Uji Dea

Edhe me kompani vendore

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Ibrahim Rexhepi – Në vitet e para të pasluftës, kur shpenzoheshin shumë para për rindërtimin e vendit, punët më të mëdha i morën kompanitë e huaja. Ato kosovare ishin të bllokuara për pjesëmarrje, meqenëse përmes tenderit kërkohej që të kenë referencë së paku 4-5 vjeçare në punët për të cilat konkurrojnë.

Ndërkaq, që të gjitha kompanitë sapo ishin regjistruar, meqenëse nuk kishte ndonjë dokumentacion, apo mundësi të tjera të sigurohej dëshmia për punën e tyre që kishin bërë në vitet e paraluftës. Apo, ato ofertës duhej t’ia bashkëngjitnin dokumentacionin në çirilicë. Me fat ishin ndërmarrjet e reja që kishin arritur të krijonin raporte partneriteti me ndonjë kompani që vinte nga jashtë. Për ilustrim po përmendim se në tri vitet e para riparimi i rrugëve (me asfalt të vjetër) bëhej kryesisht nga kompanitë italiane.

Diçka e ngjashme po ndodhë edhe tash, por në rrethana krejtësisht tjera. Tash bëhet fjalë për tender të mëdhenj, si në ndërtimtari, apo për privatizimin e ndërmarrjeve publike. Po përkujtojmë se me rastin e nënshkrimit të kontratës miliardëshe ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit “Bechtel & Enka” për ndërtimin e autostradës, ishte premtuar se kompanitë vendore do të marrin së paku 40 për qind të punëve. Më vonë doli se krejt kjo ishte një deklaratë sa për të arsyetuar projektin që po qëndron si barrë e rëndë për buxhetin e vendit dhe për të kundërshtuar deklaratat, sipas të cilave, kosovarët pak do të përfitojnë nga ky projekt.

Kundërshtime të ashpra ka nxitur edhe mënyra e shitjes së 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Dyshimi i parë vjen nga arsyeja për shitjen e kompanisë që secilin vjet në buxhetin e shtetit i dha së paku 40 milionë euro. Kjo u pasua edhe me debatet rreth asaj se kush janë blerësit- janë kompani serioze, apo spekulantë, i takojnë degës së telekomunikacionit, apo punojnë në stilin “blej lirë, e shit shtrenjtë”, ose nën maskën e tyre fshihen kompani kosovare, të cilat nuk kanë guxim që të dalin me emrin dhe mbiemrin e vërtetë.

Befasia më e këndshme ishte kur me rastin e hapjes së ofertave të kompanive që kishin shprehur interesim për pjesëmarrje në tender u përmend edhe emri i kompanisë vendore – “Ekos Group”. Sado që kjo ofertë ka mundur të interpretohet si kafshatë e madhe për një biznes të ri në Kosovë, apo megalomani e pronarit të saj, megjithatë ajo, në rend të parë ka reflektuar guximin për përballje me një konkurrencë të ashpër.

UBT

Tash, në vargun e shumë emrave të ndërlidhur me ofertën e lehtë 277 milionë euro përmendet edhe një kompani tjetër “Ecotrade”. Sërish, nga aspekti biznesor, por edhe i interesit të përgjithshëm asgjë nuk duhet të ketë të keqe. Madje, është një hap i madh i një kompanie nëse ka ndërtuar partneritet me kompani gjermane, apo amerikane. Me kusht që partneriteti, oferta, tenderi dhe gara konkurruese të zhvillohet brenda kufijve të korrektësisë.

Sado që është përgënjeshtruar pjesëmarrja e kompanisë “Ecotrade”, por , edhe sikur të ishte e vërtetë vetëm sa do ta fuqizonte potencialin kosovar për krijimin e një dimensioni të ri në marrëdhënie me partnerët nga jashtë. Meqenëse, dorën në zemër, Kosova nuk ka shumë kompani që mund të jenë reprezentues të fuqisë ekonomike të Kosovës. Këtë epitet nuk mund ta bartin shumë kompani, por dëmi më i madh ndodhë atëherë kur vihen nënë dyshim të gjitha përpjekjet për të dalë nga klishetë e biznesit provincial.

Është fatkeqësi pse Kosova nuk ka kapacitete, por as vullnet të mjaftueshëm që të hulumtojë të gjitha parregullsitë e tenderit për shitjen e aksioneve të PTK-së. Madje, këtë nuk mund ta bëjë asnjë komision hetimor i Kuvendit të Kosovës, meqenëse ai në rend të parë nuk do të jetë profesional. Ndërkaq, në rrethana më normale, me përparësi të shumëfishta do të ishte që PTK-në ta blejë ndonjë kompani vendore, në partneritet me ndonjë subjekt të fuqishëm ekonomik nga telekomunikacioni, apo ndoshta edhe Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës. Nëse me kursimet e kosovarëve mund të blihen aksione të kompanive të ndryshme në tërë botën, pse atëherë të mos futen edhe në aksione të PTK-së.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)