FIDANISHTJA

Ikin nga haraçi i pushtetit!

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arbana Xharra – Vetëm një zarf u dorëzua me ofertë financiare për të blerë ndërmarrjen më profitabile publike në Kosovë, Postë-Telekomin e Kosovës (PTK). Ky zarf nuk erdhi nga ndonjë vend perendimor, as nga kompani me renome botërore, por nga i njëjti vend të cilit po i jepen asetet më të rëndësishme të kosovarëve, nga “vëllazëria turke” e pushtetarëve tanë. Trembëdhjetë vjet pas luftës, secilën herë e më shumë imazhi i Kosovës është duke u denigruar.

Kjo qeveri e përfshirë në skandale tashmë të njohura edhe ndërkombtarisht, nuk mund të joshë investitorë seriozë, në pazare me ta nuk pranojnë të futen kompani kredibile, ato nuk guxojnë të bëhen pjesë e këtij krimi ekonomik që ka përfshirë vendin. U ka mjaftuar skandali i 1.4 milionëshit me tenderin e pasaportave i cili ka zënë ballinat e gazetave të huaja, për të treguar për “haraçin” që i pret në Kosovë. Cila kompani e vendeve të BE-së, e cila i di rregullat e tregut të lirë, do të pranonte të sjellë kapitalin e saj në një shtet, pushteti i të cilit është në duar të një grupi të ngushtë, të cilëve duhet mbushur gushën si kusht për të nisur punën në Kosovë.

Pushtetarët të cilët zyrtarisht janë partnerë të bashkësisë ndërkombëtare, të vendeve perendimore dhe miqve amerikanë, të vetmen mundësi deri më tash më të lehtë për të bërë biznes me asetet e kosovarëve i kanë kompanitë turke. Qeveria tashmë ka vënë marrëdhenie klienteliste me binesmenë turq. Astete më të rëndësishme deri më tash i ka dhënë kompanisë “Limak”, Aeroportin dhe Distribucionin e KEK-ut. Ndërkohë që luan me kartat e Evropës, duke kërkuar përkrahjen për liberalizimin e vizave dhe integrimin në një të ardhme të afërt të Kosovës. Fatkeqësisht, përpara shteteve të BE-së pushtetarët e Kosovës, janë klasa më e degraduar, tashmë e shndërruar në sinonim të hajnisë.

Dorën në zemër, nuk duhet habitur, pse nuk po arrijmë të tërheqim asnjë investitor serioz, bile edhe vëmendja e mbetur e bashkësisë ndërkombëtare është duke u rrezikuar në këtë degradim e sipër shtetëror.

Eco Higjiena

Rasti i PTK-së për më shumë se dhjetë vjet ka qenë shembulli më adekuat se si politika në Kosovë, përfiton nga një aset publik në mënyrën më të vrazhdë të mundshme. Prej keqpërdorimeve direkt me paranë e saj, për të vazhduar më punësimin e jo vetëm famljës së ngushtë, por duke shtrirë rrjetin e nepotizmit nga mahalla e deri në katund.

Qeveria e Kosovës për tre vjet me radhë nuk po arrin ta privatizojë këtë kompani e cila vetëm në katër vjetet e fundit në formë të dividentës i ka dhënë Qeverisë së Kosovës mbi 400 milionë euro, sot vlera e saj mezi arrinë 200 milionë euro. Procesi i privatizimit të kësaj ndërmarrje është duke dështuar në vazhdimësi. Dy vjet më parë u largua Telekomi gjerman, ku jozyrtarisht u pat mësuar se arsyeja e tërheqjes kanë qenë marrveshjet e fshehta dhe korrupsioni në këtë proces.

Edhe në rishpalljen e tenderit për privatizimin e PTK-së nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, operatori i fuqishëm evropian “Deutche Telecom” nuk mori pjesë në garë. Edhe pse katër konsorciume të parakualifikuara, zarfin e dorëzoi vetëm operatori turk “Turkcell” dhe jo telekomi britanik, kompania libaneze M1 dhe “Avicena”. Ministria e udhëhequr nga Besim Beqaj sërish doli me arsyetim, sa banal aq edhe qesharak, se “kjo shtyrje e afatit vjen si rezultat i pengesave teknike”.

Ky është aseti i vetëm që i ka mbetur Kosovës, shitjen e të cilit duhet shtyrë urgjentisht dhe Qeveria të nxjerrë mesim nga ky dështim. Përmes PTK-së, qeveria ka shansë që të sjellë investitorë kredibilë, vetëm duke e rritur vlerën e saj dhe njëkohësisht të ambientit investues në Kosovë. Në të kundërtën shitja në “aksham pazar” edhe i kësaj ndërmarrjeje i jep vulë realitetit se në Kosovë vijnë vetëm ata investitorë që janë të gatshëm të bëhen pjesë e bandës së pushtetit.