UBT

Haraç-Ekonomia

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Agron Demi – Apo, si po i shantazhon vetë shteti investitorët e huaj?. Ditë më parë, u raportua edhe për një rast të rëndë të kërcënimit të investitorëve të huaj. Investitorit “Solar+Wind Kraftwerksgesellschaft Sh.p.k.” iu kërkua haraç prej 300 mijë eurosh në muaj. Ky nuk është rasti i parë dhe, duke parë neglizhencën e institucioneve, me siguri nuk do të jetë edhe rasti i fundit.

Haraçi në Kosovë është bërë pjesë e të bërit biznes. Para se t’i kërkohej haraç kompanisë “Solar+Wind Kraftwerksgesellschaft Sh.p.k.”, haraç iu kërkua edhe kompanisë britanike ‘Fox Marbles”, lajm i cili bëri bujë edhe në mediat ndërkombëtare, me ç’rast Reuters e krahasoi ambientin e investimeve në Kosovë me atë të “Perëndimit të Egër”. Raste të shumta të haraçit janë identifikuar dhe raportuar nga Odat Ekonomike, të thirrura për mbrojtjen e investitorëve të huaj. Këto organizata, në shumë raste publikisht kanë shprehur shqetësimin e tyre se si bizneseve po u kërkohet haraç.

Nëse kërkoni në internet me fjalët “invest+Kosova”, më së larti në listë të kërkimit do të ju shfaqet uebfaqja e Agjencisë Kosovare për Promovimin e Investimeve. Por nëse klikoni në të, nuk mund të merrni asnjë informatë ngase “uebfaqja është në konstruktim e sipër”. Pas saj, uebfaqja më e vizituar për investimet në Kosovë është ajo e cila bën thirrje për të mos investuar në Kosovë apo dontinvestinkosovo.com. Kjo uebfaqe është krijuar disa vite më parë, si revoltë e një investitori norvegjez i cili pretendonte se i është bërë e padrejtë në rastin e një tenderi në PTK. Rastet e vazhdueshme të haraçit, vetëm i përforcojnë edhe më shumë thirrjet e shumta për të mos investuar në Kosovë.

Hidromorava

Por si arrijnë grupet kriminale t’u vënë haraç investitorëve të huaj dhe vendorë? Thjesht: duke bashkëpunuar me zyrtarët shtetërorë, qoftë në nivel të administratës, qoftë në nivele më të larta qeverisëse. Për investimet e mëdha, siç janë investimet në fushën e energjisë (hidrocentrale, centrale solare dhe të erës, etj.), shpeshherë investitorëve u nevojitet shpronësim i pronave apo edhe garanci bankare se investimi do të kryhet në bazë të licencës së dhënë (nëse arrihet deri te marrja e licencës për punë). Në rastet kur kemi të bëjmë me shpronësime, në bazë të Ligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme, kërkohet që investitori të ofrojë garanci bankare e cila garanton se investitori i ka të gatshme mjetet për shpronësim të pronave. Në këso rastesh, investitorët, në dosjen e aplikimit për licencë, u duhet të ofrojnë edhe dëshminë se në xhirollogarinë e tyre kanë të gatshme miliona euro të nevojshme për shpronësim dhe fillim të investimit. Por, kush i garanton ata se ajo dëshmi bankare do të mbahet sekret? Askush. Në këtë mënyrë, grupet kriminale, lehtë identifikojnë ata investitorë të cilët kanë para të gatshme në xhirollogaritë e tyre dhe madje e marrin vesh edhe shumën e saktë të mjeteve të deponuara. Përndryshe, si do të arrinin këto grupe kriminale që të vendosin haraç prej 300 mijë eurosh në muaj, nëse nuk do të ishin të sigurt se një kërkesë e tillë “mund të jetë e përballueshme për investitorin”? Në këtë mënyrë, vetë shteti i vë në rrezik investitorët e huaj.

Rastet e këtilla bëjnë që çdo investitor, para se të investojë në Kosovë, të llogarisë se sa do të paguajë në taksa formale (shtetit) dhe sa do t’i duhet të paguajë për t’i qetësuar grupet kriminale (strukturën jozyrtare, por të pushtetshme). Një investitor i humbur në këtë mënyrë, nuk do të kthehet kurrë, sado që ne arrijmë ta përmirësojmë ambientin e të bërit biznes.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)