Faleminderit, shefa!
Nga Imer Mushkolaj – Pa tipa si ju, bota vështirë do ta dinte se ne ekzistojmë. Ju na bëtë gazin e botës dhe ta urrejmë vendin tonë. Faleminderit që na turpëroni çdo ditë!
Ramadan Muja i Prizrenit, profesor historie, është i fundit në vargun e gjatë të zyrtarëve të PDK’së që po e kthejnë qeverisjen e tyre në histori mashtrimi, keqpërdorimi, korrupsioni e përfitimi. Në histori turpi.
Falë tipave të tillë, që në zhargonin e komunikimit të partisë në pushtet quhen “shefa”, sot Kosova gjendet në krye të listave të zeza për maskarallëqet që nuk kanë skaj, të bëra në emër të popullit dhe për popullin, nga ata që nuk ngopen me djersën e popullit.
Muja është i katërti kryetar komune nga partia që “krenohet me Kosovën”, ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Të mos përmendim raste të tjera deputetësh e ministrash, të cilët erren e zbardhen të zhytur në skandale e keqpërdorime. Dhe iu ka hije, sepse janë shefa!
Ata nuk brengosen. Sepse, nuk janë të varfër dhe nuk jetojnë me ndihma sociale. Nuk janë të papunë dhe nuk detyrohen të lypin lëmoshë. Nuk janë të pafuqishëm e pa përkujdesje.
Ata “vrajnë e kthjellin”, bëjnë çfarë të duan dhe shkelin ligj e kushtetutë. Ata iu gjejnë punë familjarëve, dajallarëve e axhallarëve. Ata marrin përqindje në tender, mbushin xhirollogari në banka, shtojnë pasuri e luks. Ata edhe shajnë, kërcënojnë, zhvatin e grushtojnë. Ata kontrollojnë gjithçka e çdokund: në arsim e shëndetësi, gjyqësi e ekonomi, politikë e polici.
Ata përkujdesen që zëri i Kosovës të dëgjohet fort në botë.
Vendi i qeverisur nga ta vazhdon të prijë për krim e korrupsion, varfëri e babëzi, afera e skandale, ngecje ekonomike e izolim.
Vendi i qeverisur nga ta vazhdon të mbetet pikë e zezë në hartën e Europës dhe botës.
Ata përkujdesen që çdo ditë të lume ta “promovojnë” Republikën në mënyrën më skandaloze të mundshme.
Mund të rastis që një ish-kryetar komune, i dënuar për vepra të rënda, të arratiset dhe të mos shkojë në burg.
Mund të rastis që të afërmit e ndonjërit nga “shefat” ose “shefat e shefave” të fyejnë e grushtojnë policë, të përdhosin institucione dhe të kalojnë pa therrë në këmbë.
Mund të rastis që ndonjë deputeti, këshilltari, ministri a zëvendësi të tij “papritur” t’i shtohet pasuria, pa e ditur nga dhe si.
Por, jo, nuk rastis asnjëherë që tipa si këta të japin përgjegjësi për të bëmat e tyre.
Nuk rastis asnjëherë që tipa si këta të mendojnë si të mos e vjedhin këtë vend, por të punojnë për ta çuar përpara.
Nuk rastis asnjëherë që tipa si këta të vendosin të thyejnë qafen e të largohen. Madje, për ta s’bëjnë punë as gjyqe, as burgje.
Sepse janë shefa dhe ashtu veprojnë vetëm po që se nga ta kërkon “shefi i madh”. Ai që premton e nuk realizon, ai që për dështimet e veta fajëson të tjerët, ai që sundon.
* * *
Sidoqoftë, ju falënderojmë shefa. Sepse, pa ju bota vështirë do ta dinte se ne ekzistojmë.
Në vend se për mirëqeverisje, falë jush bota na njeh për korrupsion.
Në vend se për rend e ligj, falë jush bota na njeh për krim, plaçkë e hajni.
Në vend se për shëndetësi e arsim cilësor, falë jush bota na njeh për dallavere e papërgjegjësi.
Në vend se për zhvillim ekonomik, falë jush bota na njeh për papunësi e varfëri.
Ju na mësuat se si nga hiçi mund të bëheni pasanikë, e nga analfabetë akademikë.
Ju na mësuat se si në një vend me gjysmën e popullsisë të papunë e të varfër, mund të jetoni si pashallarë.
Ju na bëtë gazin e botës dhe ta urrejmë vendin tonë.
Ju na bëtë të ndihemi keq pse ju kemi bashkëkombas e bashkëqytetarë.
Dhe, mirë na bëni, sepse ju kemi dhënë mundësinë të na turpëroni. Ju kemi lënë në dorë pushtet, shtet e buxhet. Dhe jemi katandisur si mos më keq, duke pritur mëshirë nga ju, duke pritur që më në fund të vetëdijesoheni, që një ditë të ngopeni dhe vetë ta kuptoni se është bërë boll.
Ta kuptoni se pushteti është përgjegjësi, e shteti nuk është privat, por iu takon të gjithëve. Ta kuptoni se patriotizmi dhe atdhedashuria e njerëzve matet me atë se kush ka bërë më shumë për vendin, e jo kush e ka plaçkitur më shumë vendin. Ta kuptoni se keni gabuar dhe të paktën do të ndiheni keq. Siç duhet të ndihemi edhe ne, që kemi gabuar kur ju kemi besuar.
* * *
Pra, faleminderit shefa. Ju duam!
Ju duam në burg për të gjitha pisllëqet që bëni.
Ju duam të kalbur në burg për të gjitha t’zezat dhe vuajtjet që na shkaktoni.
Ju duam atje ku e keni vendin: për dinjitetin që na e keni shkelur, për krenarinë që na e keni nëpërkëmbur, për të ardhmen që na e keni vjedhur!


