ARKATANA

Degradimi i shprehjes poetike

/ 21 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Sinan Sadiku – Shefik Shkodra: “Zjarri poetik” (antologji) – botoi SH.B. “Sogjetime”, Gjilan 2017. Këto ditë doli nga shtypi libri “Zjarri poetik” (antologji), i hartuesit Shefik Shkodra, një përzgjedhje me pretendime antologjike me poezi të krijuesve që jetojnë ose e kanë origjinën nga komuna e Dardanës.

Zakonisht hartuesit e antologjive në antologji nuk i përfshijnë poezitë e veta. Shembull konkret e kemi Agim Vincën i cili i ka hartuar disa antologji dhe në asnjërën prej tyre nuk i ka përfshirë poezitë e veta. Krejtësisht ndryshe ka vepruar hartuesi i “antologjisë” për të cilën jam duke shkruar, i cili jo vetëm që ka përfshirë poezitë e veta, por nëse i besojmë përzgjedhjes së tij, i njëjti del të jetë poeti më i mirë i komunës së Dardanës! Më i mirë se Halil Matoshi, se Bajram Kosumi… !

Tri çështjet kryesore me të cilat përballen hartuesit e antologjive janë: përzgjedhja e poetëve, poezitë e të cilëve përfshihen në antologji, numri i poezive me të cilat përfaqësohet secili poet dhe përzgjedhja e poezive më të bukura nga poetët e prezantuar. Që të tri këto çështje hartuesi i “antologjisë” në fjalë i ka zgjidhur keq, madje shumë keq.

Poetët poezitë e të cilëve janë prezantuar

Në libër janë prezantuar poezitë e 25 poetëve. Me nga 4 poezi janë prezantuar dy poetë: Ibrahim Ibishi dhe Muharrem Shahiqi; me nga 3 poezi janë prezantuar tetë poetë: Alketë Spahiu, Hysen Këqiku, Mustafa Spahiu, Nebih Bunjaku, Nexhat Rexha, Shaban Cakolli, Shaip Krasniqi dhe Shefik Shkodra; me nga 2 poezi janë prezantuar nëntë poetë: Baki Krasnqi, Haki Bunjaku, Halil Matoshi, Hasije Selishta-Kryeziu, Mehmet Surdulli, Raif Gashi, Rrustem Geci, Sabile Keqmezi-Basha dhe Zymer Beshtica; Me nga 1 poezi janë prezantuar gjashtë poetë : Daut Maliqi, Gani Sadiku, Mehmetali Rexhepi, Mustafa Morina, Shpresë Ajvazi dhe Zeqir Fazliu. Përveç numrit të poezive me të cilat është prezantuar në një antologji, peshën e një poeti, rëndësinë e tij, e përcakton edhe hapësira, gjegjësisht numri i faqeve që zënë poezitë e tij. Ta shohim renditjen e poetëve sipas hapësirës, respektivisht sipas numrit të faqeve që zënë poezitë e tyre në librin e Shkodrës. Nga 5 faqe i zënë poezitë e tre poetëve: Mehmetali Rexhepi, Shefik Shkodra dhe Zymber Beshtica; nga 4 faqe i zënë poezitë e pesë poetëve: Alketë Spahiu, Hysen Këqiku, Ibrahim Ibishi, Nexhat Rexha dhe Shaip Krasniqi; nga 3 faqe i zënë poezitë e katër poetëve: Muharrem Shahiqi, Mustafa Spahiu, Nebih Bunjaku dhe Shaban Cakolli; nga 2 faqe i zënë poezitë e nëntë poetëve: Baki Krasniqi, Haki Bunjaku, Halil Matoshi, Hasije Selishta-Kryeziu, Mehmet Surdulli, Raif Gashi, Rrustem Geci, Sabile Keqmezi-Basha dhe Zeqir Fazliu; nga 1 faqe e zënë poezitë e katër poetëve: Daut Maliqi, Gani Sadiku, Mustafa Morina dhe Shpresë Ajvazi.

