KKVITI

Për Republikën e Kosovës

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Blerim Shala – Republika e Kosovës është vlerë e përbashkët e të gjithë neve. Ajo nuk del në zgjedhje çdo tre-katër vjet, ajo nuk është pjesë e çfarëdo gare politike, ajo nuk është e barasvlershme me këtë apo atë Qeveri, me këtë apo atë President, me këtë apo atë parti.

Në këtë politikën e sotme kosovare është bërë thjeshtë e pamundur të ketë debat të logjikshëm, gjakftohtë, pa emocione, pa sharje, pa fyerje, përbuzje, përçmim, pa akuza dhe kundërakuza, për akëcilën temë të rëndësishme politike, veçmas për temën e bisedimeve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë për normalizimim e marrëdhënieve midis këtyre dy shteteve.

Këtë po e kuptojmë veçmas ditëve të fundit, kur kanë gufuar marrëzi të lloj-llojshme politike, të cilat, midis tjerash, synojnë të zhbëjnë krejt çfarë ka ndodhë me çështjen e Kosovës, që prej vitit 1999 (Konferenca Paqësore e Rambouilletit), e deri më 17 shkurt, 2008, kur u shpall Republika e Kosovës.

Dialogu midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë është legjitimuar qartë me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës me 18 tetor, 2012.

Secili që edhe një herë lexon këtë Rezolutë, do të kuptojë çfarë mandati ka Qeveria e Kosovës në këto bisedime. Çdo Marrëveshje eventuale midis Prishtinës dhe Beogradit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, me Ligjet e Kosovës.

Po ashtu, kjo Rezolutë ka përcaktuar shumë saktë vendimmarrjen në këtë dialog. Ajo, siç edhe e do rendi në këto ndërmarrje të rëndësishme politike, është në duart e Kuvendit të Kosovës. Pasiqë në Rezolutë flitet për Ratifikimin e Marrëveshjes eventuale, kjo do të thotë që duhet 80 deputetë (2/3-tat e përbërjes së Kuvendit), të votojnë në favor të saj, ashtu që kjo Marrëveshje të bëhet e plotëfuqishme.

Është fare lehtë të paramendohet që nuk ka gjasa që një Marrëveshje që bie ndesh me Kushtetutën dhe me Ligjet (të cilat janë përndryshe, në përputhje me Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari), të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Thjeshtë pra, kjo është e pamundur.

Në të shumtën e rasteve, kur është folë kohëve të fundit për dialogun e Brukselit, ky dakordim parimor në Kuvendin e Kosovës është lënë mënjanë, thjeshtë është harruar dhe injoruar.

Dialogu i Brukselit, pra, në instancë të fundit, është në duart e Kuvendit të Kosovës, madje, të 80-të deputetëve të tij. Nëse duhet, ai, po ashtu, mund të ketë edhe certifikimin final të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Do të duhej pra të përjetone kolaps të plotë i gjithë sistemi politik, institucional, gjyqësor i Kosovës, do të duhej pra të binte përtoke e gjithë Kosova, për të pranuar Rezultatin e bisedimeve të prira nga Catherine Ashton, i cili do ta zbrapste Kushtetutën e Kosovës.

E një gjë e tillë, thjeshtë, është e pamundur.

Por kush mërzitet këtupari për argumentet e kësisojta, procedurale, të cilat pamundësojnë që të bëhen gabime të rrezikshme politike në këtë dialog?

Dialogu i Brukselit, është ulur këmbë e kryq në ‘odën’ politike të Kosovës, është bërë ‘municion’ i mirë, i të gjitha kalibrave të mundshëm, në transhet e hapura tash e sa kohë, për të shenjuar njeri-tjetrin, duke përdorë atë fjalorin e mirënjohur tradicional shqiptar, i cili dikur ka qenë gjithsesi i qëndrueshëm, për tradhtarët dhe patriotët e Brukselit (kësaj here).

ARKATANA

Po ndodhë, në mënyrën më të vrazhdë të mundshme, gjithsesi me pasoja të këqija për këtë politikën kosovare, edhe ashtu të mjerë në përmasa të gjërë, përpjekja për qerimin e hesapeve politike, të moçme e të reja, para, gjatë dhe pas luftës, duke pasë si pretekst bisedimet e Brukselit.

Natyrisht, në një fushëbetejë të tillë, nuk zgjedhen fare mjetet. Ato mund të jenë të pavërteta, të paqëndrueshme, mashtrime, fantazi, imagjinatë, injorancë dhe arrogancë tok, dhe kjo nuk ka rëndësi fare.

Në këtë debat të egër politik, çfarë po ndodhë tani në Bruksel, synohet të shfrytëzohet që në stilin e Enver Hoxhës, mundësisht, të bëhet edhe revidimi a rishkrimi i historisë së re të Kosovës, veçmas të asaj prej Rambouilletit e deri më shkurtin e vitit 2008.

Numërohen kështu gabimet e mëdha e të vogla që i ka bërë politika e atëhershme kosovare, duke pranuar Marrëveshjen e Rambouilletit dhe Propozimin e Ahtisaarit, megjithëse, pikërisht këto ‘gabime’ kanë bërë të mundur që Kosova me 17 shkurt të bëhet shtet. Apo, dhe këtu është çelësi i gjithë kësaj xhurulldie dhe hataje, ndoshta vetë krijimi i këtij shteti të Kosovës, na qenka gabimi më i madh i mundshëm, i cili duhet të ndreqet, gjithsesi duke e prishë shtetin e Kosovës.

Në politikën kosovare, dhe jo vetëm në politikë, ka të tillë që publikisht mburren që nuk kanë aspak dashuri për shtetin e Kosovës, sepse Kosova duhet të bashkohet me Shqipëri.

Të tillëve duhet me ju thënë që fatin e tyre të keq, shteti i Kosovës do të ekzistojë përjetë, dhe që është krejtësisht e pandershme (për të mos përdorë ndonjë fjalë më të rëndë), që ata mburren me urrejtjen që kanë ndaj Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës është vlerë e përbashkët e të gjithë neve. Ajo nuk del në zgjedhje çdo tre-katër vjet, ajo nuk është pjesë e çfarëdo gare politike, ajo nuk është e barasvlershme me këtë apo atë Qeveri, me këtë apo atë President, me këtë apo atë parti.

Këtë mësim duhet ta kenë të qartë të gjithë politikanët e Kosovës dhe jo vetëm ata.

Por tash nuk është kohë e mësimeve. Këtu vjen në shprehje ajo e moçmja popullore e shqiptarëve të Kosovës: Më inati të resë, më dektë djali.

Dihet fare mirë kush është këtu ‘reja’ e kush ‘djali’.

Ka kohë, së paku kështu duket, apo, kështu edhe duhet thënë, që të mbledhim pak mend dhe të kuptojmë se për çfarë bëhet fjalë në Bruksel, dhe pse Kuvendi i Kosovës e ka në duartë e tij këtë dialog, gjegjësisht rezultatin e tij final.

Por koha është në harxhim e sipër. Edhe këtë, mbase, duhet thënë.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)