Heronjtë vdesin për të sprovuar të gjallët
Nga Emin Azemi – Liria mund të konceptohet në mënyra të ndryshme. Por, procesi më i vështirë i triumfit të lirisë është kur armiku i jashtëm zëvendësohet me një demiurg të brendshëm. Të mposhtësh lakmitë e brendshme, thonë psikologët, është lufta më e vështirë e individit. Okupimi nga antiheronjtë mund të jetë vazhdimi i një lufte të pashpallur. Kauza kundër këtij okupimi do të duhej të jetë liria e vërtetë për të cilën janë flijuar luftëtarët e UÇK-së. Alternativa e luftës për liri është vetëm flijimi, por jo edhe zhvatja.
Muaji maj është trajektorja që bashkon kujtimin me obligimin, respektin me përkujdesjen institucionale për ata që flijuan jetën për liri dhe për familjarët e tyre. Morali i çdo lufte matet me aftësinë për të evituar humbjet dhe revanshizmat. Drejtuesit e ish- UÇK-së në Maqedoni u treguan tepër të kujdesshëm kur nuk u futën në grackën e inateve ballkanase për të fshirë kufirin në mes të popujve dhe politikave diskriminuese. Mund të jetë, mbase, lufta më e pastër që është zhvilluar ndonjëherë gjatë historisë dhe këtë e kanë dëshmuar me gojën e tyre vetë përfaqësuesit e komunitetit maqedonas në zonat e prekura nga konflikti.
LUFTA PËR LIRINË VAZHDON… : Është shumë lehtë të bësh luftë të pistë, por është tepër zor të bësh luftë të pastër. Lufta e pastër kërkon vetëpërmbajtje edhe atëherë kur e ke fuqinë e armës në dorë, edhe atëherë kur ligjin e bën vetë. Imazhi i luftëtarit të UÇK-së ishte vazhdimi i një projeksioni në ëndrrën e kamotshme të Rilindasve shqiptarë për të jetuar në harmoni e paqe me popujt fqinjë.
Lufta për lirinë, por me mjete politike, vazhdon edhe sot. A janë të lirë vetëm ata që nuk i pengon askush të abuzojnë me pozitën e pamerituar zyrtare? Apo, të lirë duhet të jenë edhe ata që kritikojnë devijimet që ndodhën pas luftës së lavdishme të 2001. Të lirë duhet të ndjehen (por dhe të jenë në praktikë) edhe ata që kërkojnë të zbardhen vrasjet që ndodhën pas luftës së 2001. Të lirë duhet të jenë edhe ata që kërkojnë të formohet qeveri jo në bazë të kënaqjes së nevojave individuale dhe cicmiceve kadrovike, por në bazë të marrëveshjeve që do të jetësohen me përpikëri në praktikë.
Sot kur kujtojmë 12 vjetorin e luftës së UÇK-së, nuk na shkon mendja të heqim as edhe një miligram nga burrëria, trimëria dhe vetëflijimi i atyre që në 2001 në vend se të flinin rehat diku larg zonës së rrezikut, ata, megjithatë, u bënë një me epopenë e lavdisë për të sjellë në këto troje lirinë e munguar dhe të cunguar.
Mirëpo, realiteti jo gjithmonë është epikë dhe njerëzve kur u mungon buka në shtëpi kërkojnë zgjidhje nga ata që i kanë zgjedhur dhe që aktualisht mbajnë poste të larta në komunë, në qeveri, në drejtori të ndryshme.
Papunësia dhe jeta me ndihma sociale është bërë apoteoza e një kohe të pamundur për jetë të dinjitetshme. Nuk janë të pakt edhe ata që presin ndonjë lëmoshë nga të afërmit nga kurbeti, ose bëhen pre e mashtrimeve të ndryshme për të ikur rrugëve të Europës.
Të rinjtë pa punë, pleqtë pa pension, amviset me maxhet gjysmë të zbrazura, kjo është tabloja shpirtërore, psikologjike e sociale e disa rajoneve të prekura dikur nga lufta. Paperspektiva e këtyre rajoneve, edhe 12 vjet pas konfliktit të 2001, është “këmisha” e qullosur me djersët e pritjes që përshkon trupin e lodhur të njeriut të kësaj ane. Atëherë kur u desh të bëhet mburojë për të shpëtuar një strategji ushtarake, ky njeri nuk kurseu as jetën, kurse sot është shndërruar në një figurë pa shpresë që nga komandanti i derdhur në bronze kërkon ndërmjetësim për punësim, sepse partia në pushtet punëson vetëm ata që janë të afërt me kreun e degës dhe nëndegës. Ata që janë larg këtyre degëve, përfundojnë në tokë dhe saora shkelen pa mëshirshëm nga “dinozaurët” e partisë, të cilët erdhën nëpër poste këmbëzbathur dhe tash ngulfaten në sediljet e lëkurta të automobilave të shtrenjtë. Nuk janë të paktë ata që kanë lindur pa fat, sepse assesi të nxisin mëshirën e partiakëve qallëmxhinjë. Po të ishin gjallë disa nga heronjtë, ndoshta këta qallëmxhinjë nuk do të kishin shans të dilnin në sipërfaqe. Kështu është fati i heronjve. Ata, vdesin për të sprovuar ndërgjegjet e të gjallëve.
KUR ARMIKU I JASHTËM ZËVENDËSOHET ME NJË DEMIURG TË BRENDSHËM: Në aspektin psikologjik, liria mund të konceptohet në mënyra të ndryshme. Por, procesi më i vështirë i triumfit të lirisë është kur armiku i jashtëm zëvendësohet me një demiurg të brendshëm. Të mposhtësh lakmitë e brendshme, thonë psikologët, është lufta më e vështirë e individit.
Realiteti ynë, fatkeqësisht, është i mbushur plot me tipa që në luftë u treguan heronj, kurse në paqe u mundën nga lakmia dhe paraja. Heronjtë e luftës u shndërruan në antiheronjë të paqes. Ata janë më të zëshmit në kundërshtimin e zërave kritikues në media dhe në shoqërinë civile. Privilegjet e fituara me kollajllëk në paqe, kanë prodhuar irritim të paparë tek shtresat e gjëra të njerëzve dhe nuk janë të paktë ata që shtrojnë zëshëm pyetjen: “pse u bë lufta?”.
Gjithmonë do të ketë pyetje të vështira, por liria e një populli matet pikërisht me gatishmërinë për të dhënë përgjigje edhe atëherë kur dikujt ajo nuk i konvenon.
Okupimi nga antiheronjtë mund të jetë vazhdimi i një lufte të pashpallur. Kauza kundër këtij okupimi do të duhej të jetë liria e vërtetë për të cilën janë flijuar luftëtarët e UÇK-së.
Alternativa e luftës për liri është vetëm flijimi, por jo edhe zhvatja.


