VV: “Qeveria e asfaltit” harron asfaltimin e rrugëve të Komunës së Vitisë
Gjilan – Ne jemi të bindur se qytetarët e Vitisë meritojnë rrugë dhe jetë më të mirë. Ata për çdo ditë kontribuojnë në buxhetin e komunës dhe të Kosovës dhe kanë të drejtë të insistojnë që paratë e tyre tu kthehen në investime që përmirësojnë jetën e tyre. Vitia dhe Lëvizja VV, Qendra në Viti me këtë nuk po kërkojnë asgjë më shumë sesa u takon, por vetëm që paratë e tyre të mos keqpërdoren, por të investohen aty ku Vitia dhe qytetarët e saj kanë nevojë thuhet në njoftimin e kësaj qendre.
Vitia dhe Anamorava fillon aty ku secili udhëtar fillon të ballafaqohet me rrugë të shkatërruara që me siguri secilin e kanë detyruar të shtojë kujdesin për t’iu shmangur dëmtimit të automjetit.
Fatkeqësisht, ne qytetarët e Vitisë, por mund të themi edhe komplet regjionit të Anamoravës jemi të detyruar të qarkullojmë për çdo ditë nëpër këto rrugë, që jo vetëm po na dëmtojnë automjetet tona dhe po na kushtojnë materialisht në këto kushte të vështira, por edhe kanë shtuar shkallën e rrezikut për aksidente. Ky problem është serioz dhe tregon për pandjeshmërinë që ka Qeveria e Kosovës për këtë regjion si dhe paaftësinë e udhëheqjes komunale të Vitisë për të ndërmarrë masa për rregullimin e këtyre rrugëve.Kështu është thënë në një konferencë për shtyp të kësaj qendre.
Se sa e rëndë është gjendja e rrugëve të Vitisë, vetëm sa për ilustrim do t’ju paraqesim me fotografi vetëm disa nga rrugët kryesore lokale, për të cilat është përgjegjës Komuna e Vitisë, me të cilën Qeverisë Nexhmedin Arifi, dhe dy rrugët regjionale që përshkojnë komunën e Vitisë, e për të cilat është përgjegjëse Qeveria e Kosovës, po ashtu nën udhëheqjen e PDK-së dhe Hashim Thaçit, i cili gjatë fushatës për zgjedhjet lokale u kishte premtuar qytetarëve të Vitisë mbështetjen e Qeverisë së tij, në rast të fitores së kandidatit të PDK-së.
Madje, përveç asfaltimit të rrugëve ekzistuese dhe investimeve të tjera, u është premtuar edhe autostradë. Në vend të përmbushjes së premtimeve të dhëna, Kryeministri për Vitinë është kujtuar vetëm atëherë kur i duhej të ndërhynte e ndërmjetësonte për të afruar grupet rivale të degës së partisë së tij në Viti dhe asnjëherë për të përmbushur premtimet e dhëna për investime.
Edhe pse kjo qeveri, për shkak se shumicën e buxhetit të shtetit e ka orientuar në asfalt të shtrenjtë dhe jo cilësor, është quajtur edhe si “Qeveri e asfaltit”, rrugëve të Vitisë po ju shtohen gropat dhe dëmi në automjetet e qytetarëve të Vitisë po rritet, përkundër faktit se ata paguajnë për të qenë ndryshe. Prandaj, qytetarët e Vitisë dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! me të drejtë pyesin se ku shkojnë paratë e tyre?
Ne jemi të bindur se qytetarët e Vitisë meritojnë rrugë dhe jetë më të mirë. Ata për çdo ditë kontribuojnë në buxhetin e komunës dhe të Kosovës dhe kanë të drejtë të insistojnë që paratë e tyre tu kthehen në investime që përmirësojnë jetën e tyre. Vitia dhe Lëvizja VV, Qendra në Viti me këtë nuk po kërkojnë asgjë më shumë sesa u takon, por vetëm që paratë e tyre të mos keqpërdoren, por të investohen aty ku Vitia dhe qytetarët e saj kanë nevojë thuhet në njoftimin e kësaj qendre.
Sipas statistikave që ka siguruar Qendra e Lëvizjes VV, për çdo vit qytetarët e Vitisë regjistrojnë mbi 7 mijë automjete, prej të cilave 1500 janë mjete transportuese apo me peshë mbi 3.5 tonë të cilat paguajnë më shumë takse rrugore. Duke u bazuar në tarifat aktuale që aplikon Qeveria e Kosovës, pa llogaritur mjetet shtesë që Qeveria ka lejuar t’i plaçkitë në emër të homologimit për automjetet që importohen kryesisht nga diaspora dhe sigurimin e detyrueshëm të automjeteve, qytetarët e Vitisë vetëm në këtë kategori në buxhetin e Kosovës kontribuojnë me rreth 1 milion euro në vit.
Sipas statistikave që kemi, në Komunën e Vitisë janë të regjistruara rreth 7000 automjete prej te cilave 1500 janë me peshë mbi 3,5 tonë, të cilat qarkullojnë çdo ditë nëpër rrugët lokale dhe regjionale të Vitisë. Tani për tani si më e dëmtuar është rruga Viti–Gerlic që lidh komunën tonë me Ferizajin, Prishtinën dhe Shkupin, pastaj është mjaft e dëmtuar rruga Viti-Kllokot që lidh Vitinë me Gjilanin, Kamenicën dhe Preshevën, si dhe rruga regjionale Gjilan-Ferizaj që gjithashtu është mjaft e dëmtuar. Vetëm në rrugën Viti-Gerlicë që ka një gjatësi prej 13 km janë regjistruar 524 gropa, prej të cilave 130 janë me thellësi mbi 10 cm ndërsa të tjerat janë nën 10 cm.
Sipas analizave tona dhe të dhënave të eksperteve të kontrollit teknik vetëm në Komunën e Vitisë dëmtohen rreth 20% të automjeteve, që i bie se 1400 automjete në muaj dëmtohen mesatarisht me nga 30 euro për makinë, që i bie rreth 40 mijë euro në muaj shpenzojnë qytetarët tanë për dëmet e shkaktuara. Dëmtimet janë kryesisht në goma, rrota (të aluminit), amortizer dhe debalansim të automjeteve. Në anën tjetër qytetarët tanë paguajnë taksën rrugore, taksën ekologjike, taksë komunale dhe vulosjen e librezës për automjetet që regjistrohen në mënyrë të rregullt por prapë se prapë kjo nuk po i kthehet qytetarit në mirëqenien e tyre.
Pra, ne si shpërblim po marrim injorimin e plotë si të Qeverisë së Hashim Thaçit, i cili shumicën e buxhetit e ka drejtuar në autostradat e shtrenjta që e anashkalojnë tërësisht Vitinë dhe Anamoravën, ashtu edhe të Qeverisë komunale të Vitisë, e cila me paratë e taksapaguesve të qytetarëve të Vitisë, në vend të investimit për të cilin kanë nevojë qytetarët e Vitisë, paguan projekte fiktive si ai i “Pendës” së famshme apo edhe dënime të shqiptuara nga Gjykatat për vendimet e tyre të kundërligjshme dhe autoritarethuhet në njoftimin e kësaj qendre me seli në Viti./rajonipress/


