rritjen e kërkesave dhe kushteve të saj ndaj këtij koalicioni, duke kërkuar më shumë poste ministrore në qeverinë e re, e cila në masë të madhe do të ulë imazhin e kryeministrit dhe qeverisë që ai e drejton”, ka thënë Zeqa.
Ai thotë se në krejt këtë mishmash politik, odisejadë politike, nuk ka dyshim se fituesi më i madh na doli të jetë Behgjet Pacolli, i cili nga një subjekt në shuarje e sipër, përmes LDK-së së Isa Mustafës, arriti të pushtojë Qeverinë e Kosovës!”Përderisa posti i kryeministrit për zotin Haradinaj mbetet i barabartë me “fitoren e Pirros”, mbetja në pushtet e PDK-së llogaritet fitore e madhe për këtë subjekt politik. Jetëgjatësia e qeverisë së re, përveç listës “Srpska”, varet edhe nga koordinimi i veprimeve të dy subjekteve opozitare”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot”. Qeveria e shantazhuar Edhe analisti tjetër, Skënder Mulliqi, pohon se Kadri Veseli mund të këtë inate në presidentin Hashim Thaçi, duke propozuar për rival të ardhshëm në postin e të parit të shtetit Behgjet Pacollin. “Ka mundësi që Veseli edhe të këtë ndonjë synim degradues karshi Thaçit, kur dihet se ai nuk doli zëvendësues i denjë në krye të PDK-së. Sigurisht se Thaçit nuk i ka pëlqyer dhe as që pajtohet që vendin e tij ta zërë Pacolli, një figurë kjo kontraverse politike. Ai u tregua egoist edhe me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes politike me PAN-in, duke kërkuar gjithë ato poste pushtetare më aq pak deputetë. Dhe, plus si në pazar kërkoj t’i sigurohet edhe posti i presidentit të ardhshëm të Kosovës pa verdiktin e popullit, që besoj se nuk do të ndodhë, veç nëse ndodh që Thaçi të shkojë pa e përfunduar mandatin në Hagë si i dyshuar për krime lufte. Kjo është një muhabet krejt tjetër, megjithëse puna e presidentit nuk do të kalojë aq lehtë nëse mendon dikush”, u shpreh ai.”Rreth koalicionit midis AKR-së dhe PAN-it ka reaguar edhe Lista Serbe, e cila ka bërë të ditur se mund të vjen deri të ndryshimi i qëndrimit të tyre pasi ata theksuan se Ministria e Bujqësisë u është besuar atyre e jo këtë ta marrë në mbikëqyrje AKR-ja. Lista sigurisht së do të konsultohet me Beogradin zyrtar rreth hapave të ardhshëm, edhe pse mendoj së kjo deklaratë e tyre po bëhet për ta shantazhuar Qeverinë e ardhshme ‘Haradinaj’ dhe për ta rritur pazarin e vet politik rreth kërkesave, të cilat mund të vijnë”, tha Skënder Mulliqi.
Premtimet mashtruese dhe lufta për pushtet
Edhe Faton Mehmeti vlerëson se tashmë dihet se ekziston një luftë e hapur, e fshehur, në mes të Thaçit dhe Veselit dhe ky dualizëm daton qysh moti, respektivisht që nga viti 2015.”Thaçi u bë president pasi Veseli e kishte paralajmëruar se do të jetë shef në PDK. Me dëshirë Thaçi s’do të ishte bërë president kukull, pa kompetenca, pasi roli i tij si kryeministër i jepte më tepër fuqi dhe kompetenca. Lenia nën hije e Thaçit ishte edhe roli dhe qëllimi i Veselit, i cili synonte që të bëhej kryeministër duke u shndërruar në lider të pakontestueshëm jo vetëm në PDK, por edhe në Kosovë. Mirëpo, këto prognoza ia rrënuan qytetarët e vendit, duke mos e votuar PDK-në me votat që kishte më parë. Kjo ishte pikërisht ajo çfarë kërkonte Hashimi, i cili në heshtje po punonte për të rrënuar Kadriun”, tha Mehmeti. Sidoqoftë, ai ndan mendimin se ngërçi i krijuar i shkon për shtati Thaçit, i cili mori rolin e magjistarit për t”ia bërë numrat PAN-it, me futjen e AKR-së në këtë koalicion.”Thaçi nën lojën e tij gjoja se “sakrifikoi’ postin e presidentit duke ia ofruar atë Pacollit, pasi t”i kalojë mandati. Kjo është shuplakë për Veselin, të cilit Thaçi po ia bën me dije se i ka mbetur vetëm edhe pak kohë në krye të PDK-së, pasi dështimet e tij nuk i pranon anë- tarësia”, tha Faton Mehmeti.
Ndërsa analisti Blerim Burjani thotë se premtimi për pozitën e presidentit dhënë Pacollit është mashtrim klasik i bërë nga PDK-ja.”Sa i përket premtimit të presidentit, ky është mashtrim. Behgjeti asnjëherë s’do të jetë president i këtij vendi. Kadriu vetëm ia ka bërë qefin, si thuhet në gjuhën popullore, dhe nuk mund të besoj se këtu ka ndonjë paqartësi dhe raporte jo të mira në mes të shefave të PDK-së, Kadriut dhe Hashimit”, tha Blerim Burjani.
