Obskurantizmi politik sërish në skenë
Nga Sadri Ramabaja – Esenca e fjalimit të Thaçit dhe obskurantëve tjerë përputhej me filozofin e sivëllezërve të tyre mesjetar. Përmes fjalimeve të gjata ata pretenduan t`na shpërfytyrojnë pamjen, respektivisht përmbajtjen reale të marrëveshjeve të arritura dhe atyre që paralajmërohen të arrihen më 4 mars.
Takimi i pritshëm më 4 mars mes dy kryeministrave (atij të Kosovës dhe Serbisë) në prezencën e baroneshës K.Eshton, përfaqësuese e UE-së për Politika të Përbashkëta të Jashtme dhe të Sigurisë, në cilësinë e ndërmjetësueses, duket se do të shënojë edhe fillimin e shkarjes në histori së paku njërit prej tyre. Por shkuarja në histori ka dy rrugë: si prosperues i interesave nacionale ose si shkelës i tyre.
Mesi në këtë fushë nuk ekziston. Kushdo që ka shkelur interesat nacionale, në gjithë historinë e shtetit, nga shteti i parë, ai i Babilonisë, e deri te shteti modern, është ndëshkuar rëndë, duke marrë si shpërblim të përjetshëm vulën e tradhtisë. Ndërkaq në kodet penale të shteteve, nga antika e deri sot, tradhtia është kodifikuar si vepra më e rëndë penale. Prandaj edhe dënimi ka qenë dhe mbetet kapital.
Si përfaqësues politik i UÇK-së, sado e kontestuar mënyra dhe rrugët e ardhjes së tij në krye të Drejtorisë Politike, është në dorën e kryeministrit, të mbetet fitimtar. Këtë do t` ia donin të gjithë shqiptarët, madje edhe ne kundërshtarët e tij politik. Sepse kështu do të përfitonte Republika jonë.
Humbësi real i luftës, ish shefi i Daçiqit, që vdiq në burgun e Sheveningenit, dhe ish shefi i presidentit aktual serb, V.Shesheli, që vazhdon të vuaj dënimin në burgun në fjalë, mund ta mbajnë kryqin e viktimës në syrin e opinionit serb, humbësit të luftës etj, por për tradhti, realisht nuk bëhet fjalë. Kosova për njohësit e historisë politike të rajonit, e qartë, për gati një shekull, ishte kolonia e fundit në Evropë. Serbia si kolonizatore, natyrisht se e ndjen humbjen e saj, por gjithsesi jo në shkallën sa pretendon klasa politike serbe.
Megjithëkëtë, meqë Kosova ka shërbyer si miti më i madh mbi të cilin është ngritur filozofia e homogjenizmit serb, pranimi i humbjes së saj, për Daçiqin është përfundim i karrierës politike. Duke qenë pjesë e politikës reale, ai dhe presidenti serb, Nikoliq, si promoter dhe koautor të Platformës së fundit për Kosovën, e kanë të qartë se, çfarëdo zgjidhje që nuk i ngjet një entiteti autonom politik (i krahasueshëm me Republikën Serbe në Bosnjë), përveç rënies së qeverisë, mund të jetë shkas i një lufte qytetare blic në Serbi.
Shih për këtë, kjo gjendje e paralajmëruar në Serbi, do ta rrisë tej mase presionin e ndërkombëtarëve ndaj ekipit kosovar në këtë raund bisedimesh, që po cilësohen nga të gjitha palët pjesëmarrëse, si tejet të vështira.
Ballafaqimi i Hashim Thaçit me deputetët në seancën e veçantë për këtë dialog, që u mbajt të premten në orët e vona të natës, dëshmoi se edhe ai nuk do të kaloi më mire se kryeministri serb.
Duke dëgjuar fjalimin e tij në Parlament dhe përçapjet titanike të tij dhe të korit të obskurantëve që e pasuan në përpjekjen për t` mashtruar një popull të tërë me sofizamt e tyre banale, pashmangshëm në mendje të vijnë obskurantët e mesjetës së vonshme, që njiheshin si Epistolae obscurorum virorum. Esenca e fjalimit të Thaçit dhe obskurantëve tjerë përputhej me filozofin e sivëllezërve të tyre mesjetar. Përmes fjalimeve të gjata ata pretenduan t` na shpërfytyrojnë pamjen, respektivisht përmbajtjen reale të marrëveshjeve të arritura dhe atyre që paralajmërohen të arrihen më 4 mars.
Ndërkaq të gjithë deputetët, përfshirë edhe kryeparlamentarin, që shfrytëzuan tempullin e demokracisë si arenë prej nga mëtojnë të kontribuojnë në emancipimin idealist, si premisë e domosdoshme për fillimin e ndryshimeve të pritshme, në përballje me obskurantizmin politik që mëton të mbetet tutje në skenë, në këtë séance shënuan njërën prej betejave më të hapura.
Madje Thaçi, duke reflektuar plot nervozizëm dhe pasiguri në deklaratat e tij, është fare i vetëdijshëm se do ta ketë pozicionin shumë më të vështirë ngase e kishte Fadil Hoxha në vitin 1974, tek u pozicionua kundër gjakimit të popullit për Republikë dhe bashkë me Autonominë e ofruar mbrojti pozicionin e tij politik.
Tashmë nuk bëhet fjalë për urtësi politike, siç kishte zëra që vlerësonin taktizimet e Fadil Hoxhës për t` përfituar aq sa grupi i tij e konsideronte si të mundur në prosperimin e të drejtave të shqiptarëve, atëbotë kur Jugosllavia po shënonte kulmin e fuqisë së saj politike dhe ekonomike.
Çfarëdo përpjekje e kryeministrit Thaçi për të eskivuar lidhur me statusin dhe kompetencat e Bashkësisë Serbe, që në diskursin e tij politik para deputetëve dhe qytetarëve vazhdon ta quaj asociacion e madje edhe OJQ!, për të do të ishte vetëvrasje politike. Pranimi i çfarëdo autonomie për veriun, do të shënonte fillimin e defunksionalizimit dhe fundit gradual të Republikës. Në fakt ky akt do të mund të konsiderohej si prelud i dramës politike me mundësi shndërrimi në një Pranverë Shqiptare të llojit të vet.