Sipas antologjisë, poeti më i mirë, hartuesi i saj

Të shohim si na del renditja e poetëve duke i marrë për bazë edhe numrin e poezive e edhe numrin e faqeve që zënë ato. Për vendin e parë janë në konkurrencë Shefik Shkodra dhe Ibrahim Ibishi. Shefiku në libër është përfaqësuar me tri poezi, porse tri poezitë e tij i zënë pesë faqe të librit, ndërsa Ibrahimi është i përfaqësuar me katër poezi të cilat i zënë katër faqe të librit. Pra tri poezitë e Shefikut zënë më shumë hapësirë se katër poezitë e Ibrahimit.

Shihet qartazi se Shefiku mendon që poeti më i mirë i komunës së Dardanës është ai vet dhe pikërisht vetes ia ka rezervuar vendin e parë, duke e lënë punën pak si të mjegulluar për ta maskuar narcisoizmin e tij dhe për t`u arsyetuar ndaj ndonjë kritike eventuale. Konkurrent të drejtpërdrejtë e ka lënë Ibrahim Ibishin të cilin e ka dëmtuar në dy mënyra. Së pari duke mos i përzgjedhur poezitë e tij më të mira dhe së dyti duke ia dëmtuar poezitë e zgjedhura deri sa është bind se të njëjtat kanë rënë nën nivelin e poezive të Shefikut.

Dëmtimin e poezive të tij e ka bërë duke ua hequr strofat. Ibrahimi ka qenë një shkrimtar i talentuar me një kulturë të gjerë letrare që përveç talentit të lindur e ka njohur në hollësi edhe teorinë e letërsisë, e ka njohur metrikën, ka qenë një mjeshtër i sprovuar i fjalës dhe nuk i ka ndarë poezitë në strofa veç pse ju ka tekë, por ndarjen e ka bërë për t`i realizuar idealet e tij estetike. Heqja e stofave ua ka humbur vlerat artistike poezive të tij. Nuk besoj që Shefiku e ka bërë këtë pa një qëllim të caktuar, sepse disa nga poezitë e veta i ka të ndara në strofa. Pra e di pse poezitë ndahen në strofa.

T`i kthehemi edhe njëherë renditjes së poetëve duke i marrë për bazë numrin e poezive me të cilat janë prezantuar dhe numrin e faqeve që kanë zënë ato në librin në fjalë. Poeti më i mirë del të jetë Shefik Shkodra i ndjekur nga Ibrahim Ibishi, pas të cilit vijnë radhazi: Zymber Beshtica, 2 poezi, 5 faqe; Mehmetali Rexhepi, 1 poezi, 5 faqe dhe Muharrem Shahiqi, 4 poezi, 3 faqe. Pastaj vijnë poetët e përfaqësuar me nga 3 poezi të cilat i zënë nga 4 faqe. Janë këta: Nexhat Rexha, Hysen Këqiku, Alketë Spahiu dhe Shaip Krasniqi. Radha iu mbetet poetëve: Mustafa Spahiu, Nebih Bunjaku dhe Shaban Cakolli me nga 3 poezi që i zënë nga 3 faqe. Pasojnë : Baki Krasniqi, Haki Bunjaku, Hali Matoshi, Hasije Selishta-Kryeziu, Mehmet Surdulli, Raif Gashi, Rrustem Geci dhe Sabile Keqmezi-Basha, të prezantuar me nga 2 poezi që i zënë nga 2 faqe. Mbërrijmë te poeti Zeqir Fazliu, i përfaqësuar me 1 poezi që i zë 2 faqe. Të fundit mbeten poetët: Daut Maliqi, Gani Sadiku, Mustafa Morina, dhe Shpresë Ajvazi, të përfaqësuar me nga 1 poezi që e zënë nga 1 faqe të librit.

Cilët vërtet janë poetët më të mirë të komunës së Dardanës?

