Liderët e sollën Republikën buzë greminës
Odisejada e mbetjes së Kosovës pa institucione pas zgjedhjeve ka rrezik të vazhdojë deri në pakufi, duke rrezikuar madje edhe përsëritjen e mbajtjes së zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare së bashku me ato lokale më 22 tetor, nëse dështon edhe një seancë e radhës e fillimit të muajit shtator.
Analistët politikë theksojnë se tanimë qytetarët janë të stërlodhur me talljet e pritshme që kjo klasë politike po i bën në dëm të tyre. Prandaj e vetmja zgjidhje e fundit e daljes nga kjo krizë shihet marrëveshja politike, apo edhe një imponim ndërkombëtar, për një qeveri teknike, me një kryeministër apolitik, me agjendë të qartë njëvjeçare deri dyvjeçare, gjatë së cilës periudhë do të zgjidheshin problemet e mëdha që po barten nga njëra qeveri në tjetrën, që nga 2007-a, e që janë: VETTING-u i Gjyqësorit dhe Prokurorisë, si dhe në të gjitha institucionet e shtetit, prej atyre komunale e deri tek ato qendrore, dekriminalizimi, reforma e plotë zgjedhore, heqja urgjente e monopoleve kriminale, liberalizimi i tregut të lirë, dhe dhënia e mosbllokimi i licencave për punë dhe i lejeve të ndërtimit… e shumë e shumë çështje të tjera që janë në interesin e vendosjes në binarë të shëndoshë të zhvillimit të vendit.
Qeveria teknike, zgjidhje e duhur
Analisti politik Florim Zeqa thotë se Kosova nuk guxon të mbetet edhe më tutje peng i bllokadave dhe “ngërçeve” artificiale të liderëve të korruptuar partiakë, sepse edhe qytetarët e vendit janë lodhur e rraskapitur me talljet e përditshme që po ua bën klasa e papërgjegjshme politike, e cila për kënaqjen e egos së saj për pushtet po e dëmton shtetin dhe rëndon jetën e qytetarëve.”Sa më gjatë të mbetet vendi pa institucione, aq më të gjata dhe të dhimbshme do të jenë pritjet dhe vuajtjet e qytetarëve të varfër të Kosovës. E vetmja zgjidhje për vendin ka mbetur krijimi i një qeverie teknike me një kryeministër apartiak, njohës të mirë të rrethanave politike në vend, me një agjendë të qartë1-2-vjeçare për zgjidhjen e problemeve të akumuluara ndër vite, të cilat për fatin e keq të vendit janë bartur nga njëra qeveri tek tjetra nga viti 2017 e këndej, siç janë: VETTING-u i Gjyqësorit dhe Prokurorisë, përfshirë edhe të gjitha institucionet e tjera të vendit, dekriminalizimin e politikës, reformën e thellë dhe substanciale të sistemit zgjedhor që përcakton qartë zgjedhjen e presidentit nga populli, largimin e monopoleve të grupeve kriminale dhe mafioze, liberalizimin e plotë të tregut, zhbllokimin e licencave për punë dhe leje ndërtimore sipas kritereve të përcaktuara nga rregulloret dhe ligjet strikte shtetërore. Vetëm kështu do të fillonte shkapja e shtetit nga uzurpatorët, nga klanet mafioze, nga oligarkët politikë dhe ekonomikë, nga hajdutët dhe kriminelët e të gjitha ngjyrave”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.
Partitë e dëmtuan shumë vendin
Edhe analisti politik Ali Hertica thotë se në rast të dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit dhe të votimit të Qeverisë, atëherë zgjidhja e vetme do të mbetej një qeveri teknike, me kryeministër apolitik, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme së bashku me ato lokale.”Dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës akoma nuk ka qeveri, e cila do të duhej të merrej me çështjet madhore të shtetit, ku e gjithë kjo tentativë për t’i themeluar institucionet po vërehet se ka dështuar disa herë, që nga veprimi i parë për ta konstituuar Parlamentin të ri e shkuar tutje. I gjithë ky prolongim po ndodh nga egoja për pushtet nga subjektet politike, nga lakmia për t’i zënë kolltukët”, u shpreh ai. “Është përgjegjësi serioze e liderëve kosovarë nëse nuk arrijnë të krijojnë institucionet, por edhe të ndërmarrin reformat e nevojshme që të dalin nga ky ngërç politik, i cili do të sjellë pasoja në të ardhmen, për shoqërinë dhe shtytjen e proceseve përpara drejt trokitjes në derën e BE-së që të jemi pjesë e kësaj familje demokratike”, tha Ali Hertica. Pro qeverisë teknike është edhe Faton Mehmeti, sipas të cilit partitë aktuale e kanë humbur të drejtën morale për të qeverisur me Kosovën, pasi i kanë bërë shumë dëme të mëdha vendit.”Të gjithë pa përjashtim, shfrytëzuan pushtetin si mundësi për të gllabëruar çdo gjë që iu del përpara. Vetë fakti se qytetarët dalin në zgjedhje në numër afërisht 38 % tregon se qytetarët e rëndomtë nuk janë të lidhur me pushtetin. Edhe kjo shifër që del në zgjedhje janë kryesisht njerëz që janë të lidhur direkt me partitë politike, duke përfshirë këtu edhe të vdekurit e që fatkeqësisht rezulton të jetë pastaj pushtet jo i qytetarëve, por i oligarkëve dhe bandave që janë të lidhur me të. Rezultati i fundit tregoi se qytetarët janë të lodhur dhe duan ndryshime, ndryshime nga ata që e kanë kapur shtetin dhe po e përdorin si të duan”, theksoi Faton Mehmeti.