Kampi politik, i kriminalizuar
Analisti Ymret Reshiti thotë se marrëveshjet e tilla politike neve nuk duhet të na entuziazmojnë shumë, ngase përfundimi i keq i atyre marrëveshjeve politike në të kaluarën shpeshherë na ka zhgënjyer keq.”Kjo marrëveshje politike nuk përmban asnjë gjë që partnerët e koalicionit do ta bëjnë për shtetin dhe qytetarët, por ata vetëm i kanë ndarë postet shtetërore, të cilat kanë qenë brenga e tyre kryesore. Kjo marrëveshje politike i vë vulën koalicionit të krimit dhe korrupsionit që do ta qeverisë Kosovën, ngase bashkon politikanë të profileve të ndryshme të krimit si: vrasës, përdhunues, hajna, shantazhues, sekserë, spiunë, ekstremistë fetarë dhe keqpërdorues të pushtetit. E mira e kësaj marrëveshje është se definitivisht po shpenzohet ‘fondi’ i politikanëve të kriminalizuar kosovarë, të cilët po përfundojnë të gjithë së bashku në një “kamp politik”, i cili do ta qeverisë Kosovën për një kohë relativisht të shkurtër, aq sa për ta bindur popullin se këta janë e keqja e këtij shteti, që duhet me i largu nga pushteti dhe politika”, tha Reshiti për “Kosova Sot”.
Sipas tij, edhe jeta e këtij koalicioni do të jetë mjaft e shkurtër .”Unë pres që ky koalicioni të mos zgjasë më shumë se një vit dhe prapë do të kemi zgjedhje të reja nacionale. Praktika ka treguar se brenda këtij “kampi politik të kriminalizuar” në vazhdimësi po zhvillohet lufta ‘brenda llojit, prandaj jam i bindur se partnerët nënshkrues të kësaj marrëveshje njëanshëm do ta prishin para kohe këtë marrëveshje, ashtu siç kanë vepruar herët e kaluara”, ka pohuar Reshiti.
Përçarjet po dalin në sipërfaqe
Për politologun Arsim Haziri, përfshirja e AKR-së brenda marrëveshjes, si dhe premtimi i b?rë ndaj saj për postin e presidentit, gjithsesi që në shikim të parë reflekton për një lloj pretendimi për të dobësuar fuqinë e Thaçit brenda subjektit që dikur ishte shef i saj. “Gjithë aktorët e PDK-së jo që njihen për besnikëri dhe konsistencë, por veprimi i djeshëm ku i premtohet posti i presidentit është më shumë shprehje e një favori -mbështetje të madhe ndaj liderit të AKR-së. Presidenti Thaçi jo që ka qenë lideri që e ka kërkuar nevoja për të qenë në pushtet, ose që është menduar se mund të prodhojë stabilitet të brendshëm shtetëror. Por kjo figurë vazhdon akoma të qëndrojë pjesë e pushtetit, ngase kështu e ka kërkuar nevoja dhe pretendimi i homologut të tij, z. Vuçiq, duke mos përjashtuar ashtu edhe politikat rajonale, të cilat në masë të madhe i vendos interesimi evropian”, u shpreh ai. “Sa i përket ndikimit ose shtimit të kërkesave prej listës serbe ndaj koalicionit PAN, ndoshta do të mund të kishte gishte edhe Hashim Thaçi, pasi veprimet e tij të fshehta prej një gjarpri flasin për një makiavelizëm të pastër. Lista Serbe jo edhe lehtësisht mund të jetë pjesë e një qeverisje të ardhshme, mbase ato gjithnjë në kërkesat e tyre shprehin diçka çka dobëson tej mase stabilitetin e brendshëm”, tha Arsim Haziri. Ai po ashtu thotë se Kadri Veseli, në bazë të vendimeve që është duke i marrë kohën e fundit, ashtu edhe disa të dikurshme, tregon për një pretendim të konceptuar si lider i paprekshëm. “Pra, përpjekja për të qenë i pari konsideroj se do të jetë shkasi i themelor pse këta bashkëpartiakë do t’i fillojnë mes vete përçarjet politike”, tha Haziri.
Kush shkon me PDK-në, e pret debakli
Sipas analistit Ragip Guraziu, loja e Kadri Veselit, në rast se nuk ka prapavijë në mes këtyre të dyve, me Hashimin, kur kemi parasysh se Kadriun e ka angazhuar vetë Thaçi këtu ku është sot, mund të ndodhë të jetë edhe acarimi i këtyre dy bosëve të UÇK-së dhe tani njëri ish- kryeministër, por në pozitë presidenti, e tjetri ish-kryeparlamentar mund të nisen për ta luftuar njëri-tjetrin dhe tani zënkat janë të mundshme. “Gjithsesi, duhet të analizojmë thuktë ngjarjen se vetë presidenti Thaçi e ka futur në këtë lojë Kadriun dhe mos po na qesin neve qytetarëve ”hi” syve, siç thotë populli po e luajnë lojën politike Thaçi e Veseli dhe nuk e kam të qartë si iu propozua vendi i presidentit të shtetit Behgjet Pacollit në këtë marrëveshje kur unë jam i bindur se gjarprit nuk po i shihen këmbët asnjëherë, si gjatë luftës, si pas luftës dhe herën e parë me Isa Mustafën e pati shkatërruar atë koalicion, ku ndryshe tani me Behgjet Pacollin, e herën e tretë me siguri do t’i shkatërrojë koalicionet e kundërshtarit me Albin Kurtin, pak çudi, por jo edhe e pabesueshme”, theksoi Guraziu. Ai thotë se gjithsesi që do të përpiqet tani Thaçi ta minojë marrëveshjen e koalicionit PAN-AKR, edhe atë përmes lidhjeve të tij me presidentin serb, Vuçiq, i cili mund të influencojë Listën Serbe që të largohet nga koalicioni PAN, çka sërish mund të rezultojë me mungesë numrash. “Tani Lista Serbe do fitojë këtu shumë më shumë, sepse ajo mund të shkojë në anën e kundërt dhe t’i sjellë probleme koalicionit në fjalë”, potencoi Guraziu.
(Kosova Sot)


