KKVITI

Unitarizmi i ri!

/ 7 minuta lexim
KKVITI

Nga Flamur Hyseni – A po provohet krijimi i një modeli të ri të sovranitetit shtetëror me rastin e Kosovës?; A po provohet përmes modeli të asociacioneve të komunave të krijohet modeli i ri i organizimit të brendshëm shtetëror?; krejt kjo, a po bëhet për ta ndërruar kursin e zgjidhjeve të çështjeve duke ofruar model për të krijuar standard për zgjidhje të çështjeve afërsisht të ngjashme që mund të ndodhin në të ardhmen?

Sado që mund të ketë mendime se Kushtetuta e Kosovës është derivat i një dokumenti që përcaktoi statusin e Kosovës, prapë del se megjithatë ekziston një akt i quajtur Kushtetutë që përcakton disa parime, pavarësisht asaj se derivat i cilit dokument apo proces mund të jetë.

Edhe Kushtetuta e Kosovës (2008) përcakton parimet e organizimit të pushtetit shtetëror, formën e qeverisjes, kompetencat e pushtetit qendror dhe lokal. Në kontekst të ndryshimeve faktike dhe praktike lidhur me lëvizjen përtej këtyre parimeve, fillimisht do të duhej të ndryshohej akti, Kushtetuta, pastaj të bëhen veprimet.

Krejt çka është me rëndësi, është se, Kushtetuta e Kosovës nuk njeh formë tjetër të organizimit territorial, por e njeh Komunën si njësi organizative. Krijimi i nën parimeve tjera me akte më të ulëta siç janë ligjet, si ligji për vetëqeverisje lokale dhe ligji për bashkëpunim komunal, si ligje të pushtetit lokal, ndoshta përmes përkufizimeve të tyre mund të shkojnë përtej qëllimit kushtetues duke krijuar mundësi të organizimit ndryshe të cilat praktikisht nuk mund të dalin së funksionuari ashtu siç janë të parapara ligjërisht.

Kushtetuta shprehimisht e përcakton se, “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton shprehimisht se, “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”.

Ndërsa në kontekst të këtij përkufizimi “unitar” kemi rregullimin spanjoll dhe italian, të cilët janë më të zgjeruar, dhe shprehimisht Kushtetuta spanjolle e përcakton se, “Kushtetuta bazohet në unitetin e pazgjidhshëm të Kombit spanjoll, atdhe i përbashkët dhe i pandashëm i të gjithë spanjollëve, ajo njeh dhe garanton të drejtën për autonomi të kombësive dhe të rajoneve që e përbëjnë, si dhe solidaritetin ndërmjet gjithë këtyre”.

Në aspekt të organizimit territorial, Kushtetuta spanjolle përcakton se, “Shteti spanjoll organizohet në pikëpamje territoriale në Bashki, Provinca dhe Bashkësi autonome. Të gjitha këto institucione kanë autonomi në administrimin e interesave të tyre”. Rasti spanjoll është i ndryshëm nga ai kosovar, është i pa krahasueshëm, praktikisht, politikisht dhe gjeografikisht. Nuk mund të jetë model për orientim të zgjidhjes te rasti i Kosovës.

Edhe Kushtetuta italiane shprehimisht përcakton lidhur me “unitarizmin” se, “Republika, një dhe e pandarë, njeh dhe zhvillon autonominë lokale, kryen shërbimet që varen nga shteti, decentralizimin administrativ më të gjerë, i përshtat parimet dhe metodat e legjislacionit të saj me kërkesat e autonomisë dhe të decentralizimit”.

Ndërsa lidhur me organizimin e brendshëm të shtetit, Kushtetuta përcakton se, “Republika ndahet në Regjione, Provinca dhe Komuna”. Dhe në mesin e kësaj ndarje, sipas frymës së Kushtetutës italiane del se, disa regjioneve, Sicilisë, Sardenjes, Trentino – Alto Adixhes, Friuli – Venecia Xhulias dhe Val d’Aostes u njihen forma dhe kushte të veçanta autonomie, sipas statuteve të posaçme të miratuara me ligje kushtetuese.