Kjo ishte renditja e poetëve nga komuna e Dardanës e realizuar nga Shefik Shkodra në “antologjinë” “Zjarri poetik”, por të shohim si qëndron puna në realitet.
Prej poetëve që jetojnë ose janë me origjinë nga komuna e Dardanës më i miri dhe më i afirmuari është Halil Matoshi. Matoshi është i prezantuar në disa antologji të nivelit kosovar dhe të nivelit kombëtar, madje edhe në antologjinë e poezisë shqipe të shekullit XX “Zemra e qiellit”, të hartuar nga: Bashkim Kuçuku, Basri Çapriqi, Sadik Bejko dhe Sali Bashota, e botuar nga “PEN Qendra e Kosovës”, Prishtinë, 2015… Është nderuar me dhjetëra shpërblime në manifestime dhe në konkurse të ndryshme letrare. Në librin e profesorit universitar Dr. Nysret Krasniqi “Letërsia e Kosovës1953-2000”, 99-AIKD, Prishtinë, 2016, krijimtarisë letrare të Halil Matoshit i janë kushtuar 9 faqe. Poezia e tij është e përkthyer dhe e prezantuar në disa gjuhë të huaja.

I dyti radhazi për nga afirmimi vjen Bajram Kosumi, për krijimtarinë poetike të të cilit në mënyrë afirmative kanë shkruar edhe dy njohësit më të mirë të poezisë bashkëkohore shqipe: Agim Vinca dhe Sabri Hamiti; krijimtaria e të cilit është prezantuar në disa antologji të karakterit kombëtar . Pastaj vijnë: Ibrahim Ibishi, Nexhat Rexha, Hasije Selishta-Kryeziu, Emine Maliqi (Peso Pem’za), Sabile Keqmezi-Basha, Zeqir Fazliu etj.

Nuk mund të gjendet ndonjë kritik letrar apo studiues i letërsisë, që i qaset vlerësimit me objektivitet, i cili Shefik Shkodrën do ta rendiste në mesin e dhjetë poetëve më të mirë të komunës së Dardanës. Sado që ka bërë punë të madhe për të dalë më i miri , qoftë duke mos i prezantuar fare në “antologjinë” e tij disa nga poetët më të mirë, qoftë duke i prezantuar me numër të vogël të poezive, qoftë duke mos i prezantuar me poezitë e tyre më të mira poetët e prezantuar, qoftë duke ua dëmtuar poezitë, Shkodra as në librin për të cilin po shkruaj nuk ka dalë më i miri. Kjo për shkak se duke mos e njohur nivelin e poezive të veta ka besuar se ka mbetur më i mirë se Ibrahim Ibishi pas dëmtimit që ua ka bërë poezive të tija, por nuk ka ndodhë ashtu. Përsëri edhe me ato poezi me të cilat e ka prezantuar, edhe përkundër dëmtimi që ua ka bërë, Ibrahimi ka dalë më i mirë se ai.

Ti kthehemi edhe njëherë hierarkisë së rendit të vlerave që e ka prodhuar Shefiku . Halil Matoshin e ka prezantuar me dy poezi të cilat i zënë dy faqe të librit, që për nga renditja nuk bën pjesë as në mesin e 12 të parëve! Bajram Kosumin nuk e ka përfaqësuar fare, Ibrahim Ibishit ia ka dëmtuar poezitë, Hasije Selishta-Kryeziun e ka prezantuar me dy poezi (edhe ato të dëmtuara) që i zënë dy faqe, Sabile Keqmezi-Basha e ka prezantuar me dy poezi që i zënë dy faqe të librit, ndërsa Zeqir Fazliun e ka prezantuar me vetëm një poezi!

