Verorja e këngëve legjendare
Nga Shefik Shkodra, për Beqir Musliun, poetin e veçantë
II
Një top nxehtësie sjellë stina e pjekurisë edhe në shpirt
krejt fushat ngjallin frytet e jetës njerëzore në rrjedhë
me dritën e parë arrijnë argatët të mbledhin bukën e re
Dhe qyteti si në vegime krejt gri përgjumur pas agimit!
Një ditë nuk do të ketë më kohë për rrëfime romantike
as për idilin as për ato vuajtjet e Prometheut nga risitë
as për robërimin e shpirtit q’e bartën këmbët n’katandi
Rubairat veç u recituan herë pas here me ndjeshmëri!
Antika përngjante me enë qeramike e bludat e drunjta
pak qumësht e vezë një kore bukë mbrume kishte gdhi
Sheherzadja fustanin deri n’zog këmbe shkelte çarshinë
Ngjizen përrallat në parahistori ç’amshim shekullor!
Një ditë e një çast i mori shtrojë e mbulojë me vete fakiri
sall me ëndrrat e ruajtura peng në shtratin e vetmisë
me kujtimin e dritave të qytetit për herë të parë fëmijë
Klitemnestra e goditi solemnitetin natën intime për fund!
Një sekondë do t’i ndryshojë krejt gjësendet e gjallesat
pemët arnicave, delet ograjave, krojet maleve me ngjyra
as njerëzia nëpër stinë nuk do ta shohë atë diell të verdhë
Ifigjenia ra therore për kalorësinë deri te Fusha e Mallkimit!
Një ditë a një natë figura e gjësende marrin peshë plumbi
as libër e fletore as bojë pene asnjë torbë në vend t’vet varë
sikur humbet dimensioni truporë – s’do të ketë për ta masë
Dardania priti kot pas emërimit antik për shqipen e Pirros!
Një ditë e një çast s’do të përmendet as rrugëtimi i Odisesë
këngëtimi i kaliepikut nuk i prek urrejtësit as saksitë me lule…
një lumë i ri do t’i shkrijë kalorësí dhe këmbësorí në beteja
Polifemi zgjohet prej gjumi i ngacmuar nga shpella e vet!
Shkëmbinjtë fishkëllejnë një ane të veshit e herë tjetrës
dhe shkurtabiqët fshihen në zgavra nga rreziqe të tilla
pas pushimit të rrëmujës enden si profetë me krenari
Ç’tradhti nga dehja me ujin e Letes ushtarët i zu gjumi!
Historia do t’i hipë rrotës evolutive në shpejtësi kush di
gurët zënë vendin e njerëzve-meshkuj e gratë i dëbon
timbri i fundit i një dite lakmie shtrirë mbi atë kali-qyqe
Dirigjenti shndërrohet në shtyllën e mermertë të hollit!
Një ditë një çast në sallë s’ka kush i numëron as valltaret
Dasma ndoshta s’do të ngjajë me ndodhitë e Trojës mizore
as dashuritë me Kleopatrën mëkatare ambicioze e xheloze
Gjarpri kreu detyrën e vet – helmi u ngjiz në gjak njeriu!…
As rrëmbimi i Helenës nuk do të jetë aq i vëmendshëm pra
nga Kali i Drunjtë copat e të cilit u shndërruan në mit tradhtie
– mos një ditë do të humbet kuptimi i Fushës së Mjellmës
Vel’ i zymtë sërish do të mbështjellë dëshirë zëri dhe syri!
III
Deri te mbretëria jote ishte rrugë me hendeqe e mundimshme
oborret plot me roje kipci e portat të mbyllura me gur sezami
taborret gatiteshin për mundje kundërshtari në fushë mejdani
Kalorësia përballej me veten në skuta e tejkalime istikamesh!…
Një kohë të vrugët me diell të zbehtë nëpër ara e arnica
Bozhuret grunajave rriteshin e zogu në korrik nuk heshti
po s’pipëtinte robëresha për dashurinë e Bukurisë së zezë
E Darka e magjisë do të shndërrohet në këngë me lahutë!
Me zinxhirët e rëndë e shihnim rrugën deri te ajo galeri
me shumë ornamente antike e relikte magjike si shfrim
shpirti me përralla për qëndresë mbahej nga fjalët pa zë
Mijëra herë boria thirri e jehoi aq larg botës e ti s’dëgjove!
Me ndjekjen e Shenjtit ndiheshe me më pak drojë e frikë
këmbët vetë të çonin me qëllim te muzeu shumë i pasur
para dere rrogonim për fëmijët nga rreziqe të mistershme
Harroje se përralla shtrihej përtej si enigmë e botës sate!
Vështirë të recitohet krejt udhëtimi dhe përleshja e Viganit
as Gjergjelez Alisë nuk iu përthanë plagët e moçme trupit
kthimi i Ajkunës shtatë konakë larg deri n’gjini me Halilin
Ra shkrumbi i universit shtrirë gjerë e gjatë nga uragani!
IV
Ndër balada verore forcë gjaku rrjedh si nga guri kështjelle!
Ka mbetur edhe ndonjë përshëndetje e parë krejt pathënë
në Pazar a te plepat që s’janë më për lojë e për dashuri
me porosi që të mos njiheshe nga bota e gruaja e përdalë
Dhe asaj frymës së fundit që s’mund t’i iket për asnjë çast!