Mobi Casa

Edhe modeli italian nuk mund të merret si i mundshëm për tu realizuar në kontekst të krijimit të rrethanave politike dhe praktike në Kosovë, është i pa krahasueshëm praktikisht, politikisht, dhe gjeografikisht me rastin e organizimit të brendshëm të Kosovës.

Krijimi i mundësive me ligj në Republikën e Kosovës që komunat e Republikës së Kosovës mund të organizohen në asociacione, nënkupton se mund të kemi shumë asociacione, këtë e përcakton shprehimisht ligji për vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës, ligj i cili është derivat i Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës – Pakoja e Ahtisarit.

Praktika kosovare njeh deri më tani ekzistimin e një Asociacioni të Komunave të Republikës së Kosovës, por tani është në prag edhe të njohjes së një asociacioni tjetër të komunave të Republikës së Kosovës, por më specifik, të komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës, për të cilin ende nuk dihet saktë se çfarë niveli të organizimit do të ketë, do të jetë i ngjashëm me këtë që ekziston që sa vite në Kosovë, apo do të jetë më ndryshe, pasi që aty do të asociohen vetëm komunat me shumicë serbe të Republikës së Kosovës.

Asociacioni i tillë i komunave me shumicë serbe ka dy anët e ti të papranueshme, së pari, po krijohet si pasojë e bisedimeve politike të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Brukselit dhe së dyti, po krijohet asociacion paralel me së paku nëntë komuna që janë të shpërndara në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Në kuadër të këtij asociacioni me gjasë do të jetë edhe Komuna veriore e Mitrovicës, ende e pa krijuar, me krijimin e së cilës do të përmbushet Pakoja e Ahtisarit, e cila Pako i krijon status më të avancuar se secila Komunë tjetër në Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe plus Komuna veriore e Mitrovicës që do të krijohet sipas Pakos me status më të avancuar se komunat tjera, e cila do të jetë pjesë e këtij asociacioni, fillimisht në aspekt teorik e pastaj edhe praktik krijon mundësin e krijimit të parimit të “unitarizmit të ri” apo organizimit territorial shtetëror të brendshëm të një modeli “sui generis”, i cili ndoshta në të ardhmen do të shërbejë si model për ta bërë ndonjë zgjidhje të ngjashme afërsisht.

Ruajtja e subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës, dhe eliminimi i modeleve tjera që qarkullonin viteve të fundit lidhur me veriun e Kosovës, si shkëmbimi i territoreve, etj., me gjasë Kosovës do t`i kushtojë me organizim të brendshëm shtetëror, por me një organizim praktik – faktik, pa prekur aktin më të lartë Kushtetutën, por pa prekur as ligjet bazike, por duke gjet zgjidhje të mundshme politike, e cila zgjidhje do të jetë e pranueshme për komunat me shumicë serbe në Kosovë, shtetin serb, Brukselin, e rëndë për tu pranuar për faktorin politik kosovar, por gjithsesi e pranueshme me garancion të SHBA-ve se, sovraniteti i jashtëm shtetëror do të ruhet, do të jetë i paprekshëm.

Kjo zgjidhje se a do të jetë funksionale, më nuk do të varet nga shteti i Kosovës, kjo zgjidhje me gjasë nuk do të ketë as garantues, por do të provohet si po funksionon, si zgjidhje e vetme për të arritur kompromisin e ruajtjes së tërësisë territoriale, unike të tipit klasik, por duke krijuar për brenda organizim “unitar të ri” të një modeli që po provohet në Kosovë, si pasojë e bisedimeve politike me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE, të garantuar nga SHBA se, nuk do të ketë prekje të sovranitetit të jashtëm të Kosovës.

(Autori është asistent në Katedrën e Shkencave Kushtetuese – Administrative dhe kandidat për doktoratë në Të Drejtën Kushtetuese dhe Administrative në Fakultetin Juridik të UP-ës)