Alternativa e Beogradit dhe “fitorja” e Prishtinës
Nga Adrian Çollaku – Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë në pikën më kritike prej se kanë filluar vitin e kaluar. Dy kryeministrat, të cilët i kryesojnë delegacionet e bisedimeve, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, janë para një sfide shumë të vështirë.
Për dallim nga kryeministri kosovar, i cili po ndjehet më i relaksuar në këto bisedime, madje duke i bërë thirrje zyrtarëve shtetëror serbë që ta nënshkruajnë marrëveshjen, shefi i qeverisë serbe, duket se e ka punën shumë “pick”. Siç është mësuar edhe nga burime ndërkombëtare, Serbia duhet me çdo kusht që të pranojë marrëveshjen deri më 27 prill, kohë kur pritet të mblidhen përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për dhënien ose jo Serbisë, datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Ose në të kundërtën, Serbisë me gjasë nuk do t’i jepet data për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas burimeve ndërkombëtare, është mësuar se Serbia pos që rrezikon ta humbë një shans historik për t’iu përafruar BE-së, shteti fqinj gjendet edhe në një krizë financiare, e cila ka rrezik që në pjesën e dytë të vitit të mos mundë t’i paguajë as pagat e sektorit publik.
Pra, ajo gjendet para situatës, që nëse nuk e nënshkruan marrëveshjen me Kosovën, të humbë BE-në dhe mbështetjen e saj financiare, dhe në këtë mënyrë automatikisht të futet në një krizë financiare dhe të fillojë orientimin drejt Rusisë.
Në këtë situatë, Kosova do ta dalë “fituese” para bashkësisë ndërkombëtare, në kuptimin e gatishmërisë për të arritur marrëveshje me Serbinë. Por, që nuk do të fitojë në raport me përafrimin me BE-në, për faktin se shtetet anëtare të BE-së kërkojnë plotësimin e kritereve, qoftë për liberalizimin e vizave, qoftë për MSA-në.
Fitore, delegacioni i Kosovës në bisedimet me Serbinë, do ta quajë zgjidhjen e problemit të veriut brenda Pakos së Ahtisaarit, e cila edhe ashtu parasheh kompetenca të një autonomie për serbët. Por, që në këto bisedime kjo pako është tejkaluar me krijimin e Fondit për Veriun, i cili i jep asaj pjese elemente shtesë të një autonomie substanciale.
Megjithatë, draft-marrëveshja e paraqitur nga ana e Bashkimit Evropian për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe të Veriut është në përputhje të plotë me Pakon e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Kosovës. Ai asociacion nuk ka kompetenca as ekzekutive e as legjislative.
Edhe vetë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, dy ditë para takimit të radhës të bisedimeve në Bruksel tha se draft-marrëveshja e paraqitur nga Brukseli është e papranueshme.
Ai u ka thënë mediave serbe se “e tillë çfarë është marrëveshja me Prishtinën, nuk mund ta nënshkruajmë, dhe do të përpiqemi ta përmirësojmë” duke paralajmëruar se vendimi mbi fatin e marrëveshjes do të merret sot në mbledhjen e Qeverisë. Ai ka bërë të ditur se në Bruksel do të shkohet në qoftë se pranohet të nënshkruhet marrëveshja. Në të kundërtën sipas tij, nëse nuk pranohet, vendimi i qeverisë në formën me shkrim do t’i përcillet Brukselit.
Edhe kryeministri serb e ka pranuar se marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe për këtë, sipas tij, kjo marrëveshje është e papranueshme.
Dhe pikërisht kjo “pajtueshmëri” me Kushtetutën, nga ana e Prishtinës po konsiderohet si një fitore, ndonëse liderët tanë po harrojnë se Pakoja e Ahtisaarit ka qenë një kompromis i dhimbshëm.
Përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet me Serbinë nuk duhet të vetëkënaqen se po dalin “fitues” në këto bisedime, për faktin se ne po flasim për një territor tonin, për një pjesë të vendit tonë. Madje, ata duhet të marrin mësim nga kjo marrëveshje, e cila u mbështet fuqishëm nga vendet mike, që Kosova të mos lëshojë pe, në mënyrë që edhe në bisedimet e mëtutjeshme, liderët tanë të mos dalin përtej kornizave kushtetuese dhe kundër interesave të vendit tonë.