Sovrani mund të flasë sërish
Këtë opsion të qeverisë teknike nuk e sheh të pamundur as politologu Arsim Haziri.”Unë gjykoj se për kohën që jemi qeveria teknike do të ishte rruga e vetme, mirëpo jo edhe mundësia relevante për zhvlerësimin e klasës, e cila mban faturën për çorientimin e vendit në çdo aspekt”, u shpreh ai.”Qeveria teknike është domosdoshmëri e kohës, e cila arrin t’i eliminojë ndasinë e fuqishme politike, ashtu edhe vendos në ekzekutivin e vendit të një figure, pa peshë politike, kjo do t’i printe tejkalimit të kësaj krizë dhe zgjidhjen e tri çështjeve, atë të demarkimit që lidhet me çështjen e vizave, asociacionin e komunave serbe, si dhe transformimin e FSKA-së në FAK”, tha Arsim Haziri. Ka edhe zëra që janë kundër qeverisë teknike dhe kërkojnë me ngulëm jetësimin e rezultatit zgjedhor në krijimin e institucioneve. Sipas Albrim Badallajt, kjo stërzgjatje e mosformimit të institucioneve paszgjedhore na dërgon drejt një përgjigjeje, e cila do të zhbllokojë situatën, e që është mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme së bashku me ato lokale. “Në këtë situatë, kur siç po duket numrat janë bërë, zvarritja e procesit të formimit të Qeverisë ka një arsye dhe ajo është se partitë e mëdha kanë vullnet për të shkuar në zgjedhje. Klasa politike tek ne duhet të mësohet që problemeve që i kanë krijuar vetë t’u japin zgjidhje vetë dhe të mos presin imponime nga bashkësia ndërkombëtare, qoftë edhe përmes prurjes se një “kryeministri të zarfit”, ndaj të cilit duhet të jemi kundër, për arsye se kemi kaluar në një proces zgjedhor demokratik, të vendosur nga sovrani dhe po ashtu Kosova nuk është në një gjendje të jashtëzakonshme në aspektin e sigurisë apo edhe në rrafshin politik, meqë kjo situatë mund të zhbllokohet përmes zgjedhjeve të reja”, tha Badallaj
Kosova e varfër nuk i përballon krizat afatgjata
Edhe politologu Gurakuq Kuçi konsideron se kriza e tanishme politike nuk është tipike politike, e aq më pak krizë për mospërputhje programore, ideologjike e konceptuale, por kjo krizë është tipike krizë e posteve, individëve dhe partive për pushtet.”Pastaj kemi të ndarë tre taborë, tri interesa të ndryshme, të cilët nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin gjithnjë me vetëdijen për t’i bërë dëme tjetrit, pra nuk jemi në një fazë sikur Norvegjia, që e ka kaluar një gjendje 18 mujore pa qeveri për shkaqe programore, por jo krizë. Pastaj ne jemi para disa politikanëve të cilët marrjen e pushtetit e konsiderojnë si privilegj dhe jo përgjegjësi para qytetarëve dhe temat e mëdha si Asociacioni, Demarkacioni, Ligji për dekriminalizim, për zgjedhje, për parti politike, etj., janë çështje që i përçajnë edhe vetë taborët e tanishëm politikë. Të gjitha këto e shumë arsye të tjera e bëjnë të pamundur që zgjidhja të gjendet tek krijimi i një qeverie teknike”, theksoi ai.”Zgjidhja më e mirë nga të këqijat tani është krijimi i institucioneve nga PAN-i, të cilat nuk do të kenë një jetëgjatësi më shumë se dy vite, duke parë ndërtimin e tyre, ose të shkohet me një zgjidhje me qeverisje teknike, që na dërgon në zgjedhje të reja në pranverë të vitit të ardhshëm, duke i dhënë kohë edhe KQZ-së për përgatitje më të mira”, tha Kuçi për “Kosova Sot”.
Kushtetuta të reformohet
Analisti Skënder Mulliqi po ashtu kërkon që politika t’i vërë gishtin kokës, të mos e thellojë tutje krizën politike, për t’i krijuar institucionet me marrëveshje serioze politike dhe t’u qaset reformave që eliminojnë në të ardhmen bllokada të ngjashme, duke reformuar sistemin zgjedhor dhe atë kushtetues si pako e tërësishme.”Kohën për reforma kushtetuese dhe reformë zgjedhore e shpërfaqën zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme nacionale. Pa reformë kushtetuese dhe reformë të ligjit zgjedhor nuk do të ndalen manipulimet dhe interpretimet sipas tekeve dhe dëshirave të subjekteve politike shtetndërtuese. U pa ashiqare se edhe pas këtyre zgjedhjeve po kemi interpretime të ndryshme të Kushtetutës. Për t’i eliminuar të gjitha lojërat kushtetuese, legjislaturës së re detyrë primare i mbetet të bëhen ndryshime kushtetuese”, është shprehur ai. “Krizat politike, të cilat po prodhohen janë produkt edhe i mosndryshimit të ligjit zgjedhor. Dihet se një zonë zgjedhore po i hyn në funksion kësaj garniture pushtetare dhe të parëve të partive politike, për të mbetur sa më gjatë në pushtet dhe po ashtu të manipulojnë brenda subjektit të caktuar politik me votat e deputetëve. Legjislatura e re nuk arrin askund nëse nuk bën po ashtu reforma rrënjësore në drejtësi, si hallka më e dobët e pushtetit, nëse nuk i aprovon Ligjin e dekriminalizmit, Ligjin e Vettingut, ku do të spastroheshim nga elementet kriminale dhe korruptive”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”
(Kosova Sot)


