Thaçi: S’ka ndarje të Kosovës, as autonomi për serbët
Kryeministri i Republikës së Kosovës, e ka mbajtur raportimin e tij për bisedimet Kosovë Serbi, që po mbahen në Bruksel, fjalim që ishte paraparë të mbahet dje por nuk është mbajtur për shkak se Vetëvendosje doli me një pankartë në të cilën shkruante “Kosova, shtet i Hashimit”.
Kryeministri më të marrë fjalën ka treguar arsyen se pse dje ai nuk e ka mbajtur fjalimin, duke thënë me humor se shpreson “që partia e Vetëvendosje” të mos këtë marrë bylbyla sot gjatë seancës.
Pasi ka filluar raportimin e tij para deputetëve, kryeministri e ka filluar me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, i cili defitnivisht i ka dhënë ligjshmëri pavarësisë së Kosovës, përderisa më vonë është marrë vendim për dialog teknik me Serbinë.
Sipas, Thaçit, me këtë përgjegjësi Qeveria e Kosovës është shkuar në bisedime teknike, në të cilat bisedime ai ka thënë se jan shkuar me rezolutë të Parlamentit të Kosovës dhe qëllim i tyer ka qenë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës.
“Mua si kryeministër me obligon kjo rezolutë që të raportoj për këto bisedime. Qeveria e Kosovës në të gjitha këto bisedime ka respektuar këtë rezolutë, vendimet e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve është më e mira e mundshme jo vetëm për ne por për të gjithë Ballkanin”, ka thënë Thaçi.
Sipas Thaçit synim i këtyre bisedimeve është që Kosova të forcoi subjektivitetin e vet ndërkombëtarë ashtu siç ka dalë nga rezoluta e Kuvendit të Kosovës e miratuar më parë.
Tutje, kryeministri ka folur edhe për qëllimin e këtij dialogu duke thënë se Kosova, si një shtet i ri, ka krijuar miqësi edhe me shtetet e tjera të Ballkanit dhe këtë do ta bëj edhe më Serbinë, pavarësisht se me këtë shtet Kosova ka një të kaluar të ashpër dhe armiqësore.
“Synimi i këtij dialogu është që në fund Serbia ta njeh Kosovën si shtet të pavarur, në një moment të caktuar. Kështu ne mund të kemi edhe anëtarësim dhe të ecim përpara në proceset e tona euroatlantike”, tha Thaçi.
Kryeministri ka përmendur edhe të mira që mund të sjell dialogu, siç është anëtarësimi gradual në Bashkimin Europian, pastaj marrja e marrëveshjes së stabilizim asociimit dhe proceseve të tjera euro atlantike.
Thaçi ka njehur edhe të mirat që ka sjell dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, sidomos me arritjen e disa marrëveshjeve, si ajo për Diplomat e Universiteteve, pastaj Sistemin Unik Doganor dhe disa marrëveshje të tjera që, sipas kryeministrin, vetëm kanë forcuar shtetin e Kosovës dhe subjektivitetin e saj.
Thaçi ka folur edhe për zbatimin e IBM-it, marrëveshje kjo që ka ofrcuar kufijtë e shtetit të Kosovës por edhe për pikat e diskutimit që kanë pasur në dialog me baroneshën e Ashton.
Sipas Thaçit, në fund do të jetë njohja reciproke e të dy vendeve por në një kohë të caktuar.
Pika të tjera, sipas kryeministrit, që janë diskutuar është edhe pika dhe çështja e të personave të zhdukur, për të cilin Thaçi tha se e ka ngritur si çështje në të gjitha diskutimet në dialog.
“Në raundin e pestë, në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë i cili ka zgjatur dy ditë. Temë e këtyre ka qenë strukturat ilegale në Mitrovicë, gjë që është pajtuar edhe Serbia. Dacic është zotuar që do ta përmbush obligimin e tij për shkatërrimin e këtyre strukturave dhe unë pres që këto gjëra të zhbëhen. Në takimin e radhës, me 4 mars, pritet që të vazhdohet përsëri në këtë gjë pra në këtë vazhdë. Krejt kjo ka të bëj me normalizimin e plot të marrëdhënieve por edhe me integrimin e veriut në të gjitha institucionet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Duke folur për Asociacionin e Komunave të Kosovës, Thaçi ka thënë se ai është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe për vetëqeverisjen lokale që bazohet në dokumentin e Ahtisarit.
“Një mekanizëm i tillë që do të formohet nuk do të këtë rol legjislativ dhe ekzekutiv dhe për këtë ju garantoj. Qeveria që udhëheq s’bashku me ju, nuk do të lejon formimin e një niveli të tretë të pushtetit dhe ne nuk do ta lëmë sepse nuk do të lejojmë të realizohet një ëndërr Milosheviciane në Kosovë”, tha Thaçi.
Kryeministri ka thënë se të mirat e këtij dialogu do të jenë të mëdha sepse në fund Kosova do të përfitoj liberalizim të vizave përderisa ai është duke ndodhur në koordinim të plotë me SHBA-të.
Këto takime, kryeministri i ka cilësuar si takime shumë të rënda dhe nuk bëhen për ndonjë qëllim për të fituar vota, por për të forcuar sa më shumë shtetin e Kosovës, tha Thaçi dhe shtoi se ai është i gatshëm që të shkoj në to sepse janë procese në interes të shtetit dhe nuk janë interesa partiake.
“Ju siguroi që do të marrë vendime që do të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe dokumentet tjera ligjore të Kosovës dhe që fundi i procesit do ta dërgoj Kosovën në Bashkimin Europian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.
Kryeministri ka thënë në fund se qytetarët e Kosovës, nuk duhet të shqetësohen për idetë që qarkullojnë për plane të ndryshme për fundin e këtyre bisedimeve, duke thënë:
“Nuk do të këtë model të Tirolit, nuk do të këtë ndarje të Kosovës, nuk do të këtë Ahtisari Plus dhe nuk do të këtë autonomi të serbëve në Kosovë, as Kateloni, as Tirol në Republikën e Kosovës. Nuk do të këtë ndarje të Kosovës dhe gjithçka çka flitet nuk janë të sakta, sidomos ata që e kanë nënshkruar përderisa ftoi përgjegjësi deputetët në këtë proces të zorshëm”.(express)