Gjymtimi i poezive

Në këtë “antologji” poezitë nuk i gjejmë ashtu si i kanë krijuar poetët, autorët e tyre, por i gjejmë të ndryshuara, ndërsa ndryshimet te disa janë kozmetike e në disa të tjera rrënjësore. Thuajse nuk ka mbetur asnjë poezi e pandryshuar! Te një poezi që nuk i ka pasur shenjat e pikësimit janë vendosur ato, te poezia që i ka pasur janë heq! Te pjesa dërmuese e poezive hartuesi i “antologjisë” i ka hequr strofat, pastaj ka hequr ose ka shtuar fjalë, ua ka ndërruar vendin fjalëve, e ka hequr një varg, dy vargje, në ndonjë rast ka shtuar vargje, i ka përzier vargjet pa i hequr fjalët, duke i hequr fjalët, ka bërë “korrigjime” drejtshkrimore, sintaksore… Ka bërë, çka nuk ka bërë?! Nuk ka lënë gjë pa bërë! Me një fjalë ka ushtruar terror, i ka masakruar poezitë.

Shkojmë me shembuj konkret. Fillojmë me dy poezitë e Baki Krasniqit të cilat i ka ndryshuar komplet.

ECJA NËPËR TEH TË SHPATËS
u nisa drejt diellit
natën pa dritë hëne
eca nëpër teh të shpatës
kalova Urën e Siratës
synoja Parajsën
mbeta në Purgator
aty zhvillova jetën
në banesën time të thjeshtë
shpeshherë natën vinte shpendkeqi
ndillte kob
s`pata pushkë as kmesë
e gjuajta me çelës
nuk vritej dot
në apartamentin tim të thjeshtë
një ditë sorrshkina lajmin solli
se Petriti e paska vrarë Përbindëshin
që e pat zënë Diellin

Kjo është poezia e Bakiut që gjendet në faqen 16 të librit “Në krah të shqipes”, botues “Nositi”, Dardanë 2004.

Më poshtë e keni poezinë që ka mbet pas operacionit që ia ka bërë Shefiku. Ndodhet në faqen 18 të “antologjisë” së tij.

ECJA NËPËR TEH TË SHPATËS
U nisa drejt diellit
natën e errët pa dritë
eca nëpër teh të shpatës
kalova Urën e Siratës
synoja Parajsën
aty zhvillova jetën
shpeshherë në banesën time të thjeshtë
natën vinte shpendkeqi
ndillte kob
e gjuajta me çelës
s`pata pushkë as kmesë
nuk vritej dot…
në apartamentin tim
sorrshkina pruri lajmin
se Petriti e paska vrarë Përbindëshin
që e pat zënë Diellin.

Fundamenti

Operacion mizor, masakër, që fillon prej vargut të dytë, për të vazhduar te vargu i gjashtë “mbeta në Purgator” i cili është hequr krejt, pastaj vazhdohet me vargun e tetë. Vargut të njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë ua ka ndërruar vendet. Në fund katër vargje i ka ndarë nga poezia dhe e ka krijuar një strofë, derisa vargut të parë të asaj strofe ia ka hequr fjalët “të thjeshtë”. Në fund të poezisë ka vendos një pikë, ndërsa rreshtin e parë të saj e ka filluar me shkronjë të madhe. Edhe poezia tjetër e Bakiut “Flamuri – qefin” e cila në variantin origjinal i ka pasur 14 vargje, ndërsa në librin për të cilin po shkruaj i janë bërë 17, nuk ka kaluar hiç më mirë.

Gani Sadiku është përfaqësuar me poezinë “E di ku je” , e cila gjendet në faqen 29 të librit “Strehim i qenies” , “Nositi” Dardanë, 2007. Edhe kjo poezi i është nënshtruar operacionit, pas të cilit ka dalë e masakruar. Vargu i gjashtë i saj “në album edhe fotografinë tënde” është transformuar “në album edhe fotograrinë tënde”. Pra jo fotografinë, por fotograrinë!

