Fundamenti

Ikja e trurit

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Adrian Çollaku – Derisa po rrija me një familjar timin që studion në Universitetin e Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, na bashkëngjitet edhe një “cimer” i tij. Edhe ai bashkëvendës i imi, të cilin nuk e kisha pasur rastin që më herët ta njihja më shumë, apo të rrija me të, pos që e dija që ishte në studime në Prishtinë.

Pas formaliteteve të zakonshme në njoftime të tilla biseda rrëshqet rreth studimeve të tyre. Bashkëvendësi më tregonte se si kishte arritur që me një sukses të lartë të përfundonte studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, për një kohë rekord dhe me mesatare mbi 9.8, por dukshëm i zhgënjyer, ai thoshte se “kot” ishte munduar gjatë studimeve pasi për të nuk gjendej një vend pune edhe pse s’kishte lënë derë pa trokitur.

Duke e parë se i kishin shkuar vitet duke ngarendur poshtë e lart, herë te një ministri e herë te ndonjë institucion tjetër për të gjetur një vend pune, e njëkohësisht duke parë se si kolegët e tij, depërtonin si parashutistë, edhe pse pa ndonjë sukses profesional, por falë lidhjeve tjera…, thotë se është dorëzuar dhe kish vendosur të heqë dorë nga Kosova. Madje, i zhgënjyer, gjatë asaj bisede të shkurtër, mbase pavetëdijshëm, e përsëriste për të satën herë se në këtë vend nuk ia vlen asgjë. Tashmë e ka ndarë mendjen për t’u larguar përfundimisht nga Kosova, pasi, edhe pse ndër studentët më të mirë të universitetit, atdheu i tij ia ka mbyllur dyert, nuk i jep asnjë mundësi për të ecur përpara e për të realizuar ëndrrën.

Dhe ai nuk është i vetmi. Të tillë, studentë të mirë, talentë me kapacitete të jashtëzakonshme në vendin tonë ka me mijëra e mijëra por nuk shihen kund. Atyre nuk iu bën punë as diploma, as 10-at në indeks e as njohja e gjuhëve të huaja… Atyre u mungon gjëja kryesore që duhet për të ecur përpara në Kosovë – lidhja me politikanët atje “lart”, të cilët janë bërë përcaktues edhe të fatit tonë jetësor.

Prandaj, mungesa e “kësaj” lidhjeje, që është shndërruar në një gjë normale në vendin tonë për të “ecur” përpara, të gjithë atyre të rinjve të ndershëm dhe pa ndikim, ua shuan ëndrrat për një perspektivë dhe për një jetë më të mirë. Alternativa e vetme që u mbetet atyre, njësoj si bashkëvendësit tim, është ikja nga Kosova. E vendin e tyre natyrisht se do ta zënë djemtë e “fortë” të politikanëve dhe ata që kanë lidhje me politikën dhe me nëntokën e Kosovës.

Mobi Casa

Jemi dëshmitarë se si vetëm brenda pak kohësh djemtë e pushtetarëve, si ata të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, grushtojnë madje edhe policë me uniformë. Vetëm pas pak ditësh arrestohet edhe nipi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për kërcënim ndaj sigurimit të një kafiterie… E këto janë vetëm ato që ne mund të kemi dëgjuar, e të mos flasim për ato që nuk i dimë dhe nuk do t’i dimë ndoshta kurrë…

Imagjinojeni se çfarë shembulli na japin këta djemtë e “të fortëve”, të cilët shumë shpejt do t’i kemi nëpër institucione, madje s’duhet të befasohemi nëse brenda pak kohësh t’i shihni edhe në krye të shtetit. Dhe kjo farë pune më nuk do koment.

Që secilit të ri në Kosovë, të mos i ndodh si bashkëvendasit tim që kërkon me çdo kusht largimin nga ky vend gjërat duhet të ndryshojnë në këtë vend. Duhet më shumë kurajo, më shumë angazhim, të secilit që mund të bëjë diçka.

Nuk duhet të dorëzohemi përballë politikës, siç po ndodh, në mënyrë që ajo pastaj të na diktojë edhe ku dhe si të jetojmë. Përkundrazi, duhet mposhtur ky mentalitet qeverisës, ky sistem që çdo ditë e më shumë po shkel me të dy këmbët vlerat e këtij populli duke i promovuar si arritjet tona më të mëdha mu antivlerat e veta që na i ka sjellë në qendër të gjithëçkahit.

Nëse kjo shoqëri e deprimuar vazhdon me këtë heshtje, nëse nuk ngrihet zëri përballë padrejtësive e poshtërimeve që na bëhen, atëherë përfundimisht nuk do të mbetet vend në Kosovë. Jo vetëm për bashkëvendësin tim që synon ta braktisë sa më parë këtë atdhe që nuk i duhet më por edhe për ne të tjerët.