Fshijeni Ballkanin nga harta
Nga Blerina Rogova Gaxha – Edhe në shekullin e ri, që do të duhej të ishte shekulli i integrimit evropian, ata kanë mbetur po aq të ndryshëm dhe po aq të papajtueshëm. Prandaj, përpjekjet për integrimin e tyre kulturor e politik, duket të jenë një “mission imposible”. Në këtë rrafsh duhet parë edhe papajtueshmërinë, ose “dyftyrësinë” e tyre pajtuese në tubime kulturore ose politike të karakterit ndërkombëtar.
Jemi shumë të ndryshëm për t’u pajtuar. Duket se popujt e Ballkanit, kultura dhe krijimtaria e tyre, duhet të presin edhe shume vite e ndoshta dekada, për t’u parë në sy me njëri-tjetrin.
Një element i rëndësishëm në papajtueshmërinë historike të popujve të Ballkanit, ka mbetur edhe besimi i tyre fetar, i cili ndonjëherë ka ditur të jetë shumë i ashpër edhe brenda popujve të caktuar që kanë pasur më shumë se një orientim fetar, siç po ndodh këtyre ditëve në opinionin e brendshëm shqiptar, për shkak të një teze për islamin dhe shqiptarizmën.
Nëse ndonjëherë rastis të jesh në vendet e rajonit në një diskutim a një prezantim të kulturës a të letërsisë, dhe duke e ditur se artistët kombësi e kanë artin, beson për pak se kanë kaluar edhe dhimbjet e ideologjive. Nëse rastis që me kolegë artistë të flasësh para publikut krejtësisht të huaj, për luftën e nxjerr nga konteksti i librat në të cilin ka shkruar secili, apo ka realizuar një punë artistike, ende mund të besosh se dhimbjet e ideologjive kanë kaluar. Nëse rastis që po me këta miq e të jesh në një koktej a të cakërosh gota birre e rakie, kupton se dhimbjet e ideologjive janë bartur edhe në shekullin e ri, edhe në gjeneratat që atë e mbajnë mbi shpinë.
Në cakërimet e netëve të gjata kupton se thyerjet ekzistojnë edhe thellë e brenda artistëve. Dhe beson se pajtueshmëritë etnike më shumë janë realiteti i posterëve të KFOR-it në Kosovë dhe reklamave të tyre që promovojnë tolerancën. Dhe pastaj kupton se të gjithë ne që ishim “killer” e bërës të krimeve e që tash mund të jemi “ëngjëjt” që jetojmë bashkë, është vetëm një miqësi, qoftë ajo edhe vetëm artistike, e vrarë nga e kaluara, e njerëzve që vazhdojnë të jetojnë në Gadishullin e shkërdhyer.
Shkruhet e thuhet se fjala Ballkan duhet parë vetëm si nocion gjeografik, gjuhësor e historik, pa e parë atë në kuptimin nënçmues a aq më pak si term që i referohet karakteristikave të njerëzve që jetojnë në këtë rajon, të cilët kryesisht konsiderohen të pabesueshëm, të pasigurt, inatçor e të padisiplinuar. Gadishulli që si asnjë rajon tjetër në Evropë, ka popuj e kombe me bollëk, traditë e kulturë, në dekadat e fundit ka nisur madje të mbajë hieshëm emrin e rafinuar si Evropë juglindore. Por sa është dhe a është vetëm virtual realiteti të cilën fuqitë evropiane duan ta imponojnë e ta importojnë?
Mbrëmjeve të leximeve e të diskutimeve në ndonjë nga teatrot qindravjeçare të Evropës, kupton se si gati çdo gjë që vjen nga hapësira gjeografike ballkanike është shumë larg një përballjeje të hapur, larg dialogut të hapur dhe larg të qenit pa paragjykime. Larg zhveshjes nga rrobat e zeza, që rastësisht mbanin autorët ballkanas. Mbase diku thellë në heshtjen, që kishin shumë prej tyre.
Mund të jetë pasojë e pamundësisë për të jetuar përtej miteve dhe historisë. Pasojë e pamundësisë së shkëputjes nga folklorizmat e jetës ballkanike. Të mëdhenjtë e politikës flasin për ndarjet e bashkimet, derisa autorët flasin për të qenit ‘atentator’ e ‘terroristë’ ndaj tyre. Mbase për t’i rrënuar kategorizimet brenda e jashtë tokave të Ballkanit, përtej ideologjive të dhimbjeve e përtej ideologjive të miteve.
Mediat e botës shpesh shkruajnë se dhimbja e shëmtia e Ballkanit ka kaluar në vendet e Lindjes. Mbase thonë sepse besojnë se rajoni ka nisur të shërohet nga kanceri i mijëra vjetëve.
Mund të jetë edhe se luftërat janë harruar e terapia pas sëmundjes të jetë në proces, dhe që rajoni të shkojë përtej emërtimit si tokë e gjakut, përtej konflikteve për territore e përtej kryqëzimeve, përtej ketegorizimeve e përtej nocioneve nënçmuese.
Përplasjet ndërmjet popujve të Ballkanit kanë qenë të përgjakshme dhe të vazhdueshme, ndër të tjera edhe për shkak se popujt e tij janë aq të ndryshëm. Shqiptarët, serbët, grekët, me disa përjashtime turqit, por edhe popujt e tjerë më të vegjël, kush më shumë e kush më pak kanë mbetur robër të miteve të tyre dhe të papajtueshëm për shkak të diversitetit kulturor, kombëtar e fetar.
Popujt e Ballkanit kanë ditur të jenë të pamëshirshëm në papajtueshmërinë e tyre, sa që kur nuk kanë luftuar përballë, kanë bërë luftë për të përvetësuar vlerat e njëri-tjetrit. Ndoshta popujt e Ballkanit do të jenë të papajtuar derisa të mos fshihet nga harta e nga kujtesa edhe vetë emri Ballkan.