Menjëherë pas këtij vargu Shkodra ia ka shtuar poezisë një varg të ri, pikërisht vargun: “ në letrat tua ngrohtësinë tënde” i cli varg e ka deformuar po aq shumë poezinë sikur që do ta deformonte njeriun zhvendosja e hundës nga vendi i saj diku në ballë apo në kokë! Në fund, ndoshta që poezia t`i ketë 19 vargje, sa i ka në origjinal, janë bashkuar vargu i fundit dhe i parafundit duke e hequr një fjalë dhe duke i bashkuar dy fjalë që rregullat gjuhësore nuk e lejojnë të bashkohen.

Dy poezitë e Halil Matoshit janë marrë nga libri “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe”. Poezia e parë “Ikari shqiptar” gjendet në faqen 113 të tij, ndërsa poezia e dytë “1200 herë kufomë e gjallë” gjendet në faqen 107. Te poezia e parë Halili nën titullin e saj e ka të shënuar (Odë për Kullën e Vraninës) , ndërsa në “antologji” është hequr fjala Odë dhe ka mbetur vetëm (Për Kullën e Vraninës). Ka mundësi që hartuesi i antologjisë të ketë menduar se fjala është për odën si institucion tradicional shqiptar dhe t`i jetë dukur më e arsyeshme heqja e saj! Edhe te poezia tjetër “1200 herë kufomë e gjallë” në variantin origjinal menjëherë nën titull shkruan : -artistëve emigrantë- , shkrim ky që mungon në “antologji”.

Po i paraqes disa ndryshime që i janë bërë poezisë së dytë. Vargu i katërt i saj “më shikoi e iku si Njeri Shiu drejt humbjes së Tij” është ndryshuar në “më shikoi e iku Njeri shiu drejt humbjes së Tij” , duke e hequr fjalën si dhe duke e shkruar me shkronjë të vogël emrin shiu. Në vargun e fundit të strofës së parë fjala humbja është bërë humbje, ndërsa në vargun e dytë të strofës së dytë emri nostalgjinë, është bërë nostalgji, duke iu hequr dy shkronjat e fundit. Strofës së dytë i është bashkangjitur strofa e tretë, përveç vargut të fundit “kufomë e gjallë… që është ndarë nga strofa e tretë dhe i është bashkangjitur strofës së fundit!

Fjalët e pakuptimta dhe buzëqeshja seksuale

Edhe dy poezitë e poeteshës Hasije Selishta-Kryeziu janë masakruar . Poezisë së parë “Këmishë robërie” e cila gjendet në faqen 14 të librit “Lule ajri” , “Brezi `81, Prishtinë 2009, i është deformuar strofa e fundit e cila në origjinal është :

Nën mollë kam ëndërruar
Hënën e yjet
Nata duke i ruajtur
Por nuk e di
Pse nuk isha zgjuar
Në “antologji” e gjejmë
Nën mollë kam ëndërruar
Hënën e yjet
Nata duke i ruajtur
Çor nuk e diel Pse nuk isha zgjuar
Fjalia “Çor nuk e diel” mbetet zbulim gjenial i Shefikut!

Edhe poezia tjetër e Hasisë nuk ka kaluar më mirë se e para.

Nebih Bunjaku, poet pedant që shpesh e shkruan një poezi të lezetshme, sublime të dashurisë, me rimë dhe varg tradicional,por me ndjeshmëri dhe figuracion të kohës në libër prezantohet me tri poezi erotike. Poezia e dytë “Labirinteve të shpirtit” gjendet në faqen 22 të librit “Prushimë buzësh”, “Zef Serembe”, Prishtinë, 2008. Në origjinal poezia i ka 4 strofa me nga 4 vargje, ndërsa në antologji i kanë mbetur 3 strofa, sepse strofa e parë dhe e dytë janë bashkuar. Strofa e tretë i është nënshtruar një ndryshimi interesant. Kjo strofë në origjinal është si më poshtë:
herë herë me shikime
e buzëqeshje sensuale
në hartë zemre të kërkoj
edhe në viset tropikale
Në “antologji” është kësisoj:
herë herë me shike
e buzëqeshje seksuale
në hartë zemre të kërkoj
edhe në viset tropikale

Kjo fjala “shike” është fjalë e re e krijuar nga antologjisti të cilës nuk ia di kuptimin, ndërsa te fjala e dytë nuk është bërë kiameti, është ndryshuar vetëm një shkronjë, në vend të n-së është vendosur k-ëja. Tek e fundit a nuk është seksi i lidhur me ndjenjat?!
Shpresë Ajvazi, një poete e talentuar, në “antologji’ është prezantuar me vetëm një poezi, me poezinë “Pritje në shi” e cila gjendet në faqen 13 të librit “Kufij kam në mes”, “Nositi”, Dardanë 2004. Poezisë i është hequr vargu: “në një ditë pas ditëve” i cili është vargu i fundit i strofës së parë, duke e përjetuar fatin e njëjtë me shumë poezi të tjera të cilat antologjisti i ka shëmtuar.

E kam ditur se produkti i Shefikut do të del i keq, por se do të del kaq i shëmtuar nuk e kam pritur as unë .

Duke e njohur Shefikun nuk kam pritur asgjë të mirë prej tij, por më duhet ta pranoj nuk e pakam njohur, nuk kam besuar se e keqja ka zënë vend në shpirtin e tij deri në këto përmasa, nuk kam besuar që ai është kaq i dobët në aspektin profesional, kaq i ngathët, i padijshëm dhe jointeligjent siç e shpërfaq “antologjia” e tij. Kur unë kam mbetur kaq i befasuar me të, mendojeni sa të befasuar kanë mbetur lexuesit që nuk e kanë njohur por i kanë lexuar dhe u kanë besuar shkrimeve të tij, në të cilat i kritikon dukuritë negative, klanet, egoizmin, narcisoizmin, në të cilat përbetohet se i lufton antivlerat dhe i afirmon vlerat, në të cilat del mbrojtës dhe promovues i humanizmit, atdhetarisë, i etikës njerëzore dhe etikës poetike… Kur jam informuar se Shefiku është duke e përgatitur një antologji në të cilën do të prezantohen poezitë më të mira të poetëve më të mirë të komunës së Dardanës kam qenë plotësisht i bindur se produkti i tij do të dalë i keq, por nuk kam besuar se do të dal kaq i shëmtuar siç ka dalë.

E kam ditur që Shefiku nuk i ka hy kësaj pune për ta prezantuar në versionin më të mirë poezinë e komunës tonë, por i ka hy me qëllim që përmes makinacioneve, kombinimeve dhe dredhive të ndryshme ta promovojë veten si poetin më të mirë të kësaj ane dhe kuptohet që të mos i prezantojë fare, ose t`i prezantojë me sa më pak poezi dhe me poezi sa më të dobëta rivalët e vet dhe të tjerët që ua ka inati, i urren ose i xhelozon, duke i favorizuar disa të tjerë me të cilët për momentin ka raporte të mira, lidhje klanore ose familjare.

Nuk e kam besuar se ai do t`i hyj “përpunimit”, deformimit dhe masakrimit të poezive të rivalëve të vet dhe të tjerëve që i urren. Realisht thuajse të gjitha poezitë e prezantuara në libër janë të dëmtuara, porse dëmtimi i poezive të atyre që në libër i ka prezantuar me nga 3 e më shumë poezi, të cilat i kanë zënë nga 3 e më shumë faqe të librit është i përmasave shumë më të vogla se sa dëmtimi i poezive të të tjerëve.

Janë masakruar poezitë e poetëve: Baki Krasniqi, Gani Sadiku, Halil Matoshi, Hasije Selishta-Kryeziu dhe Shpresë Ajvazi. Poezitë e Ibrahim Ibishit i ka dëmtuar vetëm deri në atë masë sa i është dukur se i ka zbritur pak nën nivelin e poezive të veta. Duket që shumica e dëmtimeve poezive të poetëve të tjerë u është bërë pa ndonjë qëllim të caktuar, nga mungesa e aftësisë profesionale, intelektuale… dhe nga puna shkel e shko. Por nuk di si ta shpjegoj mungesën e përkushtimit në punë, mungesën e seriozitetit, punën shkel e shko?Të gjitha këto janë tepër jo korrekte. Dhe të jesh kaq jo korrekt ndaj miqve tu, ndaj kolegëve tu, ndaj familjarëve tu, ndaj vendësve tu… disi e pashpjegueshme.

T`i kthehemi edhe njëherë prezantimit në “antologji” . Realisht kanë mungesë të vlerave poetike dhe përveç moralizimeve, didaktikës dhe retorikës nuk posedojnë diçka të bukur poezitë e 6 poetëve të prezantuar në libër , shumica me nga dy e tri poezi. Në një antologji me poezi të poetëve të komunës së Dardanës në të cilën do të përfaqësoheshin 26-27 poetë do të duhej të zinin vend edhe poezitë e: Bajram Kosumit, Emine Maliqit (Peso Pem`za), Dan Kosumit, Beqir Buzukut, Femi Korçës, Sadri Ramabajës, Nexhat Buzukut dhe Muharrem Kosumit. Dy të parët me numrin maksimal të poezive. Poezitë më të mira të poetëve: Zeqir Fazliu, Shpresë Ajvazi dhe Gani Sadiku, të cilët janë prezantuar me vetëm nga një poezi, së paku e kanë nivelin e poezive më të mira të të parit të kësaj “antologjie”, poetit Shefik Shkodra.

Për ta vërtetuar këtë lexuesit i mjafton t`i lexojë poezitë e poetëve në fjalë që gjenden në librin “Etje e pashuar” dhe t`i krahasojnë me tri poezitë e Shefikut me të cilat ai e ka prezantuar veten në “antologji”.

Përveç të metave të shënuara deri tani “antologjia” i ka edhe disa dobësi të tjera. Njëra prej tyre është dallimi i madh midis poetëve të përfaqësuar, një me katër sa i përket numrit të poezive dhe një me pesë sa i përket numrit të faqeve që ato zënë në libër, në rrethanat kur dallimet midis poetëve, hiq ata gjashtë që nuk do të duhej të përfaqësoheshin, janë të vogla. Dallimi midis Shefik Shkodrës dhe Shpresë Ajvazit është një me pesë, që mund të kuptohet se poezia e tij është pesë herë më e mirë se poezia e saj, ndërsa në realitet poezia e Shpresës në aspektin artistik është së paku në nivel të poezisë së Shefikut.

Një veprim tjetër i pakuptimtë, që bie në sy, është vendosja e një titulli poezive të secilit poet, madje edhe në rastin kur poeti është prezantuar vetëm me një poezi. Pra përveç titullit që autori ia ka lënë poezisë së vet edhe hartuesi i “antologjisë” ia ka vendosë një titull të dytë dhe kështu poezia është bërë me dy tituj!

Në shënimet biografike për Baki Krasniqin e gjejmë një formulim të pakuptimtë, jologjik: “Punon mësimdhënës i shkollave”. I njëjti formulim përsëritet edhe në shënimet biografike për Nexhat Rexhën.

Krejt në fund “antologjia” “Zjarri poetik” e autorit Shefik Shkodra poezinë e poetëve të komunës së Dardanës e prezanton në variantin më të keq të mundshëm. Nëse hartuesit të saj i ka mbetur vetëm pak etikë njerëzore, pak etikë intelektuale, pak etikë poetike… nëse i ka mbetur pak dashuri për poezinë, pak dashuri për vendlindjen, pak respekt për vendësit e tij poetë, në radhë të parë për ata që i ka përfaqësuar në libër, e ka për borxh që atyre t`ua bëj një të mirë, ta tërheqë librin nga qarkullimi. Do të ishte ky kontributi më i madh i tij dhënë poetëve të komunës së Dardanës dhe…